BEHAR GJOKA / Dialogu për gjuhën, materien që ka mbajtur dhe mban gjallë gjenin arbnor, nëpër shtjellat e kohës, së pari ka nevojë të jetë i gjithëkohshëm dhe gjithëpërfshirës.

Kur them i gjithëkohshëm, do të thotë që para së gjithash të shmanget fushatizmi, vrulli emocional, dhe nxitësit e mbushjes së vakumit aktual, në shkallën më të lartë të përkujdesjes ndaj vlerës më të jashtëzakonshme të ekzistencës dhe mbijetesës së qenies shqiptare. Po kaq rëndësi, në debatin e përjetshëm për gjuhën, ka aspekti gjithëpërfshirës, pa lanë asgja mangut, pra folësit e gjuhës shqipe, kudo që jetojnë, shkrimtarët dhe përkthyesit, ose lavruesit më të zellshëm të shqipes së shkruar dhe gjuhëtarët, që pa mëdyshje e studiojnë procesin, kodifikojnë dhe normativizojnë ligjërimin e shkruar dhe të folur.

Ndërkaq në ligjërimin e shqipes, nga njëra anë jemi të barabartë, kurse në sprovat e ligjërimit, si shkrim letrar dhe shkencor, janë kontributet e dhëna, me kërkimin shkencor dhe lavrimin e letërsisë, të cilat përcaktojnë vendin dhe rolin e secilit prej këtyre faktorëve, jetikë për ekzistencën dhe kultivimin e gjuhës shqipe, edhe në kohët moderne, që rrezikohet në mënyrë të veçantë prej bjerrjes së leksikut, mbase edhe të strukturave sintaksore, në frymën mbizotëruese të globalizmit, që gjuhët amtare i vë në zgrip ekzistencial. Kontradikta e ligjërimit të folur të shqipes, qysh në prehistori, dhe shkrimit të saj më vonë, përbën një nga çështjet më të rëndësishme që do të kërkonte gjurmime dhe hulumtime të zgjeruara.

Në fjalën time, që kërkon të shtohet kujdesi ndaj shkrimit të shqipes, me gjasë të mbërrihet në një ligj që mbron gjuhën shqipe, me të gjithë përbërësit e vetë, si njohës, lexues dhe studiues i letërsisë shqipe, shkurtimisht do të ndalesha të shqipja e shkruar, pra të koha e faktuar e shkrimit të saj, që është po kaq edhe një pasqyrë e vlerave letrare, të endura në kohë dhe hapësirë. Vështrimi shkurtimor, mbi të mbërrimet gjuhësore dhe letrare, të gjuhës shqipe, kryesisht për vendosjen e ligjërimit të shkruar, në rrethanat dhe kontekstet e gjëllimit të saj, po i paraqes, në dy rrafshe:

A – Niveli diakronik, ku qartë sisht ndeshim fillesat e shkrimit të shqipes, por edhe dëshmitë e shenjave letrare, të pranishme në gjurmët e para. Në mesin e gjurmëve diakronike, do të theksoja:

– 8 nëntor 1462, shkruhet “Formula e Pagëzimit”, e Pal Engjëllit, ku bie në sy trajta “shpertit”, që simbas Çabejt si ligjërim ekziston në krahinën e Matit.

– 1555, botohet libri i parë në gjuhën shqipe, që është zbuluar gjer më tani, “Meshari” i Gjon Buzukut, që nxori nga mugullimat e kohërave gjuhën shqipe, sipas Eqerem Çabejt, dhe shpalli identitetin e shqipes së shkruar. Ky libër, bashkë me librat e L. Matrëngës, P. Budit, F. Bardhit, P. Bogdanit, e gjer të Gj. Kazazi, konfirmon etapën e parë të shkrimit të shqipes, njëherit aty ndeshet edhe prania e vlerave letrare. Për shumë kohë, kësaj periudhe, të letërsisë së shekujve të 16 dhe të 17, i janë njohur vlerat historike dhe gjuhësore, por padrejtësisht për të, janë heshtur vlerat letrare. Kjo etapë, që ndërkohë përkon me praninë e librit “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht nga Marin Barleti, u botua për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510, e cila botërisht është pranuar si një vepër humaniste, kurse letërsia e hershme shqipe, më së shumti lidhet me rrethanat e kundëreformacionit, si dhe në një kuptim, si akt i lejimit të gjuhëve amtare, në ceremonitë fetare dhe në shkrimin e librave në këto gjuhë, përfaqëson një zgjatim të Renesasës, pra të Rilindjes Europiane.

– Në vitin 1836, botohet poema “Milosoa” e Jeronim De Radës, e cila shpesh herë emërtohet si fillimi i letërsisë së mirëfilltë, sikur ndër në paska edhe letërsi jo të mirëfilltë. Paradoksi i leximit fetar dhe antifetar të periudhës së parë të letërsisë shqipe, lë në harresë disa shekuj të shkrimit letrar në gjuhën shqipe. Poema e De Radës që nis me vargun lapidar: “Erdhi dita e Arbrit!”, e cila shqipton aktin përlindës të atdheut që pati humbur për kaq shekuj në natën e gjatë osmane. Thirrjet e Naim Frashërit, në poemat “Bagëti e Bujqësi” dhe “Historia e Skënderbeut”, nga njëra anë identifikojnë fatin e shqiptarit, në anën tjetër rrënjët ekzistenciale të botës arbnore, i lidhin me Motin e Madh, me bëmat e kryetrimit Gjergj Kastriot Scanderbegut.

B – Niveli sinkronik, që zë fill me 14-26 nëntor 1908, koja kur mbahet Kongresi i Manastirit, që pati si objekt unifikimin e morisë së alfabeteve të gjuhës shqipe, pas pak vitesh, të pranimit të dy alfabeteve, më në fund kalohet në pranimin e alfabetit latin, që i vuri themele të forta shkrimit të gjuhës shqipe. Në këtë kohë spikat prania e At Fishtës, që me poemin “Lahuta e Malcis”, një vlerë e përveçme gjuhësore, letrare dhe atdhetare, si dhe roli i pazakontë për të shkuar të ngrehina e alfabetit të gjuhës shqipe, si përfaqësues i shkollës françeskane. Ndre Mjeda, në mënyrë të veçantë, me poemin “Andrra e jetës,”, që me praninë e tij në Kongresin e Manastirit, si model i shkollës së jezuitëve. Fundshekulli i nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzet, solli në skenën e letrave shqipe figura të ndritura si F. Konica, Z. Skiroi, A. Z. Çajupi, Asdreni etj. , që me veprat e tyre pasuruan pentagramin e gjuhës dhe të shenjave letrare të shqipes.

-Më 1 shtator 1916, në Shkodër themelohet Komisia letrare, që sugjeron mundësinë e gjuhës zyrtare, me bazë elbasanishten, si një nëndialekt i përafërt gjeografikisht me tokskërishten, që kishte në bazë gegnishten. Në pjesën e parë të shekullit të njëzet shfaqen figura të shquara në letërsinë shqipe, si Fan Noli, Ernest Koliqi, Dhimitër Pasko, Lasgush Poradeci, brezi i shkrimtarëve të viteve ’30, që pati si uragan të pandërprerë, Migjenin.

– Më 2 nëntor 1972 mbahet Kongresi i drejtshkrimit, që kishte për objekt drejtshkrimin e gjuhës shqipe, duke vënë në bazën e saj toskërishten, që ka bërë një rrugë të gjatë. Në këtë periudhë, spikatet krijimtaria e I. Kadaresë, R. Qoses, D. Agollit, F. Arapit, që futet në hullinë e njësimit, por ndeshen edhe kahje të ligjërimit të gegnishtes, në veprën e gjerë letrare të M. Camajt, në shkrime të A. Pipës, në shkrimin me variantin e gegnishtes dhe të gjuhës së njësuar nga ana e A. Pashkut, por lëvrohet edhe letërsia e disidencës me krijimtarinë e Mysine Kokalarit dhe të Kasëm Trebeshinës, e ndonjë tjetri.

Vihet re që në mes diakronisë dhe sinkronisë, në aspektin gjuhësor, ka një ekuilibër, gati të pashmangshëm, ku sinkronia nuk asgjëson diakroninë, e nga ana tjetër kjo e fundit, kurrsesi nuk pengon zhvillimet sinkronike. Gjuha shqipe, është një pasuri shpirtërore e jashtëzakonshme, po kaq është limfa përbashkuese e botës arbnore/shqiptare, në kohë dhe hapësirë. Gjuha shqipe, është tregues identiteti, por edhe shenjë kulturimi, për individët, institucionet, e në mënyrë të veçantë për ata që e kthejnë atë, në një shpirt të gjallë, ligjëruesit e shqipes, shkrimtarët dhe përkthyesit, lavruesit e shqipes së shkruar, e po kaq për gjuhëtarët, që masin dhe kodifikojnë procesin e “gjëllimit” të shqipes, në të folmet e ndryshme, si dhe në praktikën e gjerë të shkrimit letrar, si dhe kodifikojnë procesin e unifikimit, pa përzënë larminë e pranishme në detin e shqipes.

Gjuha shqipe është një sistem ku përfshihen rrugët që e sollën shqipen në këtë nivel ligjërimi, pra diakronia dhe sinkronia, duke mbetur e hapur ndaj rrjedhave të shqipes, të folmeve, dialekteve, pra tashmë nuk ka gjasa që të ngrihen diga penguese, që ndërpresin zhvillimin organik të gjuhës shqipe, e mbi të gjitha përthajnë laryshinë e shprehësisë letrare, të gjuhës dhe letërsisë. Martin Hajdeger, në mes të tjerash, e pati përcaktuar gjuhën si “qela”, shtëpia e qenies, e për ta vijuar logjikën e shënjimit të gjuhës, natyrshëm do parë gjuha shqipe, si “kështjella” e përbashkimit dhe të ekzistencës së kombit shqiptar./panorama