Shkrimtarja Majlinda Rama është fituesja e Çmimit “Jakov Xoxa” për vitin 2024, një vlerësim prestigjioz që nderon personalitete të spikatura në fushën e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Për këtë çmim, i cili vjen në edicionin e tij të dytë, konkurruan tetë kandidatë të përzgjedhur. Juria me Kryetar Akademikun e shquar, Rexhep Qosja dhe anëtarë akademikët Ali Aliu, Shaban Sinani, Xhevahir Spahiu, Klara Kodra, poeten Natasha Lako dhe gazetarin dhe analistin Aleksandër Çipa nga 21 kandidatët kryesorë, përzgjodhi 8 prej tyre dhe në finale zgjodhi vetëm 3 prej tyre: Adil Olluri, Ervin Nezha dhe Majlinda Rama.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, gjatë ceremonisë gala, theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi dhe kontributin në letërsi dhe kulturë të fitueses:

“Jam e nderuar që ky çmim shkon për një personazh, një vajzë e cila, me punën e saj, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare. Ajo është poete, prozatore dhe studiuese. Çmimi “Jakov Xoxa” i akordohet zonjës Majlinda Rama me motivacionin: ‘Për pjekurinë artistike dhe intelektuale të spikatur, për novatorizmin, origjinalitetin dhe ndjeshmërinë krijuese. Përmes letërsisë artistike, temave humane dhe universale, si dhe mendimit të thelluar teorik në studimet e saj, Majlinda Rama ka sjellë një profil të qartë dhe të qëndrueshëm në letërsinë bashkëkohore shqipe, duke ndikuar në pasurimin e traditës letrare me një frymë moderne.’

Në fjalën e saj, fituesja Majlinda Rama u shpreh se ndihet shumë e nderuar me këtë çmim, duke theksuar disa arsye të veçanta:

“Ndihem e nderuar nga ky cmim për disa arsye: Së pari, sepse emri që mban ky çmim i përket një personaliteti të shquar, një shkrimtari të madh në historinë e letërsisë shqipe, por me rezonancë të gjerë në kulturën kombëtare. Së dyti, sepse juria që më ka përzgjedhur është, pwrbwhet nga personalitete shumë të shquara të mendimit intelektual, studimeve dhe kritikës letrare, letërsisë artistike dhe diskursit publik, prandaj faleminderit! Së treti, ndihem e nderuar sepse ky çmim, një vit më parë, hodhi bazat me një personalitet tw shqua, akademikun Sabri Hamiti, i cili, si të thuash, i dha standarde të larta kësaj iniciative dhe përcaktoi çfarë do të kërkonte si përfaqësim ky çmim”, u shpreh Rama.

Çmimi “Jakov Xoxa,” i themeluar në vitin 2023 për të nderuar veprën dhe trashëgiminë e shquar të romancierit shqiptar, synon të inkurajojë krijuesit bashkëkohorë dhe brezin e ri të shkrimtarëve, duke promovuar letërsinë që pasqyron elemente unike të kulturës dhe përvojës kombëtare shqiptare.

Në edicionin e tij të parë, ky çmim prestigjioz shkoi në Kosovë, ku fitues ishte akademiku Sabri Hamiti. Këtë vit, ceremonia gala mblodhi së bashku personalitete të njohura të artit, kulturës dhe letërsisë, duke rikthyer në qendër të vëmendjes rolin e letërsisë në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore. Ky çmim po merr përmasa shumë serioze dhe po mbledh rreth vetes personalitetet më të shquara dhe institucionet më serioze në vend.

Mbrëmja Gala u mbështet nga Bashkia e Tiranës, ndërsa çmimi nga Qendra e Librit dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.