NASHO JORGAQI

Të dashur motra dhe vëllezër, të nderuar miq,

Me rastin e Festave të Flamurit dhe Clirimit, në këtë manifestim madhështor të “Orës së Maleve”, kam nderin t’ju prezantoj shkrimtaren e njohur shqiptare Majlinda Rama.

Majlinda Rama është përfaqësuesja më e shquar e brezit të saj letrar dhe një nga emrat e nderuar të letërsisë së sotme shqiptare. Unë kam nderin të jem një nga miqtë e saj, por veçanërisht edhe një nga mësuesit e saj dhe kjo është arsyeja që unë jam sot këtu përpara jush, në një nga festat e mëdha kulturore të shqiptarëve të Malit të zi, për ta prezantuar dhe vlerësuar figurën gjithëpërfshirëse të saj.

Përpara se të flas për Majlindën, dua të theksoj se vij sot në Rozhajën që mban një emër në lëvizjen tonë kombëtare, por që është një vend që ka nxjerrë një intelektual të cmuar e në radhë të parë, shkencëtar i shquar, rektorin e parë të Universitetit të Kosovës, Dervish Rozhaja. Jam i lumtur sot që kam ardhur në vendlindjen e tij, jo vetëm për ta kujtuar, por edhe për t’i bërë homazhet e merituara këtij shkencëtari dhe patrioti të madh. Unë kam patur fatin të jem miku i tij në vitet ’70, kur si profesor i Universitetit të Tiranës vija, bashkë me kolegët e mi dhe jepja leksione në Universitetin e  Prishtinës. Në atë kohë, me dëshirën e Dervishit, vizituam Rozhajën për herë të parë. Tani jam kthyer këtu pas më shumë se një gjysmë shekulli dhe më bëhet zemra mal, që Rozhaja, dikur një  katund i madh, sot një qytet modern që nderon vendasit dhe gjithë shqiptarët e Malit të Zi.

Kjo është arsyeja kryesore që shkrimtarja Majlinda Rama pranoi ftesën e të vijë të jetë pranë jush dhe t’u sjellë veprimtarinë e saj letrare. Dhe për këtë, më ftoi edhe mua, profesorin e saj, që ta kryej këtë detyrë fisnike. Ja pse sot, pas një udhëtimi të gjatë, gjendem midis jush dhe festojmë këtë ngjarje të madhe kulturore. Një shkrimtare e vendit amë, që shfaqet para jush me vlerat e saj dhe ju e nderoni me praninë tuaj.

Sigurisht, unë nuk e kam të lehtë të prezantoj këtë figurë shumë të cmuar, një nga gratë intelektuale, e vecanërisht, artiste e fjalës, ta paraqes në një kohë kaq të shkurtër, për një vepër të gjerë, të pasur e komplekse.  Majlinda ka lindur në Tepelenë, në vendin e Ali Pashë Tepelenës, është bijë e Labërisë së lavdishme, që shquhet për atdhedashurinë e madhe e trimërinë e rrallë, për njerëzit e zgjuar e të talentuar që ka nxjerrë ajo trevë në të gjitha fushat e jetës, përfshi dhe atë kulturore.

Majlinda Rama, pra, është një nga përfaqësueset më të denja të Labërisë dhe jo vetëm.

Në një hark kohor, prej disa vitesh, ajo ka arritur t’i japë letërsisë shqiptare një varg veprash shumë të cmuara, në disa gjini. Ajo është romanciere, poete, tregimtare, kritike letrare, shkrimtare, studiuese e letërsisë e publiciste. Talenti i saj i gjithëanshëm, vjen përmes ngjyrash, situatash, personazhesh, problematikash, në gjini nga më të ndryshmet, nga lirika te epika, nga dashuria te drama, nga drama te tragjedia, të gjitha këto me një kulturë krijuese të adhurueshme. Vlerat e Majlindës i kanë vënë në dukje shkrimtarë, kritikë e studiuesit më në zë të kohës, si: Ali Aliu, Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca, Behar Gjoka, natyrisht edhe unë e shumë të tjerë.

Le të paraqesim dhe analizojmë disa nga veprat më të njohura e të sukseshme të saj në fusha të ndryshme krijuese e studimore letrare. Le ta fillojmë me romanet, nga romani “Perandorët”, që ka patur një mirëpritje nga lexuesi i gjerë deri te kritika… Ky roman, që është duke u bërë edhe film në Zvicër, sjell nga afër një realitet të gjerë të mpleksur me botën e krimit, duke u paraqitur me dialogje, strukturë e personazhe të gjalla. Si dalje e kësaj situate gri, autorja ka zgjedhur dashurinë, duke e trajtuar atë, element që shëron dhe shpëton botën. Romani rrëfehet mbi dy linja kryesore. Njëra linjë i referohet dashurisë së djalit për nënën, që është dashuria më sublime, dhe tjetra, ajo e burrit ndaj gruas, që, po ashtu, bart me vete emocion. Tek të dyja këto udhë, shihet qartë një mesazh i përbotshëm, ai i dashurisë si triumf mbi të keqen, mbi krimin, mbi një realitet mizor e të vrazhdë. Një temë sa e rëndë aq edhe aktuale, që sillet natyrshëm e pa zbukurime për ta zbutur brutalitetin e kohës së tranzicionit.

Romani “Zonja me të kuqe”, sjell, po ashtu, realitetin shoqëror shqiptar, i ngarkuar me energji negative. Gjithcka paraqitet nëpërmjet figurës së Jasminës, një femër që simbolizon gruan e nëpërkëmbur, të përbuzur e të anatemuar.  Por, edhe pse, kjo grua nuk shihet përtej pamjes së leckosur, ajo depërton pafajshmërisht në zemrën e prokurorit të rrethit, i cili dashuron tek ajo vlerat e padukshme për pjesën tjetër të shoqërisë. Romani mbyllet me dramën e humbjes së dashurisë dhe tragjiken e humbjes së jetës. Prokurori, sapo e rigjen dashurinë e vet, Jasminën, vritet nga shoku i tij i ngushtë, i cili, po ashtu, në mënyrë diskrete, ka humbur në dashurinë për Jasminën. Mesazhi përmbyllës i romanit, i jep krahë gruas si qenie që di të presë, të durojë, të falë dashuri. Vazhdimi i jetës së Jasminës është triumfi i shpirtit të pastër mbi botën plot kriza vlerash, morale, shpirtërore e psikologjike.

Eseistika është një tjetër tokë e prekur e Ramës. Pas librit “… Por gjyqi vazhdon”, në këtë dhjetëvjecarë, ajo ka shkruar mbi cështje që lidhen me aktualitetin, duke i mëshuar vetëpërsosjes së individit, si element që ndikon në përmirësimin e jetës sociale në vend.

Por Majlinda është edhe poete lirike. Ajo ka sjell disa libra poetikë, ku veçojmë poezi, si: “Ty po të pres”, “Dasma”, “Itaka”, “Dashuri dhe pritje”, etj. Poetja shfaqet si gjeneratë e gjallë, ku dashurinë universale e sheh, para së gjithash, si ushqim për shpirtin. Lirizmi në poezinë e saj, vjen rrezatues e çlodhës.

Në librin “Kritika Letrare”, Majlinda ka patur në fokus të studimit, periudha dhe autorë të ndryshë, nga letërsia shqipe dhe e huaj. Ajo ka sjell autorë si: Franc Kafka, Bërns, Bodler, Wallace Stevens, Andri Peer, Rembo, si dhe De Rada, Camaj, Reshpe, Poradeci, Ali Asllanit, Agolli, Podrimje, Shkreli,  për të mbërritur tek studiuesit Ali Aliu, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi etj. Në tërësinë e shqyrtimeve të saj, autorja është ndalur tek leximi i vëmendshëm i tekstit letrar, duke sjellë qasje ndryshe, të sajën, që qëndron mirë në fushën e studimeve letrare.

Në mbyllje të fjalës sime, i uroj Majlindës sa më shumë vepra të tjera, ndërsa juve ju falenderoj për pritjen e ngrohtë, në këto ditë të ftohta nëntori.

(Fjala e mbajtur në Rozhajë, Mali i Zi, më 28 nëntor, 2016)