Në edicionin e 12-të të Çmimeve Kombëtare Harpa, drejtuar nga shkrimtarja dhe gazetarja e njohur Majlinda Rama, u vlerësuan personalitete të shquara nga fusha të ndryshme si arti, kultura, letërsia, gazetaria, biznesi dhe politika. Ky aktivitet, i kthyer tashmë në një traditë të mirëpritur, përbën një nga momentet më të rëndësishme të vlerësimit të kontributeve në shoqëri.

Drejtoresha e Çmimeve Harpa, Majlinda Rama, u shpreh:

“Ky çmim është një kujtesë e kthyer në traditë, që evidenton arritjet dhe kontribuon në respektimin e personaliteteve që pasurojnë shoqërinë tonë. Përmes këtij eventi, ne krijojmë një lidhje të fortë mes njerëzve, duke theksuar rëndësinë e të qenit jo vetëm profesionistë të mirë, por edhe njerëz të mirë.”

Rama theksoi sfidat e kohës sonë, ku distancimi mes njerëzve, si pasojë e globalizimit, është një rrezik i përhershëm. Çmimet Harpa shërbejnë si një platformë që bashkon njerëzit dhe promovon vlerat e përbashkëta të solidaritetit, humanizmit dhe respektit të ndërsjellë.

Majlinda Rama theksoi rëndësinë e vazhdimit të organizimit të këtij çmimi në qytetin e Fierit, duke nënvizuar se ky vendim i themelimit të çmimit Harpa, ka ruajtur lidhjen organike mes qytetit dhe aktiviteteve kulturore të nivelit kombëtar.

Historia dhe vizioni

Fondacioni Harpa nisi udhëtimin e tij në dhjetor të vitit 2013, dhe vetëm një javë pas themelimit, organizoi edicionin e parë të Çmimeve Kombëtare Harpa. Në këto 12 vite, ky çmim ka sjellë në Fier dhjetëra personalitete të spikatura, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë dhënë kontribut të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare.