Sali Berisha ka prezantuar këtë të Hënë kandidatin për bashkinë e Peqinit Mustafa Pasha i cili do të përfaqësojë koalicionin “Bashkë Fitojmë” më 14 Maj.

Në fjalën e tij para demokratëve, Berisha u shpreh se ndryshe nga mazhoranca, Partia Demokratike e drejtuar nga ai ia ka besuar plotësisht votuesve këtë proces zgjedhor.

“Diku kërciti dajaku në mbledhje, diku tjetër u vendosën hekurat në duar, të tjerë u thirrën në SPAK se s’po bindeshin, kurse ne gjithçka e lamë te ju, te vullneti juaj, te besimi juaj dhe të jeni të sigurt se ky është një investim i madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit sepse ne besojmë të dinjiteti njerëzor. Kryetari i bashkisë duhet të jetë një shërbëtor i përkushtuar i juaji dhe të bëjë gjithcka për të dëshmuar se e meriton votën tuaj dhe ky është rregulli i demokracisë.”

Sipas Berishës, Mustafa Pasha do të jetë një drejtues i denjë i bashkisë së qytetit të Peqinit dhe do t’ju shërbejë qytetarëve duke sjellë ndryshimin e shumëpritur.

“Zgjedhjet janë për qeveritarët vendorë dhe unë kam nder të madh që paraqes para jush një nga veprimtarët më të përkushtuar të PD ndër vite, Mustafa Pasha, një peqinas dinjitoz i cili do shkrijë të gjithë energjinë e tij në shërbim tuaj, taksën që ju paguani t’ua përkthejë në shërbime, do bëjë gjithçka që të mos mendojë vetëm për qendrën e qytetit, por për të gjithë banorët e këtij rrethi. Për t’i dhënë frymë tregut, gjallëri.

Unë ju garantoj ju se tek Mustafai do keni një menaxher të shkëlqyer të bashkisë, një nëpunës, drejtues të dhimbshëm, të aftë, të zotë dhe do firmosni me 14 Maj ndryshimin e madh e të shumëpritur. Më 14 Maj duhet të jemi shumë të qartë, është një ditë zgjedhjesh disa herë më të rëndësishme se ato vendore, është një ditë në të cilën ne pas 31 vitesh ftohemi të shpëtojmë Shqipërinë nga monizmi, një ditë që ne duke votuar Mustafa Pashën të votojmë për rivendosjen e pluralizmit. Në histori është provuar se dramat më të mëdha kombeve nuk ua kanë sjellë luftërat apo sëmundjet, por monizmi. Ne jemi dëshmitarë se sa vuajtëm ne nga monizmi më stalinist i Evropës. Ne u ndamë nga ai monizëm në ’92, por siç e ka thënë Regan, demokracisë i mjafton një gjeneratë pë t’u zhdukur, këtë fat të hidhur patëm ne shqiptarët. Ne sot vijmë në një monizëm të plotë kur një njeri, Edi Rama kontrollon çdo pushtet.”/tvklan.al/Revista TIME