U zgjova në mëngjes, u lava dhe u bëra gati për të ikur.
– Tani do t’ju sjellim mëngjesin – tha e zonja e shtëpisë.
Dhe unë u ula pranë tavolinës që kisha në dhomë. U hap dera. Hyri një vajzë me tabaka në dorë, ku kishte vënë mëngjesin.
Vajzë, thashë? Ç’vajzë? Ajo qe nimfë! Bjonde, e re, e gjatë, e bukur.
-Mirëmëngjesi, zotëri – më tha.
– Mirëmëngjes – thashë dhe unë.
– La tabakanë mbi tavolinë, përshëndeti me kokë duke buzëqeshur, dhe iku.
Ajo iku, po unë rrija dot? Haja dot? Pija dot? Bëra sikur hëngra! Zura kokën me të dyja duart dhe u mendova.
Lasgush! – i thashë vetes. Ti s’duhet të rrish këtu! Ti duhet të ikësh. Të ikësh që tani! Ti, po të rrish këtu, do të biesh në dashuri me atë cupë. Dhe po të biesh në dashuri me këtë, s’ka shkollë për ty. Ti ke ardhur për në shkollë, jo për të bërë dashuri. Ikë, Lasgush! Ikë! Ikë! Dhe ika!
Mblodha shpejt e shpejt plackat në valixhen time dhe dola.

Te Lasgushi shkoja shpesh, por jo përditë. Gjatë verës, që ai e kalonte në Pogradec, mbeteshim me muaj pa u parë. Herë-herë, me anën e ndonjë shërbimi të sajuar enkas, kthehesha e qëndroja një ose dy ditë pranë tij, sa për të nxjerrë mallin. Në shtëpi, në odiçkë, në kafenenë e hotel tu- rizmit «të vjetër», apo duke shëtitur deri vonë buzë liqenit, i palodhshëm, i papërtuar, i papër- sëritshëm, më fliste për çështje nga më të thjeshtat, më të zakonshmet, më të kuptueshmet, më të ndërlikuarat, më të lartat, më eteriket.
Nga merrte shkas? Nga hiç ose nga gjithçka!
Një njeri, që kalonte rastësisht, një flutur, një zog, një fëmijë që qante, një valë që mend i lagte këmbët, por mbi të gjitha një varg i kujtuar, mund ta ngacmonte për të filluar të hapte portat e digës, që mbante rezervuarin kolosal të kulturës së tij dhe rrymat e fuqishme të dijenive lëshoheshin tatëpjetë të pandalshme.
Si të kishte qenë të belvederja pranë ndonjë ujëvare gjigante, ku të buçasin veshët nga jehonat e të lëbyren sytë prej ngjyrave të ylberit të dritës së zbërthyer nëpër çiklat e stërkalave, ashtu largohej njeriu pas bisedës prej një ore me të. Largohej i lumturuar, por dhe i hutuar nga lodhja prej ngarkesës që mbartte në kujtesë.
Ndaheshim. Unë ikja i ngopur, ai mbetej me vetminë e poezisë atje lart, në kullë, por shpesh takohej me miqtë pogradecarë të cilët e donin dhe e nderonin me gjithë zemër.
Pastaj, kur Dheri i mardhur prej thëllimit
dirgjej heshtur nën brymë dhe Frynte veriu në Mal të Thatë me zemërim
e me fërtymë, aty nga fundi i Nëntorit, Lasgushi soste në Tiranë!
Vizitat e mia shpeshtoheshin, drutë në sobë shtoheshin, bisedat gjallëroheshin. Kjo gjë u përsërit për vite me radhë. Disa nga historitë, ndodhitë, poezitë, të treguara apo të recituara prej tij, më ka qëlluar t’i dëgjoj dy a tri herë, por gjithnjë ai i rrëfente me një mënyrë të veçantë dhe ato të dukeshin të reja, të freskëta. Duke i dëgjuar me vëmendje, që t’i përpija, më përpinin! Mbetesha atje i harruar me orë të tëra.
Për orët e bukura të kaluara me Lasgushin kam kënaqësinë të them se ishin ashtu siç e përshkruan poeti Viland kohën e bisedave me Gëten:
«Me të dhe ditët si orë kalonin
Dhe vetë orët si çast fluturonin»
Sa kthehesh në shtëpi mundohesha të shkruaja besnikërisht ato që kisha dëgjuar. Me besimin se një ditë do të shihnin dritë dalëngadalë shënimet u shumuan e morën trajtën që do të gjeni te faqet në vijim…

***
Të parët e familjes sonë kanë ardhur në Pogradec nga Rrëmënji, një fshat aty pranë, po në Rrëmënj kanë ardhur nga Kolonja. Atje, në Ersekë, ishin bujq e blegtorë njëkohësisht. Ishin njerëz punëtorë e të urtë, po për punë nderi të një çupe ranë në hasmëri me komshinë. Ranë në hasmëri se bënë një vrasje. Bënë vrasjen dhe një natë, për tërë natën, ngarkuan plaçkat, pleqtë e fëmijët përmbi mushkat, dhe ikën. Ikën dhe erdhën në Rrëmënj, që të ishin sa më larg një hasmi.

***
Kur isha unë fëmijë, në shtëpinë tonë bënim një jetë të thjeshtë familjare, patriarkale. Kështu, ishte jeta atëherë. Kjo jetë u prish në kohën e Luftës së Parë Botërore dhe nuk u ndreq më. Ne ishim tetë fëmijë; katër vëllezër; Vançi (Jovani), Vangjeli, unë (Lazari) dhe Pandeliu. Katër motra: Zografina, Naumka, Aspasia dhe Maria. Pra, tetë. Nëna, nëntë, Babai dhjetë. Dhe këta dhjetë shpirt i mbante babai.
Babai, kishte dyqan në Pogradec. Dyqanin e kishte nja tre minuta rrugë larg shtëpisë. Dyqani ishte me tri të ndara: Njëra ishte depo, tjetra ishte dyqani vetëm dhe një si dhomë ngjitur me dyqanin e kishte që priste miqtë e dashur. Atje nuk hynte kushdo. Babai ngrihej që pa gdhirë. Nëna ngrihej edhe më përpara. Kur ngrihej babai, nëna e kishte ndezur zjarrin në vatër dhe i kishte vënë kafenë, Babai pinte kafenë dhe shkonte në dyqan.
Ç’nuk mbante babai në dyqan!
Kusi e perusti, mashë e kaci, saç e jastagaç, qereste, hekurishte, pëlhurë, basme. Të tëra i gjeje atje! Edhe syze mbante, Vije ti i provoje, Po të shikoje mirë, i merrje, Jo? – i lije. Babai mbante me vete gjithnjë kobure, revole. Kur vinte në shtëpi dhe binte të flinte, revolen e mbante atje, pranë jastëkut.
Të mos harrojmë se flasim për kohën kur ishin dy duar për një kokë, dhe kjo kokë kishte një revole në jastëk dhe një pushkë të varur në musandër, prapa derës!

***
Babai im punonte për Shqipërinë. Tani këta i quajnë patriotë, po atëherë ju thoshin shqiptarë. Babai quhej Sotir, po i thoshin Tirkë, «Tirka i gjatë», se babai ishte i gjatë, po më shumë i thoshin «Tirkë shqiptari». Kështu ishte edhe xhaxhai im edhe disa të tjerë. Njëri ishte «Gjokë shqiptari». Këta kishin lidhje me komitët. I strehonin, i ndihmonin. Në shtëpinë e një kushëririt tim vinte dhe Themistokliu me të vëllanë, Telemakun, ose me të tjerë. Vinin natën, fshehtas, dy-tre veta bashkë, të armatosur.
Themistokliu ishte trim dhe vinte nganjëherë edhe vetëm.
Me kë ke ardhur e pyeti një nusja e kushëririt tim. Themistokliun, dhe ai iu përgjigj; Me Themistoklinë!
Po në Pogradec kishte dhe grekomanë dhe turkomanë.
Turkomanët më të liq ishin bejlerët e Starovës. Ata e zunë Telamak Gërmenjin, të vëllanë e Themistokliut, dhe Menduh Zavalanin dhe i mbytën në liqen me nga një gur në qafë.
Grekomanët e kishin inat babanë. Babai virte kur e kur në Korçë ose në Manastir për të blerë mallra për dyqanë. Njëherë kur do të shkonte babaj, bashkë me xhaxhanë për në Korçë i thotë një nga këta grekomanët:
O Tirkë, shpjere një çikë këtë letër në filani, në Korçë, Mirë, thotë babai, dhe e mori.
Kur po afroheshin në Korçë babai i tha të vëllait: ore, se mos harrojmë atë letrën pa e shpënë!
Për të shpënë është kollaj, tha xhaxhai, që ishte më i madh në moshë, po pa nëma ta këndoj njëherë se ç’thotë:
Kur e lexoi, në letër shkruhej:
«Këta të dy janë ata që na prishin punë. Të prishen».
Ja kështu shpëtuan.

***
Babai ka pasur një dashuri të jashtëzakonshme për shkollën. Nuk e lëvdoj se e kam baba, po them kështu se kështu ka qenë. Djalin e madh e dërgoi në gjimnazin grek të Manastirit. Djalin e dytë e dërgoi në gjimnazin turk të Manastirit, për oficer, se thosh: Kur të bëhet Shqipëria do të ketë nevojë për oficerë. Mua, që isha i treti, më dërgoi në gjimnazin rumun të Manastirit. Kur filloi lufta e parë botërore, gjimnazi na u mbyll dhe unë u ktheva në Pogradec.
Shkoi ca kohë, po babai s’më shikonte dot ashtu, pa shkollë.
Të shkosh – më tha – në Greqi, të vazhdosh shkollën.
Atëhere vetëm Greqia nuk kishte hyrë në luftë, se qenë dy parti të forta: një palë me mbretin, që desh të hynte në luftë në anën e gjermanëve një palë me Venizellon që deshin të hynin në luftë në anën e Anglisë e të Francës.
Të mos harrojmë se në Pogradec ishin gjermanët, në Korçë – francezët. Pra, duhej kaluar vija e frontit.
Ka qenë tetor i vitit 1916.
Bëhu gati – më tha babai – se do të shkosh.
Kishte gjetur njerëz të më përcillnin të kaloja për matanë. Bëji edhe një qese – i tha nënës- që të mbajë paratë. Qesen, më tha, ta varësh në qafë dhe ta mbash në mish, ndënë këmishë. Babai më dha pesëdhjetë napolona.
Nëna tha: Kam edhe unë nëntë, t’ia jap? Jepja – tha babai. Po unë thashë: S’i mbaj paratë në qese, do t’i mbaj në portofol. Gjashtëmbëdhjetë vjeç djalë.
Atëherë babai më shau. Babai, jo që s’më kishte rrahur, po as që më kishte sharë deri atëherë ndonjëherë.
Vajta në dhomën time dhe po qaja. Erdhi murga nënë. Më pa që po qaja dhe lajmëroi babanë në dyqan. Ercjhi ai, më mori me të mirë dhe më tha: Mjaft tani, hajde, merr flautin dhe bjeri. Flautin e kisha që i bija në gjimnaz, në Manastir.
Të nesërmen u nisa. Kufirin e kaluam pas mesit të natës. Me varka të vogla prej trungjesh shelgu të gërryera nga brënda, kemi kaluar nëpër kënetën e Maliqit, ndënë hijen e kallamishteve aë ndriçoheshin nga hëna pesëmbëdhjetë. Ata më shoqëronin, dy veta, zgjodhën pikërisht natën me hënë, se nga rojet ruhej më pak. Varkat, apo më mirë trungjet. Secili i lëvizte jo me lopata, po duke përdorur duart si lopata, ngadalë pa zhurmë, duke shkuar e duke përgjuar. Herë-herë ndalonim kur na bënte shenjë ai që ishte përpara. Pastaj, me kuaj të qiraxhijve, shkova në Korçë, Kolonjë dhe gjer në Prevezë. Nga Preveza në Pire dhe që atje, nja njëzet minuta rrugë arrita në Athinë.
Rrugës, në trenin për në Athinë, më doli fjala e babait. Në tren kishte plot njerëz, ulur, në këmbë. Edhe unë, më këmbë. Erdhi fatorinoja që kërkonte biletat. Bëra të nxjerr portofolin. S’e gjeta! Ma kishin vjedhur, po atje s’kisha para. Paratë ishin atje, thellë, në qeskë, ku tha babai.
Në Athinë kishim një kushëririn tonë, të pasur. Pasi zura hotel vajta tek ai. Një ditë ky më shpuri të më njohë me Qirie Skëndherin, një grekoman, që nxirrte gazetën ‘’O Pellazgos’’ dhe bënte propagandë greke kundër shqiptarëve. Ky qirie Skëndheri ishte një burrë nja pesëdhjetë e pesë vjeç, po mua më dukej plak. Sa më pa, u ngrit dhe filloi të më fliste për gazetën. Ja, dhe ne – tha -po përpiqemi t’u mësojmë cave të kuptojnë se ç’janë. Ky kushëriri im, që e dinte se nga shtëpia ime ishin kundra grekomanëve, i bëri me sy atij qiries dhe i tha: Ka ardhur të regjistrohet në Liceun Francez.
Ai menjëherë ndërroi qëndrim dhe biseda mbaroi shpejt…

***
Kur erdhi, Fan Noli në fuqi, mua më akordoi bursë për studime. Telegrami që më lajmëronte për këtë gjë kishte ardhur në Selinë e Shoqërisë Shqiptare të Bukureshtit. Asdreni, që ishte njeri shumë i mirë, dërgoi më thirri në seli dhe kur vajta, doli më priti në shkallet.
Po, ku je mor Lasgush- më tha – se të kanë emëruar bursist në Gjermani. Kështu thosh telegrami. Më dërgonin për të studiuar albanologji në Gjermani, në Berlin. Aq dinin. Nejse. Vajta të marr pasaportën në Konsullatën Austriake në Rumani. Ishte ora nja dhjetë, në mëngjes.
Kommen Sie bitte um Zëolf Uhr – më tha ai nëpunësi. Edhe unë vajta në ora dymbëdhjete. Kur vajta, porta e zyrës të atij nëpunësit ishte e hapur dhe po dilte. Erdha – i thashë – të marr pasaportën. Junger Herr – më tha.
– Die Uhr ist eine minute voruber Zëelf, Kommen Sie morgen um Zëelf Uhr.
U inatosa, po s’kisha ç’të bëj. Vajta në Asdreni. Po këta austriakët qënkan të liq, i them. të poshtër, këta qenkan maskarenj, këta qenkan..,’ Ç’ke, Lasgush? Ia tregova ç’më ndodhi dhe prapë thosha: Këta qenkan të liq..: Jo Lasgush, janë të mirë – tha Asdreni.
Edhe mua kështu ma bënë njëherë kur do të merrja pasaportën, po janë të mirë. S’janë të liq, po duan rregull, saktësi. Dhe rregulli e saktësia do kulturë dhe edukatë të lartë. Ata i kanë, ne s’i kemi.

***
Ne Austri, në Grac, shkova kur isha njëzet e katër vjeç, për të vazhduar atje studimet. Që të mësoja mirë gjuhën, nuk desha të rri në pension, por kërkova dhomë në ndonjë familje. Kërkova dhe ndërrova dhjetë shtëpi. Më në fund gjeta një që më pëlqeu. Mbasi ramë dakord për çmimin, asaj zonjës së shtëpisë – Pihler e kishte mbiemrin, i thashë: Zonjë, të më falni, se juve ndoshta s’ju pëlqen, por unë, veç të tjerave që folëm, kam edhe këtë kusht: Kur s’jam në shtëpi, jam në Universitet dhe kur s’jam në Universitet, jam në shtëpi. Përkundër, tha ajo, një njeri i tillë na pëlqen më shumë. Unë u nisa të iki, të vete të marr valixhet që atje ku i kisha lënë. Te porta zonja Pilher më pyeti:
Më falni, por nga ç’vend jeni?
Nga Shqipëria!
Më falni, zotëri – tha – po me shqiptarë s’dua të kem të bëj. Kam pasur disa dhe përveç të tjerave, më kanë ikur pa paguar. Më falni, po më mirë kërkoni ndonjë dhomë gjetkë. Zonjë e nderuar, – i thashë – ju e dini fort mirë se edhe pallati më i bukur e më i madh e më luksoz që të jetë, edhe ai e ka një klozet.
Kështu edhe çdo popull, sado i mirë të jetë, ka edhe njerëz të ndyrë. Ne ndoshta kemi ca më shumë, se jemi popull ende i paqytetëruar. Juve e dini që mund të gjej lehtë një dhomë tjetër, ndoshta edhe më të lirë edhe më të mirë, po tani dua të rri këtu me çdo kusht, se dua të ndërroni përshtypjen që keni formuar për shqiptarët. Dhe në këtë shtëpi ndenja pastaj dhjetë vjet! Atëherë studioja gjithë ditën dhe deri vonë pas mesnate. Sa herë hapte ajo zonja portën, më gjente shtrirë dhe me libër në dorë.
Herr Lasgush – më thosh – mjaft studiuat, se kam frikë, ndonjë ditë, kur të hap portën, s’do të gjej më Lasgush, por një libër të madh të hapur në vendin tuaj!

***
Kur shkova për studime në Austri, zura një dhomë me qira te një familje. Pagova një muaj për të fjetur e për të ngrënë. Pazarin e pata bërë me të zonjën e shtëpisë. Fjeta natën e parë. Pastërti. Qetësi. Shumë mirë. Austri!
U zgjova në mëngjes, u lava dhe u bëra gati për të ikur.
– Tani do t’ju sjellim mëngjesin – tha e zonja e shtëpisë.
Dhe unë u ula pranë tavolinës që kisha në dhomë. U hap dera. Hyri një vajzë me tabaka në dorë, ku kishte vënë mëngjesin.
Vajzë, thashë? Ç’vajzë? Ajo qe nimfë! Bjonde, e re, e gjatë, e bukur.
-Mirëmëngjesi, zotëri – më tha.
– Mirëmëngjes – thashë dhe unë.
– La tabakanë mbi tavolinë, përshëndeti me kokë duke buzëqeshur, dhe iku.
Ajo iku, po unë rrija dot? Haja dot? Pija dot? Bëra sikur hëngra! Zura kokën me të dyja duart dhe u mendova.
Lasgush! – i thashë vetes. Ti s’duhet të rrish këtu! Ti duhet të ikësh. Të ikësh që tani! Ti, po të rrish këtu, do të biesh në dashuri me atë cupë. Dhe po të biesh në dashuri me këtë, s’ka shkollë për ty. Ti ke ardhur për në shkollë, jo për të bërë dashuri. Ikë, Lasgush! Ikë! Ikë! Dhe ika!
Mblodha shpejt e shpejt plackat në valixhen time dhe dola.
Zonjë – i thashë në porta – unë nuk do të kthehem më…