Sa frikë t’i qasesh këtij emri! Kam pasur mundësinë t’i qasem, të bisedoj, të më tregonte shumëçka jo vetëm për jetën, për shkollën, për estetikën, për femrat dhe kurdoherë ishte krenar, fodull, diktator (në fakt ishte perandor i mendimit të lirë). Në korrik të vitit 1981, Mario Ashiku, regjisor në Pogradec, (sigurisht si i dënuar nga Instituti i Arteve), me trupën e aktorëve kishte përgatitur një shfaqje me poezitë e Poradecit.
Më kishte ardhur zgalemi në dorë!
Bisedova me dr. Misto Marko, mik i Lasgushit, burrë i ditur. Shkojmë te Thomaqi, miku më i afërt i Lasgushit. Thomaqi kishte një si studio i thënçin, ku punonte si piktor apo dizajnues i pllakateve apo i lajmërimeve të qytetit. I kishte pasion pllakatet e filmave. Lasgushi në atë studio kalonte orë të tëra me Thomaqin. Po aty, në një nga ata magnetofonat që shpërndau Lidhja e Shkrimtarëve, herë pas here Lasgushi recitonte. Nuk e di se ku duhet të jenë ato lexime poetike me zërin e tij! Për ta bindur për intervistën, vajtëm dhe takuam shokun e fëmijërisë, Nuçi Tirën, që ishte me “pushtet”: nënkryetar i Degës së Brendshme. U vendos që të nesërmen, ne Lasgushi, Nuçi dhe dr. Misto do të takoheshim në Drilon. Aty ishte qetësi dhe bukur. Ishte vendi ku pushonte Enver Hoxha. Ne si televizion i bindëm, pasi shoku Enver vinte në gusht. U takuam dhe biseda mes tyre ishte e lirë, si mes shokëve të përditshëm. Erdhi në tryezë edhe rakia perla apo moskat, që ia kishte qejfi. Duke xhiruar ishte krejtësisht i lirshëm në mendimet e tij. Me kamerën e Stefan Gajos, me film 16 mm, kemi xhiruar gati dy orë. Në një çast më thotë për Naçin (kameramanin): “Po ky, ç’më rri si vuv e nuk flet fare?!”.
Mes shumë bisedave përmendi edhe Kosovën: “Kosova, luftë skënderbejane… do të vuajë, se nuk e kalojë Rilindjen! Asnjë popull nuk zhvillohet pa kaluar Rilindjen”.
Më tej më thotë: “Unë poezinë nuk e shkruaj po nuk lëvizi guri i mullirit. E di ti, gurin e mullirit?”. “Po!” – i them. Dhe papritur më bërtiti: “Asgjë nuk di!”. Unë heshta. Ata që ia dinin huqet, nuk reaguan, por dr. Misto i tha: “Z. Llazar, (atij nuk i thoshte njeri Lasgush, veçse z. Llazar), ky e di, se është i shoqi i Natashës!”. “Ah, – më tha, – ajo është e mirë”.
Në bisedë e sipër përmendi vetëm Ismail Kadarenë, kuptohet për mirë, dhe emrat botërorë: Lermontov, Heine dhe Leopard. “E di ti nga sa libra kanë shkruar këta?” – më pyeti. Unë ngrita supet. “Nga njëckë! – më tha dhe ngriti gishtin e vogël. – Sepse poezia nuk është
art që bëhet me porosi. Unë që të bëj një poezi, rri me muaj apo me vite. Më thonë mua pse nuk shkruan Llazari? Ja, shkrova unë për Reshit Çollakun, se e njihja dhe thashë: ‘Hajde, o Reshit Çollaku, shtive shtatë e vrave tetë’. Përse e shkrova kështu? Se ishte trim ai”.
Nga intervista u transmetua 31 minuta në TVSH dhe 30 minuta të tjera i sinkronizova dhe i dorëzova në arkiv, pasi ishin mendime të lira, që sigurisht nuk do t’i pranonin për t’u shfaqur në atë kohë.
Dhjetë vite më vonë, në vitin 1991, shkova në arkivin e TVSH-së dhe i kërkova ato materiale të sinkronizuara, të gatshme për transmetim, por nuk e gjeta filmin. Kur u shfaq dokumentari për Lasgushin në një festival filmi, teksa po zbrisja shkallët e Pallatit të Kulturës me Viktor Gjikën, i cili kishte në dorë kupën e festivalit me dokumentarin “Katër këngë për partinë”, më thotë: “Kjo kupë i takonte Lasgushit, por partia i merr të gjitha”. Le të kthehemi te koha me Lasgushin. Në mbrëmje të asaj dite të intervistës, aty ku është sot Turizmi, siç i thonë, po shëtisnim pesë veta. Dr. Misto thotë: “Po fryn gjoli, z. Llazar, ikim?”. “Jo!” – ia kthen ai dhe ma kap dorën e më tregon se poshtë këmishës kishte karton për t’u mbrojtur nga era. “Nuk ka ç’më bën era, se jam i mbrojtur”. Pak më tej nxori orën nga xhepi i një kostumi të vjetër. Ishte një orë kineze tavoline. Duke e nxjerrë, i ra nga dora. U përkula dhe e mora. E vuri në vesh dhe tha: “Gjene, punon. Ç’më shikon i çuditur? – m’u kthye mua. – Ora për të treguar kohën është, jo që të krekosesh me ora të shtrenjta. Kjo e bën punën për mua!” – dhe e futi në xhep. Kuptohet që, kur ishe me të, ai fliste e fliste dhe tregonte pafundësisht ngjarje me një kujtesë fenomenale.
Ja kush ishte Lasgushi për mua! Më shumë se legjendë, jo njeri! Një magji që vazhdon të endet në mendjet e çdo poracedari.
Njëherë e sollën nga spitali të vdekur, por pas ca orësh u ngrit nga arkivoli dhe tha: “Jam Shën Llazari, nuk di të vdes!”
Ky ishte Llazar Gusho!
Shumë vonë pas kësaj, së bashku me Natashën përgatitëm skenarin për një film artistik. Vajtëm dhe takuam Marien, të bijën, për leje autorësie. Por… mbeti vetëm një dëshirë. Skenari rri në sirtar, siç u rrinë krijuesve shumë e shumë vepra të tjera.