Nuk jam i vetmi, që s’e ka pritur këtë rrëfim prej Fatmir Toçit. Nuk e kam pritur, sepse është rrëfim për një të papritur me të cilën kur u ballafaqua ai me të, nuk ishin ballafaquar shumë njerëz në Shqipëri e në Kosovë e, madje, as në botë. E papritura e Fatmir Toçit, na e rrëfeu betejën me virusin Korona, të cilin shkencëtarët e pagëzuan Kovid-19.
Është ky një armik i krijesës më të çmuar të planetit të Tokës – armik i njeriut.
Është ky një armik i vogël, që duhet të zmadhohet me mijëra herë me mikroskop për t’u parë prej syve të njeriut. Viruset që shkaktojnë një varg sëmundjesh ngjitëse nuk u nënshtrohen, në asnjë kohë e në asnjë vend, atyre ndryshimeve mes viktimave të tyre. Domethënë virusi Korona, gjatë sulmeve të tij nuk bën dallime mes njerëzve: i sulmon të gjithë pavarësisht kush janë e çka bëjnë në jetë. Ai sulmon pa dallim të vegjël a të mëdhenj! Ai sulmon pa dallim të varfër e të pasur. Ai sulmon pa dallim të fortë e të dobët. Ai sulmon pa dallim ushtarë e oficerë! Ai sulmon pa dallim shkencëtarë e analfabetë! Ai sulmon pa dallim kryetarë shtetesh dhe qytetarë të sunduar prej tyre. Ai sulmon pa dallim shfrytëzues dhe të shfrytëzuar! Ai sulmon pa dallim ata të cilëve u ngrihen përmendore dhe ata të cilët nuk do të kenë kurrë përmendore!
As kësaj here Korona nuk iu shmang kësaj strategjie: ai sulmoi princin e Britanisë së Madhe dhe varfanjakët e Londrës! Ai sulmoi kryetarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe afrikano-amerikanët! Ai sulmoi shtetet më të pasura e më demokratike duke iu shkaktuar numrin më të madh në të vdekur e në të infektuar dhe, shtetet më të varfra duke iu shkaktuar kujt më pak e kujt më shumë të vdekur e të infektuar. Virusi Korona e sulmoi edhe Fatmir Toçin tonë, e sulmoi armiqësisht sepse Fatmiri u soll shpërfillshëm ndaj virusit në fillim!
I vetëdijshëm se fati i keq me virusin Korona e shtriu në shtratin midis jetës e vdekjes, ai bëri çmos që gjendjen trupore dhe shpirtërore ta bëjë lëndë të ditarit, të cilin ishte shumë e vështirë ta mbante kur duke hedhur shenjat e fjalëve në fletoren e ndoshta duke i pëshpëritur në teknikën që mbante afër kokës. Dhe, arriti që t’i sillte kontribut praktik mjekësisë gjatë pesëdhjetë e pesë ditëve të luftës me armikun e padukshëm.
Si e arriti këtë kontribut Fatmiri?
E arriti: së pari, duke i përshkruar dhembjet dhe çrregullimet që virusi i shkaktoi trupit dhe shpirtit të tij.
Dhe, së dyti, duke i përshkruar, prej dite në ditë, analizat laboratorike që iu bënë organeve të tij, si mushkërive, zemrës, veshkave, mëlçisë, pankreasit. E të tjera.
Më 17 korrik 2020, ditën e fillimit të mjekimit spitalor, dhjetë ditë pas mjekimit në kushtet e shtëpisë, ai paraqet në ditar këtë gjendje të tij, që e tregojnë analizat e gjakut:
“Pashë edhe rezultatet e analizave të para, mbi 20 lloje ekzaminimesh me gjakun që më kishin marrë me bollëk paradite, nga të cilat më kryesoret ishin: Glicemia 181mg/dl (normalja 60-120 mg/dl), kreatinemi 1.0 mg/dl (<1.3), D-Dimer 724 (0-500 mg/dl), PCR (Proteina C Reaktive) 41 (<10), Ferritinemi 1253 ng/ml (20-400), PO2 52.4 mmHg (69-116), Sat. O2 85 % (94-95), Kolesteroli 255 mg/dl (140-200) etj. E gjithë periudha e mëpastajme e qëndrimit tim në spital do të ishte një luftë e përditshme dhe e vazhdueshme për arritjen e niveleve optimale të parametrave të këtyre analizave, në mënyrë të veçantë të PCR-së, që tregonte masën e infeksionit të mushkërive, D-Dimer si tregues i nivelit të koagulimit të gjakut për të shmangur rrezikun e trombozave, PO2 si tregues i oksigjenimit të gjakut etj.”.

Duke lexuar përshkrimet e analizave, që i bëhen gjatë pesëdhjetë e pesë ditëve të mjekimit, lexuesit e Ditarit do të shohin, se sa mundimshëm trupi i tij e ka fituar betejën me virusin Korona.
Të gjitha analizat e gjakut, të gjitha kontrollet e organeve, të gjitha mjetet e ilaçet që përdorën mjekët për të shtuar mundësitë jetësore, bëhen pjesë e historisë së sëmundjes së Fatmir Toçit, në të cilën është i përmbajtur përshkrimi i saj pothuaj shkencor. Me këto përshkrime të hollësishme, të përditshme, në Ditarin e tij, Fatmir Toçi na këshillon që t’i çmojmë mjekët e t’i zbatojmë këshillat e tyre.
Ditari i Fatmir Toçit është ftesa më e rëndësishme, më konkrete, më thelbësore që u drejtohet në gjuhën shqipe shqiptarëve për të respektuar masat e dhëna prej mjekëve e të miratuara prej qeverive nëse duan të mbrojnë veten e të mbrojnë kolegët e miqtë, të tjerët që takojnë, prej virusit vdekjeprurës Kovid-19. Është e kuptueshme, prandaj, pse në Ditarin e Fatmir Toçit janë të shpeshtë emrat e mjekëve, shprehet nderim ndaj mjekëve e infermierëve – këtyre heronjve të kësaj kohe. Në Ditarin e tij, në këtë roman dokumentar historik mbi virusin, që atij ia rrezikoi jetën, Fatmir Toçi do t’u shprehë falënderime kolegëve, miqëve të tij, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Greqi, në Luginë të Preshevës, ndër fshatrat e arbëreshëve të Italisë, edhe në diasporën shqiptare në Europë, në Turqi, në SHBA, të cilët u interesuan për shëndetin e tij, për jetën e tij.

Lexojeni Ditarin e Fatmir Toçit. Kjo është vepër e intelektualit me dhunti të dëshmuar krijuese. Kjo është vepër me vlera shkencore dhe artistike. Kjo është vepër që do të ketë ndikim shoqëror dhe etik. Prej luftës që përshkruhet në të për t’i shpëtuar Vdekjes do të çmojmë Jetën. Ajo, Jeta, është shumë e vlefshme, shumë e rëndësishme. Jeta, është shumë e bukur. Dhe, duhet të përpiqemi, ta ruajmë vlerën e saj, rëndësinë dhe bukurinë e saj. Dhe, ta mbrojmë prej të këqijave e rreziqeve që mund t’i vijnë prej anëve të ndryshme ashtu siç e mbrojtën mjekët e infermierët prej virusit Korona, Jetën e Fatmir Toçit.
(Parathënia e librit – Prishtinë, 12.11.2020)