E premte, 17 korrik 2020
– Do t’ia dalim? Ka shpresë? – pyeta pothuaj instinktivisht.
Në ato çaste do të pranoja edhe ndonjë gënjeshtër, veçse të kishte një përgjigje shpresëdhënëse. Por ai e gjeti një rrugë të mesme:
– Ndaj jemi këtu, – tha zymtë, pa më parë në sy. – Po për këtë, së pari duhet të kemi besimin te vetja. Është e rëndësishme kjo.
Dakord? – Dakord, – thashë instinktivisht, pa e kuptuar deri në fund këtë kërkesë. Tekefundit unë isha aty me besimin dhe shpresën e vetme te prof. Perlati. – Por jo vetëm me pantomima, d.m.th. pa folur, – dhe qesha pothuaj me zor.
U nis drejt derës ngadalë, sikur të kishte ende për të thënë diçka, por nuk foli.
– Kam edhe diçka, – i thashë në mëdyshje, – që ndoshta s’ka lidhje me ju.
Ngriti sytë në formë pikëpyetje si për të thënë “Po? Çfarë është?”
E mblodha pak veten dhe fola ngadalë:
– Kam shkruar një libër për arbëreshët, që e quaj punën e jetës sime dhe e kam dorëzuar për botim.
Ai po më shihte me një shprehje çudie në fytyrë sikur të më thoshte: “Ç’lidhje ka kjo me mua, apo me këtë që po bisedojmë rreth gjendjes së shëndetit tënd?!”. E mblodha pak veten dhe vijova:
– Kam 20 vjet që mbledh materiale, 11 vjet që kam vizituar çdo fshat e vendbanim arbëresh në Itali deri në detajet më të vogla dhe gati 5 vjet që e shkruaj.
Ai vijonte të më shihte me vështrim pyetës se çfarë kërkoja prej tij.
– Dua ta shoh të botuar këtë libër, profesor, – i thashë. – Ne jemi njohur 20 vjet më parë në botimin e librit tuaj te ne, dhe ju e dini sa i shtrenjtë është një libër për atë që e shkruan.
Duket që do të jem shfaqur i prekur, por e mblodha veten dhe fola për t’ia nxjerrë kokën bisedës:
– Do ta shoh librin tim të dalë nga shtypi e ta marr në dorë? – desha të shtoj: “E pastaj të bëhet, ç’të bëhet!”, por nuk e thashë, nuk ma tha goja…
Prof. Perlati nuk foli menjëherë. Më pa drejt në sy e me siguri që mendoi: “Ky do të jetë i lajthitur”, pastaj foli ngadalë:
– Do ta shohësh librin tënd! – dhe doli nga dhoma.
Në kartelën time, të pacientit të dhomës nr. 35, në pavijonin e kirurgjisë abdominale, pas vizitës 49 së parë të plotë, u la shënim ndjekja e terapisë në ditët në vazhdim.
Nga mbrëmja vërshuan telefonatat dhe mesazhet e para, lajmi se isha shtruar në spital i prekur nga Covid-19 kishte dalë si fillim nëpër portale, pastaj në mbrëmje e kishin njoftuar edhe kanalet kryesore televizive…

