Ka nisur në Fier edicioni i 9-të i Panairit Kombëtar të Librit, i cili mbahet nga datat 15 – 18 dhjetor. Kjo ngjarje e madhe e librit, vjen si çdo vit, nën organizimin e Fondacionit Kulturor “Harpa’’, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit etj.
Botues, institucione kulturore, arsimore, klube shkrimtarësh, OJF, etj. nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, paraqesin në këtë panair, botime nga më të larmishmet nga letërsia artistike shqipe dhe e huaj, botime historike, studimore, publicistikë, enciklopedi, letërsi për fëmijë, fjalorë, albume, etj.
Panairi “Fieri 2022” shërben si promovim i letërsisë me të gjitha shtrirjet dhe dimensionet e saj, krijon hapësira dialoguese për rregullimin e tregut, shpërndarjen dhe promovimin e librave të rinj.
Panairi, ka krijuar traditën e librit në këtë qytet dhe ka bërë bashkë dhjetra shkrimtarë e studiues, brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer Fierin ato katër ditë, në qendrën e librit.
“Në një kohë kur teknologjia e informacionit i ka larguar lexuesit nga letërsia e shkruar, sidomos brezin e ri, panairet dhe aktivitetet e këtyre formateve janë mënyra më e mirë për ta mbajtur gjallë librin dhe letërsinë. Ky panair bashkon autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, dhe ky ka qenë synimi ynë për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale mes tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit te masa e gjerë, e sidomos tek të rinjtë”, – ka thënë drejtoresha e panairit Majlinda Rama.
Në këtë panair do të zhvillohen disa tryeza të rëndësishme shkencore, për Pjetër Budin, Asdrenin, Ali Podrimjen etj, ndërsa do të promovohen dhjetra autorë shqiptarë e të huaj.
Në mbyllje të Panairit do të jepen çmime të rëndësishme për prurjet më të mira të vitit në disa gjini letrare. Juria është e përbërë nga personalitete të fushës së letrave.


