Kështu mund ta quaj, pikërisht këtë libër, që tani bie në dorë të lexuesit. Këtë e them nga njohja e gjatë, vite të tëra, që kam patur me autorin, si poet dhe si njeri. Me të, më kanë afruar mendimet, ndjenjat, qëllimet e jetës, synimet për të arritur diku dhe, në radhë të parë, në letërsi, qoftë në prozë apo në poezi.

Ky poet ka qenë gjithmonë i qartë në çfarë do të arrinte, por tek ai, asnjëherë nuk vërehej ngutja, përkundrazi, siç shprehej vetë ai,  zhytej përpara letrës së bardhë dhe nuk ishte e thënë që gjithçka të mbaronte me një frymë.

Madje më kujtohet një rast, kur në një poezi të tij jam ndeshur, shtatë apo tetë herë, pa u përfunduar dhe me disa variante për ta mbyllur. Në raste të tilla, pas leximit ai më ngulte sytë, pak të hutuar dhe ishte vështrimi ai që pyeste, që kërkonte konfirmim për variantin më të arrirë. Që në fillimet e tij poetike, poeti Xhemal Gora dallohej qartë për nga moderniteti, që do të thotë stili. Siç dihet, atë që është modern, në radhë të parë, e përcakton stili, niveli sintetik, intonacioni i brëndshëm, mundësitë e interpretimit, hapësirat e komunikimit, pasuritë e mjeteve shprehëse, situatat e  përzgjedhura të shprehura me ide të pasura pa tone deklamative dhe pa retorikë. Poezitë shquhen për nga dendësia e informacionit, aksioni apo veprimi brenda subjektit, dendësia e përfytyrimeve dhe mënyra se si ndërthuren, ndjenjat dhe emocionet brenda tyre.

Është një poet i mirëfilltë me intuit të brendshme. Poeti tashmë ka një dritare të vetën, nga ku vrojton botën dhe brenda saj, vetveten. Ja, si shprehet, në poezinë “Lëkura e kohës”:

Kur dëgjoj brenda hungërimës së lakmisë suaj

të shfaqen kthetra bishe,

ti nuk mund ta kuptosh

shtresën e ngricës së akullt

që më qarkullon në brendësi.

 

Dhe ndiej sesi dorëzohen

edhe qelizat e fundit të mendimit,

horizonteve që kam shtrydhur

për të gjetur imazhin e botës

që përfytyroj…

 

Edhe sa  miliona vjet duhen

për  të vrarë kuçedrën

që në shekuj  fle brenda në thellësi?

Ëndrra, shteg i verbër,

mbi lëkurën e vjetër, të shqyer

dhe të pandryshuar të kohës.

Në tërësinë e tyre, poezitë shquhen për nga figuracioni i pasur.

Baza e tyre është metafora.

Stuhitë errësirën shkundin,

drithërojnë,

por tundet dhe tundet një degëz në shpirt,

në fllad dashurish merr jetë, lulëzon,

me buzëqeshje petalesh

si sy përshkëndrit…

Është fjala për shpresën, sepse nga poezia me titull “Shpresa” janë marrë këto vargje. Më poshtë, e shprehur me fjalët tona, poezia vijon për shpresën që kanë vrarë e dhunuar, për të ndyrë dhe për të nxirë, madje edhe varret e hapura nëpër kohëra, shpresa megjithatë çel në gonxhet e saj, si në një degë dafine. Poeti, do apo s’do, lexuesin e ka bashkëpunëtor të afërt, që jeton me të, është dëshmitar dhe pjesëmarrës i padukshëm i ngjarjes, madje ai, sikur e orienton në mënyrë të pakuptueshme, e që, poeti Xhemal Gora, këtë mund ta vërejë dhe mos ta vërejë.

Nga përqëndrimi në këtë numër të madh poezish që përfshihen në këtë vëllim, një gjë mund të themi me siguri, që ato burojnë nga ide të caktuara dhe me një vëzhgim të gjatë, të hollësishëm, duke u futur në një lojë të mundimshme me veten, për të gjetur zgjidhjen më pikante.

Nga një lexim i vëmendshëm i poezive të këtij vëllimi vërejmë një lidhje të brendshme të poetit  me tokën mëmë, (edhe pse, e pengon disi shpërndarja në kohë), aq sa, siç thotë ai te poezia “Kjo iso“ :

“Kur të vdes, i lirisë, një iso dua të jem”

Dhe më poshtë:

 “Shtëllungë e dhimbjes që më ka mbështjellë

dhe të më tresë dëshmive të amanetit,

 gjyqit të perëndive, në orën e drejtësisë.”

Në libër janë të shumta dhe befasuese motivet për prindërit, të afërmit e tij, shokët dhe miqtë me të cilët ka ndarë kafshatën e gojës apo shpirtin. Ja disa vargje nga poezia e përsosur “Brenda meje“, kushtuar figurës universale të nënës:

“…Pakt  i pashpallur nën heshtje midis nesh,

në ndritën e shpirtit,

nga sytë kondensoheshin të gjitha,

kujdesjet, qëllimet, dëshirat, shpresat,

ashtu si veç nëna di,

kur fëmijës i buzëqesh.

Kur s’isha i mbarë,

më digjte ai diell,

dashuria, vështrimet rrufe,

nën gabim përpara teje

edhe kur s’isha fëmijë, me sytë përdhe…”

Janë të shumtë poetët shqiptarë që i ndesh në dhjetra shtete e në të gjitha kontinentet. Nuk po flasim për ata dhjetra, qindra që shkelin në tokën amë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.

Xhemal Gora do të ishte ndër më të shquarit, falë densitetit të mendimit, figuracionit letrar e filozofik, por siç ndodh, jo rrallë, me poetë të këtij kalibri, këta gati – gati  kalojnë në heshtje. Le të jetë, ky botim, një nxitje për të parë ato vlera të mirëfillta, që i kemi përpara syve dhe nuk i shohim.  Librat e mirë janë pjesë e  jetës sonë shpirtërore.

                                                                                                                                       Maku Pone, poet (Korrik 2017)