Mehmet Kraja është shkrimtar me prirje të theksuara për t’u përballur sheshazi me sfida nga përditshmëria, me një ngasje të fuqishme për kundërvënie, me nerv të zgjuar ndjeshmërie, sidomos ndaj lëvizjeve dhe kthesave historike, me natyrë të prirur për ta nuhatur frymën e kohës me të gjithë pulsimin dhe dramacitetin e saj në ecje; me kërshëri për të hyrë në vorbuj e sprova nga më dramatiket, të kaluara dhe bashkëkohore; me shpërthime krijuese të imagjinatës e cila, nga bota reale krijon prozë romanore të klasit të parë. Duke e pranuar sfidën, në këtë rast me botën dhe realitetin e hapësirës shqiptare sot, në rrëfimin romanor të ciklit brenda njëzet viteve të fundit sidomos, Mehmet Kraja në hartën narrative të universit arbëror do të sjellë ciklin historik njëqindvjeçar të shekullit njëzet, me ngjarje dhe bëma të sferës dhe ngjyrimit identitar të shqipes. Romanin e parë Kraja e pat botuar në vitin 1977, në moshën 25 vjeçare, pas studimeve në universitetin e Prishtinës, me pesë-gjashtë vitet e kaluara me frymëzimin e parë si krijues që e ndjen atmosferën e përditshmërisë të qytetit studentor. Lindur dhe shkolluar në Krajë dhe Ulqin, mjedis me popullatë pakicë shqiptare në Mal të Zi të Jugosllavisë, që gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet mbëriti gati në prag të asimilimit, ai vjen në Prishtinën me universitet të sapothemeluar dhe njeh hapësirën shpirtërore gjysmë të lirë të shqiptarëve në epokën komuniste të Titos.

Kraja do ta vazhdojë këtë periudhë të parë krijuese deri në mbyllje të shekullit njëzet me shtatë romane, kryesisht me brumë historik rilindës, pas së cilës do të pasojë faza e dytë e krijimtarisë romanore, që përputhet edhe me fundin e epokës nën robërinë serbe, përkatësisht me vitin 1999. Faza e dytë, ajo e pasçlirimit, me sagën romanore deri më sot, është faza e pjekurisë krijuese që njëkohësisht e mban të zgjuar dhuntinë e shkrimtarit për të lëvizur dhe për t’u lakuar sprovave dhe sfidave më të rëndësishme, kthesave dramatike të ngjarjeve historike më të rëndësishme dhe më vendimtare për Kosovën gjatë një shekulli, që vazhdojnë dhe janë në kulmin më vendimtar edhe sot. Krajën e tërheq fuqishëm përditshmëria në fazat më të rëndësishme historike, politike dhe shoqërore, si në letërsi, ashtu dhe në publicistikë, fushë ku ai gjithashtu shkëlqen. Gati se nuk mund të kalojë ngjarje me rëndësi në Kosovë dhe hapësirën shqiptare, ku të mos dëgjohet zëri i tij. Elegant e i rreptë sidomos në polemika me fenomene dhe oponentë, edhe si shkrimtar edhe si publicist Krajën e përthithin fuqishëm çështje nga më të rëndësishmet për të sotmen dhe të nesërmen e vendit, të kombit, ekzistencës, të qenies dhe identitetit, të lirisë dhe nënshtrimit, erëra dhe stuhi marramendëse që e mbajnë mbërthyer Kosovën e fundshekullit njëzet dhe që po galopojnë në rritje gjatë dy decenieve të kaluar. Sa më e egër qeverisja e hapësirës, për të cilën bën fjalë proza e Krajës, sa më të etshëm dhe të babëzitur pushtetarët e çlirimtarët, sa më e varfëruar popullata, aq më e stepur gjallëria, guximi për të folur, për të rezistuar. Prandaj në situata të tilla nënshtrimi, zëri i tij shpesh vjen si zë i vetmuar në shkretëtirë. Mehmet Kraja në romanin e tij të radhës “Prishtina” sjell fillimin e historisë së një kryeqendre, të një kryeqyteti të lirë për herë të parë.

Qershori i vitit 1999 shënon pikërisht këtë nisje të fillimit të kësaj historie. Borgesi thotë se vetëm vendet e reja kanë historinë e vet, në kuptimin e një autobiografie si kujtim historik. Në qershorin e fundit të shekullit bashkë me kolonat e autoblinduara të NATO-s dhe aradhat e UÇK-së në Prishtinë u derdhën një milion refugjatë, që po hynin për herë të parë në qytetin e çliruar. Dhe pikërisht këtë fillim historik e sjell ditari i një personazhi, shkrimtar i ri, tani të romanizuar me titullin “Prishtina” Ky shkrimtar narrator në mesin e kësaj shpure, me të shkelur në qytetin tani të lirë do shënojë në ditarin e vet ditët dhe javët e tetëmbëdhjetë muajve në vijim. Këto shënime, që vënë themelet e një historie të një kryeqyteti për herë të parë në jetën e tij të lirë, autori i romanit na i sjell rreth njëzet vite më vonë. Lexuesi kujton ose përfytyron ditët që vënë themelet e një historie, nga perspektiva që tani ka njëzet vjet shtat dhe moshë të kaluar historike, distancë kjo që e bën të veçantë dhe dramatik leximin e këtij ditari të romanizuar. Mbështetja e rrëfimit romanor tek ditari, përgjithësisht i lejon krijuesit komoditet dhe hapësirë perspektive, me këtë rast, edhe si dëshmi që ka vërtetësinë dhe bindshmërinë e ngjarjes, vulën e kohës; gjithnjë në këtë synim, vë në funksion kohë-gjeografinë brenda një kornize qartësisht të përcaktuar. Kjo poetikë narrative, mbështetur edhe në argumente faktografike, fuqizon besueshmërinë e pranisë së personazheve të vërtetë, ngjarjeve reale historike, emërtimeve, datave, i nënkupton mes tyre fragmentet e heshtura të kategorive kohë dhe hapësirë, duke i vendosur ato në një sfond real.

 

Duke përmbledhur brenda një korpusi romanor personazhe dhe ngjarje dramatike të kohës, të shtrira me komoditetin që ofron poetika përzgjedhëse e ditarit, ecuria shkallë-shkallë e rrëfimit me këtë rast, drejt synimit të vet kryesor, arrin ta përqendrojë vëmendjen e lexuesit drejt ndjesisë shtyllë: praninë e munguar të lirisë. Vjen fare natyrshëm, krah kësaj poetike, krah dëshmive të mbështetura, zhgënjimi i madh i ëndërrimtarëve të lirisë së plotë. Rrëfimi i drejtpërdrejtë që përmes hollësive dramatike, tendosjes së atmosferës, frustrimit dhe apatisë tek personazhet, si ogur dhe parandjenjë e ndehur kudo e pezull, në dorën e autorit Kraja këmbëngul, nga faqja e parë e deri në fund për ta bërë të prekshme dhe për të gjetur farën e kësaj shijeje kakofonike, të pasigurisë që bindshëm shkel drejt zhgënjimit dëshpërues në fund të rrëfimit romanor…Të theksojmë edhe njëherë se koha dhe hapësira në këtë roman janë përbërës aktiv të rrëfimit. Njëqind vitet arbërore në sagën romanore të këtij autori, janë dëshmi e një natyre krijuese të qëndrueshme në parimin dhe filozofinë e krijimtarisë letrare. Vendndodhjen e ngjarjes autori e vë në ballë, pa lënë shteg për përfshirjen e hamendësive të lexuesit. Hapësirën kohore në romanin “Prishtina” e sjell gati me saktësi ditësh: ditën e parë të çlirimit të Kosovës në ditarin e vet narrativ, dhe e sjell deri në fund të vitit dymijë, që i bie rrafsh tetëmbëdhjetë muaj. Koha dhe hapësira,personazhet e përfshira – disa syresh me emër e mbiemër, shumica me gjysmë emri apo iniciale, që lexuesi sot mund t’i identifikojë fare lehtësisht, janë shtylla bartëse të kësaj poetike narrative. Narratori që është njëri nga qindra mijëra refugjatë lufte, të cilët kthehen e derdhen lumë në qytet, edhe ky në mesin e tyre, në krah të NATO-s dhe autoblindave të tyre, do të gjendet në Prishtinë. Narratori me këtë rast është i veçantë, meqë paralelisht vjen edhe si personazh, do të thoshim personazh kryesor që përzgjedh dhe regjistron takimet me personazhe të tjerë, që nxit dhe nxitet nga ato takime, sjell përshtypje ngjarjesh e bisedash rrugëve, lagjeve dhe ndejave të qytetit dhe tërheqja në vetmi pas krejt atij vorbulli bëmash për të përtypur kuptimin dhe moskuptimësinë e botës, njeriut, ekzistencës, gjithnjë ngasje e krejt asaj katrahure me nuanca absurde, duke nxitur dhe shtruar pyetje mbi moralin, sundimin, dhunën, krimin. Të gjitha këto në shesh të hapur, të paretushuara, pa maska, pa shenja e shenjëzime orientimi të tërthortë… E padukshmja ndërsa është shtrirje e ndehur mbi to, që nuk arrin të depërtosh shikimin përtej, atë, të padukshmen që ndehet si një pritje-mospritje, si mungesë gëzimi që do ta sillte liria. Pikërisht atë rreket ta prekë autori gjatë gjithë rropatjeve që lidhen me fenomenin liri e robëri, që lidhen me fenomenin nënshtrim dhe refuzim, fenomenin e ëndërrimit dhe zhgënjimit. Është pikërisht ky fluid mbi hapësirën shqiptare prishtinase, një fluid që nuk është as gëzim i plotë, as dëshpërim i plotë, as besim as mosbesim, as dritë as terr, por të gjitha bashkë, që si një lëmsh i mjegullt, i lëngshëm që sillet askund e gjithandej dhe që të ngjitet pas trupit dhe të futet ndër dej….. Nga vjen, ku e ka burimin dhe për ku synon kjo ndjesi, kjo ndjesi për lirinë e sjellë të gatshme, ndoshta për lirinë e pamerituar, për lirinë e vonuar, për lirinë në troll të papërgatitur, dhe hamendësisë që sillen rrotull e nëpër mendje, e asnjëherë të qartësohen.

Romani “Prishtina” edhe pas ditëve të para të fushatës, ndjek binomin çlirimtar UÇK-NATO, njësoj si tek romani i parë i kësaj sage “Edhe të çmendurit fluturojnë”. Edhe kësaj here, ditari i shkrimtarit hapet me hyrjen e tyre në qershorin e vitit 1999 dhe mbyllet me vitin vijues, 2000. Sfida tani, me romanin më të fundit, “Prishtina” nuk vjen metamorfozë alegorie e largët, si tek romani “Edhe të çmendurit fluturojnë”, por përmes poetikës narrative mbështetur në “dokument”. Është narratori shkrimtar që gjatë ditëve të qershorit të vitit 99, që, si të gjithë refugjatët kosovarë që derdhen nga të gjitha hyrjet e qytetit drejt shtëpive dhe vatrave, shumica gërmadha dhe djegurina, i cili përballet në të njëjta rrethana të qytetit të vet dhe Kosovës. Personazhe dhe bëma në roman, të regjistruara në kujtesën e lexuesit edhe si kronika të arkivuara brenda harkut kohor të kornizuar, kalojnë nëpër filtrin e mullirit krijues të mirënjohur të poetikës narrative të Mehmet Krajës. Distanca e pakët e perspektivës kohë nga ditët e ditarit deri në zbardhjen e tij, në rrëfimin romanor kësaj here artikulohet natyrshëm dhe me besueshmëri artistike të qëndrueshme. Fryma bosht që e përshkon rrëfimin e romanit “Prishtina” është Kosova e lirë, liria në Kosovë që është dhe nuk është. Nisur nga pritshmëritë refugjatit narrator dhe shkrimtar, por edhe perceptimi nga të njohurit dhe të panjohurit që takon dhe komunikon ai, liria sikur nuk i përngjan asaj së ëndërruarës. Dhe vihet në kërkim të kësaj ndjeshmërie të turbullt, pezull, dhe konfuze. Kjo në të vërtetë është edhe ngasja e lexuesit, që duke ndjekur gjurmët e shënimeve në ditarin e narratorit mbetet gjatë gjithë leximit me shpresë se do ta prekë, do ta zbërthejë këtë fluid të nënqiellit kosovar. Lexuesit i ofrohet mundësia të bredhë imagjinatës bashkë me kthimin e më se një milion refugjatëve të dëbuar, të një milion humbësve në këtë betejë, një milion të mbeturve me barrën e terrorit dhe dhunës së përjetuar, të bredhë me varrën e rreth pesëmbëdhjetëmijë të vrarëve e dhjeta mijë të dhunuarve, mbi të cilat vjen dhe vendoset në kryeqytet liria, që nuk mund të përjetohet pos si dëshpërim e plagë e hapur, si burim i lirisë së çalë. Të gjitha këto së bashku përbëjnë profilin e jashtëm të Prishtinës gjatë ditëve dhe javëve nga qershori 99 për 18 muajt e ditarit. Rrëfimi ndërsa vihet në kërkim përtej së jashtmes, të peizazhit të dukshëm. Ai këmbëngul, sa nga rrëfimet dhe bëmat e të gjithë përbërësve e mozaikut narrativ, nga i tërë korpusi në funksion, e në veçanti përmes përsiatjeve që janë faqet më të fuqishme të rrëfimit, të përkapë rrugët e zhgënjimit më të madh të hapësirës Prishtinë… I përmenda telegrafisht disa nga segmentet e shiritit kohor, duke u kthyer te romani “Prishtina”, për ta lexuar atë nga një dritare dhe perspektivë plus, nga një dritare të sjellë të ne me vonesë, për ta bërë të qartë mbase edhe parandjenjën e autorit për lirinë jo të plotë dhe të zymtë që përjeton Prishtina dhe Kosova sipas ditarit letrar të Mehmet Krajës.

Është sa liria e sjellë nga ndërkombëtarët, që Kraja e paralajmëroi edhe me romanin e parë “Edhe të çmendurit fluturojnë” mbase parandjenjë e intuitë krijuese kjo që do të shtrihet reale, konkrete brenda harkut kohor tetëmbëdhjetë muajsh të Kosovës së lirë. Dhe prapë ky binom çlirimtar thua se në heshtje do vendosin një si pakt mes vete – na paralajmëron Mehmet Kraja, për ta mbërthyer nën pranga të ethshme korruptive Kosovën. Autori anonim i cili, ashtu siç del nga teksti por edhe nënteksti, siç del nga rreshtat por edhe mes rreshtave, i di të gjitha këto që i dëgjon dhe i sheh çdo qytetar, pra edhe çdo lexues, por di edhe më shumë se kaq. Dhe kur i mbledh të gjitha bëmat publike korruptive me ato të nëntokës, me ato të brendshme dhe përtej Prishtinës dhe Kosovës, nuk mund të pritet një rrëfim romanor shpresëdhënës dhe optimist, as në “Prishtinën” e Mehmet Krajës, i cili tërë këtë atmosferë e sjell në rrëfimin romanor që të lë pa frymë. Është një rrëfim i rëndë, gati i zhveshur nga çdo iluzion, është një skelet tmerrësisht lakuriq në mjerimin dhe varfërinë e vet, pos ndonjë shkëndije aty-këtu për të buzëqeshur herë pas here e që zhduket në thellësinë e territ. Lexuesi mbase do të priste një ditar plot entuziazëm, të paktën gjatë ditëve të para, me brohoritje dhe shpërthime emocioni deri lumturore për lirinë që valëvitet për herë të parë rrugëve, lagjeve, shtëpive të Prishtinës, që do të valëvitej syve dhe fytyrave ndër qytetarë, e që nuk i gjen. Në fillim me gëzime të vakta apo gjysmake, dhe që me kalimin e kohës ato bëhen ndjesi të qarta, të theksuara zhgënjimi dhe dëshpërimi, dikur deri në refuzim dhe rebelim dramatik. Dhe lexuesi do të pyeste mos vallë ishte i pa përgatitur autori, përkatësisht personazhi i ditarit, për ta pranuar, për ta jetuar lirinë, frymën, shijen dhe kuptimin saj, njësoj si shumica e bashkëqytetarëve për të cilët ajo ishte e pakapshme, e pakapshme si kohë e nesërme…
Kryepersonazhi narrator i romanit “Prishtina”, i cili i bie pash më pash qytetit brenda harkut kohor qershor 1999 – dhjetor 2000, e nis pelegrinazhin e vet dhe ecën si nëpër një purgator, në drejtim nga ferri drejt parajsës, ngjashëm me vizionin ëndërrimtar të shumicës së refugjatëve. Të tillë të paktën sikur e ka gjetur veten, ose i duket sikur e ka gjetur veten, si i kthyer në vatrën e vet, në shtëpinë e vet, pa u zmbrapsur, edhe pse pragun e saj e gjen të përmutur nga pushtuesi, ai do ta shkundë nga pluhuri dhe do ta veshë kostumin më të mirë, më solemn që e gjen në banesën e dhunuar. E shmang e shpërfill edhe ndjesinë, ndjenjën se as veshja nuk ndjehet mirë në trupin e tij e as trupi në të.

Të gjitha këto detaje nuk janë të peshës që mund t’ia davarisin plotësisht pritshmërinë. Dhe në këtë gjendje ati i zë syri ca shënime të hershme nga ditët kur bënte edhe kritikun, recensentin e gazetarit në shtypin e qytetit, gjithë në frymën e një qëndrimi të ashpër kritik, e tashti do t’i bëjë shuk dhe do t’i hedhë në koshin e mbeturinave, dhe ironikisht duke e bindur veten: “Nuk kisha asnjë nxitje,asnjë motiv që të merresha me gjëra të tilla. Mendimi kritik është mendim negativ, ai nuk i shërben lirisë dhe nuk i bën njerëzit të lumtur”. Kështu heq dorë dhe i bie mohit për të bërë një histori letrare dikur, ku kishte përfshirë emra që nga Naim Frashëri, Konica, e deri tek Azem Shkreli e Ali Podrimja, me nga një sigël tejet therëse për secilin, mbase një peng i kritikut të dikurshëm për një vepër të tillë, që gjithsesi do të ishte sfidë dhe në përputhje me një prirje të tillë të Krajës edhe si romancier por edhe si polemist. Edhe me këtë rast sa më thellë depërton shikimin e tij në lëmshin e pleksur të përbërësve kakofonik të qytetit, rrëfimi vjen e bëhet më rebelues në kritikë, bëhet më pesimist në vizionin për të nesërmen, si ecje jo drejt parajsës po drejt ferrit. Brenda njëzet e katër kapitujve, aq sa ka romani “Prishtina”, ai i pesti m’u bë sikur shfaqet më i arritur për të qenë shkalla e parë e zhgënjimit. Duhet të kenë kaluar diç pak më shumë se një vit nga zbarkimi ndërkombëtar i lirisë në qytet. Është një si gjysmë takimi mes shefave të UNMIK-ut, pra administratës ndërkombëtare, me shkrimtarët e kryeqytetit, një si gjysmë takimi letrar ose orë letrare, një si darkë e ndejë, në një restorant të periferisë së Prishtinës.

Ajo që përthur me këtë rast portretin kolektiv, zërin e kësaj mbrëmjeje letrare, vjen si një improvizim grotesk, në thelb banal, me një individualitet të shpëlarë, pa fije origjinaliteti, që meriton ironizimin e skajshëm të shkrimtarit. Por e veçanta në këtë fragment, veçanërisht domethënës për ta ndjerë fillin e shkrimtarit Mehmet Kraja drejt cakut dhe për ta parë drejt në sy një të vërtetë që mund të shënojë shkallën më dramatike të zhgënjimit. Kështu, dikur nga fundi i këtij takimi, narrator-shkrimtari i ditarit i afrohet një administratori më të lartë ndërkombëtar në Prishtinë, zotit Gonzalo, për t’i bërë një si sugjerim: “Zoti Gonzalo më lejoni t’ju them se tani mund të jetë koha e përshtatshme që misioni i OKB në Kosovë të fillojë me projekte kulturore, ndonjë shfaqje në teatër, ekspozita, koncerte, në Pallatin e Rinisë është një piano, nuk e di nëse e keni parë. Zoti Gonzalo kthen kokën nga unë vetëm pak dhe prek me majat e gishtërinjve gotën e kristaltë. “Ju vërtet mendoni se ne jemi këtu për shfaqje teatri dhe gjepura të tilla? Nuk më besohet se jeni kaq të marrë! E dëgjova edhe atë rrëfimin tënd patetik për ëndrrën e qenit, me ca aluzione e metafora të mjegullta. Po kujt i hyjnë në punë?!” Zoti Gonzalo nuk e fsheh se prania ime e bezdis. Në dritaren përballë perdja e kafenjtë ka shkarë pak anash dhe nga një cep i saj nata ngërdheshet me fytyrë idioti. – “Ne jemi këtu që t’i pallojmë gratë tuaja, ja, për këtë kemi ardhur! Ky është çmimi që duhet të paguani për lirinë tuaj të dhjerë!”….(faqe 76-77).

 

Si një lajtmotiv i këtij romani me zë, në daçi edhe roman politik, si një përcaktim jetësor dhe filozofik i autorit, që shtrihet gjatë gjithë treqind e pesëdhjetë faqeve, qëndron një sentencë e njeriut më të mençëm të njerëzimit, filozofit Sokrat, i cili dymijë e pesëqindqind vjet përpara do të thoshte: “Diktatura që mbështetet dhe ushtrohet nga pushtetet demokratike, pra nga shumica e votave, është më e rëndë se sa padrejtësia e sistemeve despotike”. Dhe thuajse në të njëjtën valë mendimi filozofik, një dëshmi e ngjashme do të vijë edhe nga filozofi i lindjes së largët, Konfuçi, gjithashtu i shekullit të pestë të para erës së re, pa ditur për njëri tjetrin. Ky i fundit do të thotë: “A mundet një njeri i poshtër të shërbejë në qeverisje? Jo! Ai shqetësohet për marrjen e një diçkaje (sidomos pushtet) dhe menjëherë pasi është vënë në zotërimin e kësaj ai shqetësohet vetëm për mundësinë e humbjes.” – i porosit bashkëkombësit e vet filozofi, dhe shton më tej: “I vetmi test për një sundues të mirë është ai i suksesit në rritjen e mirëqenies së njerëzve të zakonshëm”. Kështu dy mijë e pesëqind vjet më parë një nga mendimtarët perëndimor dhe një i lindjes së largët kanë veçuar si fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit sunduesin e lig. Dhe ajo që është më e rëndësishme cila është rruga për ta zgjuar nga përgjumja nënshtrimin e njerëzve ndaj despotit, i cili pasi e merr gjënë e lakmuar i nënshtron gjatë, shpesh deri në pafundësi, të sunduarit. Këtë lëmsh rreket të shtjellojë Mehmet Kraja në romanin “Prishtina”: Mirë që qyteti, kryeqyteti dhe Kosova pranuan që symbyllur ta sjellin kastën sundimtare, ligësinë, por pse gjithë ky nënshtrim në heshtje kolektive? Ditari i shkrimtarit kësaj here nuk është pa përgjigje, por skeptik dhe i dëshpëruar për të besuar ne një mundësi të tillë… Prandaj rrëfimi romanor “Prishtina” vjen sfidë e madhe për të ardhmen.