Me aktorin e madh të karaktereve të vogla, Mihal Stefën, kam një lidhje shumë të veçantë. Më kishte goditur interpretimi i tij te “Hamleti” në rolin e varrmihësit. Dhe dihet ajo qetësia dhe vetmia e tij. Më erdhi rasti ta kem pranë në studio, gjatë xhirimit të filmit “I teti në bronz”. Unë isha i shtrirë në shtrat i plagosur dhe sipas skenarit, natën vijnë prindërit për të takuar djalin. Mihali kishte rolin e babait. Duke më qëndruar pranë shtratit, nga një trastë leshi nxori dy kokrra mollë. Mënyra e afrimit të tij, zgjatja e dorës me ato dy kokrra mollë, për mua që nuk kisha njohur një dashuri babai, më dha emocion jo si në film, por si një gjest real jete, që po e provoja për herë të parë. Ai ishte një aktor që të sillte jetën! Në mbyllje të filmit, në episodin e fundit, duke u drejtuar nga busti i bronztë, ai thotë: “Sikur ta marrim sonte në shtëpi djalin?”.

Sa herë që e shikoj këtë episod, përjetoj një emocion të veçantë, që ma shkakton interpretimi i gjallë i “babait” nga Mihal Stefa. Personazhi i interpretuar prej tij sikur ma risolli babanë e ikur që kur isha 3 vjeç. Prej atij filmi dhe interpretimit të tij mora një dhuratë në jetë: ndjesinë e babait tim të munguar! Ia kisha këtë si “borxh” dhe pasi kisha filluar punë në TVSH, vendosa të bëja portretin e parë të një artisti. Ky do të ishte portreti i Mihal Stefës.

U interesuam dhe në një zonë krejt të varfër te Vorri i Bomit, mes disa vjetërsive, gjetëm “banesën” e Mihal Stefës. Njerëzit që pyetëm na drejtuan te një gjë, që veç shtëpi nuk ishte. Ishte një si haur me qerpiçë dhe me kartonë. Të dukej më e përshtatshme për të qëndruar bagëtitë, se njerëzit. Nuk ishte vetëm habi, por krejtësisht e pabesueshme ajo që po shikonim. Më priti me një dashuri të veçantë dhe duke gërmuar, nxori nga një si kuti gazetat e hershme, kur kishte filluar me grupet amatore në Korçë, e deri te fotot e ditëve të fundit. Mihal Stefa jetonte i vetëm dhe i izoluar. Nuk kishte krijuar familje. Biblën, librin që e kishte shoqëruar gjithë jetës, e mbante nën jastëk (jastëk i thënçin!). Këtë libër e lexonte përnatë dhe ngjitur me të kishte me shkrim dore rolin e radhës. Ky do të ishte dokumentari im i parë, që nuk arrita dot ta realizoja. Është pengu i jetës sime! Më pas kam bërë rreth 10 dokumentarë për artistë të ndryshëm, por për atë që u nisa, nuk arrita ta realizoja. Pengun që kam nuk e shlyej dot. Çfarë trishtimi më dha jeta e atij artisti të vetmuar! Më të madhit në rolet e vogla! Ndoshta thënia “Nuk ka rol të madh apo të vogël, por ka artist të madh apo të vogël”, me siguri është thënë për këta aktorë, që kanë mbetur të pavdekshëm. Do të doja të ishte thënë për asketin tim, Mihal Stefa, artisti që nuk arriti të krijonte familje, që jetonte me vetminë dhe Biblën e tij, të vetmen mike të përnatshme besnike. Nuk mësova gjë pse kishte bërë atë zgjidhje. Ai nuk tregonte, ai nuk dinte të ankohej…