A e dini, ky është Mimi
A e njihni, ky është Mimi,
që vjen porsi përqafimi.
Ngrihet herët në mëngjes
mamin, që ta përshëndes.
Dhe, me vrap niset në shkollë
bashkë me motërzën belhollë.
Tok me shokët, me dëshirë,
mësimet i bëjnë mirë.
Pastaj, vrap për në shtëpi
që, me prindërit, tok të rrijë.
Për çdo ditë, Mimi mëson,
babin nuk e turpëron.
Moza piktorja
Unë jam Moza faqekuqja,
buzët, shegë, porsi burbuqja,
jam e shkathët, si një flutur,
jam e ëmbël dhe e bukur.
Kam talent dhe në pikturë,
vizatoj në çdo mur,
dhe, kur mami më shikon,
“Mos!” – më thotë – “Çfarë pikturon?“
Ç’bën ashtu – më pyeti Toni,
– nëpër mure pikturoni?
Edhe mami më vështroi,
me shikimin më qortoi.
Pas kësaj, unë e mësova,
në fletore pikturova,
shpejt, bëra një vizatim
kur e pash, ish mami im.
Kush të ka mërzitur vallë?
Zog i bardhë, o zog i bardhë,
kush të ka mërzitur vallë,
pse po rri kaq i trishtuar,
mamin pa e përqafuar?
Pse po ikën, larg e larg,
mamin pse e bën merak,
pse nuk ha e pse nuk pi,
pse nuk kthehesh në shtëpi?
O, sa keq, qenkam jam hutuar,
mamin s’paskam përqafuar,
por tani do gjej një dalje,
mamit që t’i kërkoj falje.
Them t’i marrë të gjitha e t’i bëj kurorë
Dola në mëngjes
me një shport në dorë,
desha që ta mbledh
diellin me kurorë.
Pastaj eca shpejt,
nëpër ditë vrapova,
që të mbledh dhe lule
t’i shtoj te kurora.
Ja, edhe pasdites,
muzgut deri vonë,
perëndimin mora,
kurorë mbi kurorë.
Pastaj, xixëllonjat,
mbrëmjes dola mblodha,
si vello të verdha
kurorës ia hodha.
Kurorës magjike,
lidhur nëpër nyje,
në fund seç i shtova
hënën me gjithë yje.