*Fjalë e mbajtur përpara kryesisë së Kuvendit Popullor të Shqipërisë me rastin e “Vitit të gjuhës shqipe”
Me përgëzimet e falenderimet për organizatorët e kësaj tryeze, nuk do
ta shihja të tepruar të thoshja se rëndësia e çështjes për të cilën do të flitet, kapërcen çdo pengesë a ndarje e secilës formë qoftë, paqton e vë bashkë në një radhë të gjithë, qytetarë,
politikanë e studiues. Binomi gjuhë – identitet, përbën ndoshta një nga pikat më të diskutuara në nivel ndërkombëtar veçanërisht në frymën e globalizimit, por po aq në nivel kombëtar, midis nesh, ku tubime edhe të kësaj natyre janë një ftesë e fuqishme për të bërë një shqyrtim të ndërgjegjes tonë, por gjithmonë përmes kritereve rigorozisht shkencore, përmes syzeve të fakteve historike, kërkimeve objektive, larg çdo fryme populiste.
Nëse pyetjes “kush jam unë” i shkon përkrah pyetja tjetër “cilët jemi ne”, na vë përballë dy
dimensioneve të ngërthyera njëra me tjetrën që janë përkatësisht identiteti individual e ai kolektiv. Secila qenie njerëzore e formëzon “veten” e vet në brendësi të një shoqërie e kulture
specifike, por pika më komplekse mbërrihet tek pyetja e dytë: cilët jemi ne shqiptarët, evropianë, bij të shoqërisë perëndimore, lindore? Shkurt, ku konsiston identiteti ynë? Termi identitet, në zanafillë nga greqishtja e vjetër por i rimarrë në latinishten e vonë nga idem (dmth “i njëjti”), identitas shfaqet në fakt në shekullin IV dhe i përket plotësisht sferës së shenjtërisë, fesë, teologjisë; a ishte Krishti i të njëjtës substancë me Atin e Shenjtë? Mbase Ciceroni e Seneka nuk do ta kishin kuptuar domethënien e një pyetjeje të tillë mbi identitetin e tyre romak. Qe filozofi gjerman Johann Herder që në gjysmën e dytë të Shtatëqindshit shkroi se gjeniu i gjuhës është edhe gjeniu i kombit. Kjo shprehje e tij u shndërrua në leitmotivin e lëvizjeve indipendentiste e nacionale të kohës, u bë ngjitësja për herë të parë e dy koncepteve, gjuhë dhe identitet. Është jashtë çdo diskutimi që në amzat identitare që shërbyen për të legjitimuar kombet që po lindnin, gjuha ishte një nga faktorët më të qenësishëm e rëndësishëm. E në fakt, kultorët e historisë klasike e njohin mirë lidhjen midis nation – të lindesh bashkë – dhe të krijosh një komunitet të përbashkët që shkon baraz kjo e fundit me: të flasësh të njëjtën gjuhë.
Gjuha shqipe në një rrugëtim të lashtë të sajin, mbart gjurmët që e shenjuan, por mbi të gjitha
mbart e sendërton konstitucionin mendor e shpirtëror të kombit tonë. Përtej shkollave të
mendimit mbi bashkëlidhjen e ndërsjellë gjuhë e identitet, të cilat kanë patur dhe kanë
këndvështrime të ndryshme, mbi të gjitha mjafton mendimi i sociologut të spikatur të kohëve
tona, Zygmund Bauer, i cili identitetet i sheh të lëngshme, gjuha qëndron si gur miliar e
përbashkues i një komuniteti, edhe i kombit shqiptar. E shenjuar nga kërcënimet reale në
historinë e saj, madje deri aty ku mund të mendohej se mund të zhdukej, ka shfaqur një
rezistencë e reziliencë unike. Por nuk është thjesht gjuha që qëndron e tillë. Janë folësit e saj,
ose më mirë të themi, është vullneti i tyre që mban, forcon e pasuron një gjuhë. E ky vullnet
shekullor e ka shpërfaqur veten rregullisht. Nëse jemi këtu sot për të folur a kremtuar edhe
vitin e gjuhës shqipe, një nismë ngazëllyese për mua, është falë vulllnetit të ndërgjegjshëm të
disa të përndriturve të historisë sonë. Por na duhet të kuptojmë që ndërgjegjësimi për vlerën e
pacmueshme të gjuhës amtare, nuk vjen as përmes retorikave boshe, as përmes fryrjeve të një
lashtësie të saj. Më së pari qëndron në trajtimin e saj me respekt sublim. Sublimiteti presupozon kategoriken, hyjnoren, mbase? Po, i tillë duhet të jetë.
Kjo presupozon rikthimin e prestigjit të saj, duke filluar nga vendosja në mënyrë kategorike e kësaj disipline në bazën e cdo shkolle, duke vazhduar në masat e marra ndaj ruajtjes së saj e duke vijuar me përgjegjësinë e secilit institucion publik. Matrica e shqipes i përket traditës të të diturve, nga Buzuku, Budi e Bogdani. Përbashkim e diversitet, një binom që bashkë me historinë e saj mund t’i sjellë vërtetë dicka të rendësishme Evropës, sepse i njëjti parim është vendosur edhe në themelet e ekzistencës së saj. Dy dialektet tona nuk paraqesin një ndarje kaq të fortë që të arrijë në moskuptim. Tek këto të fundit qëndron edhe plazmimi i gjeneratave të tëra, rreth këtyre gjuhëve (sepse dialekti është gjuhë) është ndërtuar edhe mendimi kombëtar. Ndaj me përkujdesjen më të madhe, të ruajmë xhevahiratet e gjuhës që janë dialektet, të folmet lokale, por duke mbajtur parasysh që prestigji i një gjuhe qëndron tek gjuha e normëzuar, gjuha letrare.
Dialektet mbartin vlerën e pazëvendësueshme të thelbit të shqiptarëve, por nuk janë të
“stërvitura” të debatojnë mbi tema të mëdha, as mbi Hegelin – thotë Umberto Eco.
Gjuha është një organizëm i cuditshëm që i bindet ligjeve të veta, pavarësisht vullnetit të atij
që e flet. Nëse cështja e shqipes rishtrohet me murmurima, apo me zëra edhe inkompetentë
nga ana e popullit, do të thotë që ky zë duhet marrë në konsideratë. Nuk kemi as pse
trembemi, por as nuk mund të kultivojmë idolatrinë ndaj lashtësisë apo jo, e as ndaj të kaluarës duke e idealizuar atë. Motivet e krenarisë tonë e të besimit për gjallërinë e rezistencën e saj, mund vetëm t’i konkretizojmë me impenjimin serioz për të përfunduar atë cka ka mbetur pa u bërë. Uniteti është imperativi. Serioziteti po aq. Serioziteti i bashkuar me ndërgjegjësimin e secilit qytetar të thjeshtë e aq më shumë institucion, sepse vetëm kështu mund të vetëdijësohemi për fatin e lumë që kemi patur. E në këto raste, më lejoni, unë gjej përgjigjen, frymëzimin e motivimin tek vargjet e Mjedës në poezinë “Gjuha shqype”, kushtuar albanologut Gustav Meyer (Krakov 1892).
Por gazmô nder gjith kto t’vshtira
Persè endè s’ sharrove krejt’
Diçka t’mbet nder ato t’mira
Mbas dy mij e ma shumë vjet.
T’ka mbet giuha qi po ndihet
N’fush e n’mal qi i zotnon;
Gjith’ku hija e jote shtrihet
Kû shqyptari zân e lëshon.