Kosovë/ U mbajt në Prishtinë ceremonia festive, me rastin e 35-vjetorit të Shtëpisë Botuese “Buzuku”, shtëpia më e madhe botuese në Kosovë. Ceremoninë e hapi shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Rama, e cila në fjalën e saj theksoi se “Nuk janë vetëm 35 vite kalendarike, por 35 vite të mbushura me suksese dhe arritje. ‘Buzuku’ ka sjellë një gamë të gjerë botimesh, nga letërsia e traditës dhe ajo bashkëkohore, si dhe është bërë zëri i parë i letërsisë së huaj në Kosovë. Merita i takon padyshim Abdullah Zenelit, i cili ka punuar në heshtje për të pasuruar kulturën dhe për t’i dhënë mbështetje letërsisë edhe në kohët më të vështira që ka kaluar vendi”.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shumta të jetës kulturore nga Kosova, Shqipëria, Kroacia dhe diaspora. Mes tyre, drejtoresha e Artit dhe Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, e cila tha se ishte e lumtur që merrte pjesë në këtë festë: “Buzuku është një shtëpi serioze botuese që ka publikuar shumë autorë të rëndësishëm. Uroj që ta vazhdojë misionin fisnik”.

Vetë themeluesi i “Buzukut”, Abdullah Zeneli, shprehu mirënjohjen për të pranishmit: “Ju falënderoj përzemërsisht që jeni sot këtu, në këtë festë të përbashkët. Në gjithë historikun tonë, ne numëroj mbi 1 mijë tituj, kemi sjellë bestsellerë, fitues të çmimit Goncourt dhe të Nobelit, dhe do të vazhdojmë me këtë mision, gjithmonë pa u lodhur, një ndër treguesit e pasionit dhe motivit tonë është edhe libraria më e re në qytet, që mban të njëjtin emër”.

Në aktivitet folën gjithashtu shkrimtari Roland Gjoza dhe autorë të tjerë të shtëpisë botuese “Buzuku”, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe rëndësinë e këtij institucioni në jetën letrare shqiptare.

Me këtë rast u inaugurua edhe Libraria e re e “Buzukut”, e cila do të jetë e hapur çdo ditë të javës dhe do të ofrojë ekskluzivisht botimet e kësaj shtëpie botuese.