Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, Partia Socialiste do të depozitojë në SPAK kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale në rrethana të tjera cilësuese, referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011.

Në një deklaratë për mediet, Gjiknuri tha se, “sot bëhen 5 ditë që opinioni publik u njoh me një provë të re që hedh dritë mbi vrasjen shtetërore të 4 qytetarëve të pafajshëm nga armët e pushtetit të Sali Berishës”.

“Partia Socialiste do të depozitojë sot në Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale në rrethana të tjera cilësuese, referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011”, tha ai.

Gjiknuri shtoi se, “dialogjet e bëra publike midis ekzekutorëve e tregojnë qartë se, vrasjet e u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale, e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin e Gardës së Republikës”.

“Ne e kemi drejtuar gishtin tek Sali Berisha menjëherë pas ngjarjeve tragjike. Nuk besoj të ketë patur qytetarë, që në atë ditë, që mos ta dinte në ditët, në javët dhe muajt pasues dhe të mos ketë kuptuar që urdhëruesit e vërtetë të këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i afërt në atë kohë, Lulzim Basha. Ata të gjithë e dinin dhe e treguan me gisht, drejtësia e kohës zgjodhi të mos e shikonte, besonte, por as ta hetonte. Për fat të keq edhe drejtësia e re është treguar deri më tani e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës mbi këtë doje dhe për të zbardhur plotësisht këtë krim”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se, prova e re e bërë publike në medie nga gazetari Artan Hoxha përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve e gjykimeve të mëparshme.

“Në dinamikën e komunikimeve rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve të pafajshëm, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë funksionar të lartë shtetëror. Faktohet tashmë me audio se, vrasjet janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe jo nga pakujdesia, siç konstatoi gjykata në vitin 2013. Përfshirja e ministrit Lulzim Basha në komunikimin me radio rezulton e provuar katërçipërisht dhe ky fakt krijon dyshime të arsyeshme bazuar se, ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejtë me efektivët e Gardës është bërë me porosi për të dhënë urdhrin e Sali Berishës si personi më i pushtetshëm i asaj kohe”, tha ai.

Gjiknuri shtoi se, “nga deklarimet e bëra publike, para dhe pas ngjarjes të të kallëzuarit Sali Berisha ish-kryeministër, krijohet bindja përtej çdo dyshimi se, ai vetë ka qenë në drejtimin e veprimeve të Gardës nëpërmjet komunikimit direkt me të kallëzuarit Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi”.

“Provat e reja janë vendimtare tashmë, e të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Ndrea Prendin, pasi nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia, por me një vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Por, sipas këtyre provave janë krijuar kushte të mjaftueshme për të regjistruar nga SPAK të një procedimi penal ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për veprimet e kryera në 21 janar të viti 2011”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se, Partia Socialiste i kërkon Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zhvillojë hetime konkrete gjithëpërfshirëse ndaj të kallëzuarave si dhe personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 4 shtetasve.

“SPAK duhet të zbulojë pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të operacionit të Gradës në 21 janar, kur nuk e kanë për detyrë ligjore për të bërë një gjë të tillë? SPAK duhet të zbulojë kush ishte autoriteti i lartë nga i cili Ndrea Prendi priste dhe mori urdhra? SPAK duhet të zbulojë kush dhe pse ia nxiu syrin Komandantit të Gardës? SPAK duhet të zbulojë kush e inskenoi dhe promovoi në publik skenarin e vrasjeve nga brenda turmës? SPAK duhet të zbulojë kush e pengoi Prokurorinë të ekzekutonte urdhër arrestet për grupin e zjarrit të Gardës në orët e para pas ngjarjes? SPAK duhet të zbulojë kush urdhëroi dhe kush fshiu serverin e Kryeministrisë me pamjet e kamerave?”, nënvizoi Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi më tej se, “Partia Socialiste nuk është pushtet gjyqësor. Qeveria nuk është trupë gjykuese dhe as kryeministri nuk është prokuror. Për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo që gishtin e përgjegjësisë për mos zbardhjen e ngjarjes e ka drejtuar edhe tek PS, në kushte kur drejtësia ka zgjedhur të tallet me drejtësinë, ndërsa urdhëruesit dhe vrasësit ja kanë hedhur paq. Ne besuam tek drejtësia e re, ishim nismëtarë dhe garant të reformës në drejtësi, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë mbi kurriz hijen e zhgënjimit të atyre që duan drejtësi për 21 janarin. Provat e reja janë të mjaftueshme. Të dyshuarit kanë emra dhe mbiemra konkret. Organet e drejtësisë nuk mund të flenë më mbi këtë dosje gjaku. Duhet vepruar tani. Çdo ditë e humbur është vonë. Prandaj i bëjmë thirrje prokurorisë t’i marrë në vlerësim të gjitha provat e reja dhe ta çojë deri në fund këtë çështje për interesin publik”./atsh/Revista TIME