TAKIJA
(Takija e myzeqarit)

Që tejtej e bardhë ajo vezullon,
një copë borë shkulur n’Tomor.
Mbi kryet e shtatlartit qendron,
t’myzeqarit q’hyn-del në oborr.

Takija, sa e lashtë, sa e bardhë !
Piramidë qendrese dhe dinjiteti.
Pulëbardha feks gardh m’gardh,
s’e rrëzoi kryeve beu, as mbreti.

Takija, arkiv që shfleton krenari,
Ardhur që kohësh të ngarkuara
me djersë, me baltë, me histori.
Thirrje e kumte aty të mbuluara.

Gjen në atë takije luftëtarë lirie,
gërrvima shpatash t’muzakajve.
Jehona betejash e gjak trimërie,
aty gjen iso-t, këngët e dasmat..

Aromë arash dhe gruri lëmenjve,
blegërimat e qengjave luadheve.
Vërshime ujrash atyre lumenjve,
hedhje lozonjare vajzash n’valle.

Vezullon ajo takije bardhë-dritë,
në muzg, sa yje në levizshmeri!
Aty shpirti i myzeqarit n’çiltërsi,
ajo takije, nj’muze plot me lavdi.

   GUNA  ME RRËKE
 (Një e tërë simbolikë)

Kushdo që ka jetuar, apo punuar në Myzeqe, e ka parë e përjetuar nga afër botëjetën myzeqare. Udhën e gjatë dhe vazhdën shpirtërore-zakonore tradicionale. Atë historike-kulturore të krahinës së Myzeqesë. Margaritarë plot ndriçesë. Një e tërë botë. Si ai luadhi atje me lule plot. Një listë e gjatë. E artë. E begatë. E tërë. E larmishme e mozaikale e pasurisësonë materiale. Shpirtërore dhe etnografike në këtë treve të ngarkuat me jetë si bletë. Si në natyrë dhe në shoqëri. Një i tërë muze sikur zbritur nga qiell e re. Një e tërë larmi. Vatër e shtëpi. Parmendë e avlli. Plug e tokmak. Gardh. Kasolle përqark. Vapë e baltë. Shkarpë e bajgë. Vah e tezgjah. Jelek e dysheme. Fasule e pekmez.Takije e brez. Furrik e vezë. Të gjithë në këmbë. Grurë e lëmë. Poçe e shtëmbë. Valle e këngë. Histori. Ç’magji! Kavakë e marina. Qerre e qe. Qe e buaj. Mëza e kuaj. Vandakë e duaj…. Një jetë në vrapim. Në kalërim. Ngarkuar qerrja deri në rrapinë. Rrotat në lerë deri në bucelë. Nuk njihej pushim apo e diel. Shtëpi dhe arë. Kashtë. Bar. Mullarë. Udhëtim. Psherëtimë. Fishkëllimë. Pazar. Vente e vinte takija e bardhë. Sikur tejtutje një pulëbardhë. E bardhë e bardhë. Që feks dhe humbet. Moçal. Kënetë. Det. Lagunë. Opinga e gunë. Bukë e dhallë. Për mall kos. Rrogoz. Oksoz. Rika e oroz. Blegërima dhe vetëtima. Ditë me diell. Shumë hime e pak miell. Ngrysu e gdhiu njeriu. Lind e vdis myzeqari. I gjatë-kavak. Endur nëpër vapë. Nën shelg e nën vidh. Kishë e këmbanë. Një jetë pa fund e anë. Pambarim. Si dallgët në det që venë-vinë. Det e breg. Udhë e shteg. Rosë e egër e lejlek. Çifte e zagar që i ndjek. Fushë. Pishë e bregdet. Një e pafundme jetë. Mbledhur sot në sy e kujtesë. Udhëtim pa ndalesë. Një arkiv e muze. Aty janë ata e sot ne. Nën këtë qiell e nën këto re.
***
Nga e tërë kjo e pambarimtë pasuri në Myzeqe, unë do të veçoja gunën me rrëke, tek veshja tradicionale e grave dhe takijen tek burrat. Se, ashtu siç argumenton shkencërisht shkrimtari dhe studiuesi pasionant i Myzeqesë, Maksim Zarka, takija, fustanella dhe guna me rrëke, na vijnë që tejsëlashti.

GUNA ME RRËKE

Që tej, guna me rrëke, aq e bardhë, kujtdo do t’i tërhiqte vëmendjen, do t’i vriste sytë. Është kjo dukuri-bardhësi, tregues i diellit me bollëk që ndriçon. Që mbulon, e ngroh Myzeqenë. Ai diell sikur ka zbritur aty, mbi gunën me rrëke.  Dhe, nga ana tjetër, kjo shkëlqimbardhësi, është edhe tregues  i shpirtit të amvisave pastërtore-myzeqare të cilave, “… u zbardhon gusha si top i sheqerit”, siç shprehet anonimi këngëtar në këtë trevë folklorike-zakonore. Por, unë, aq i thellëkredhur në këtë mrekulli-fantazi artizanale të këtij pellgu, më vezulloi syve e mendjes ato rrëketë mbi atë veshje të aqveçantë të grave myzeqare, pra mbi këtë gunën me rrëke, si e quajnë prej së lashti këtu, në Myzeqe. Ato vijëzat dredha-dredha, sikur u ngjajnë rrëkeve që tejikin prej shiut e humbasin barit e dheut. S’e di pse më ngjasojnë me vetëtimat e me kërcëllimat e rrebesheve e stuhive të kësaj krahine që edhe detin e bënte çorb e  vorbë, kur thonë këtej.  Herë-herë këto përdredhka më ravijëzohen e harlisen trurit tim si ato valët e paqta të grurit ende të pakorrur fushave të kësaj krahine të begatë, si në Topojë, në Grykë, në Seman e deri tutje Shënpjetrës historike ngarkuar me dituri e me trimëri. Dhe, njëherazi, atypëraty më gjithërrëmben dallgëzmi i përthinjur i kaltëroshit Adriatik pak më poshtë. Atje, ku ai, aqlashtësisht gjëmon. Oshëtin. Ulërin. Vrapon, Shkumon. Ndërsa unë, përqafuar me fantazinë time, rreth simbolikës së gunës me rrëke, më ngjan sikur aty dëgjoj shtrak-shtrukun e tezgjahut. Sikur dëgjoj delet që aqzhurmojnë duke u kthyer për në vadhin e tyre. Blegërimat e qingjave që u shkojnë pas me vrap. Shiun. Breshërin. Rrebeshin, që tërsëllon me rropamë e, alarmzbresin retë e egërsuara me të gjëmuara. Ndërsa gratë, hedhur shpatullave gunat me rrëke, asqë duan t’ia dinë. Aq imët e trashe, ngjeshur e përngjeshur janë endur ato guna me rrëke në tezgjah nga amvisat. Nga duarsokoleshat-myzeqare. Nikoqiret. Merakçeshat. E kështu, rend e rend unë pas fantazisë sime të hazdisur. Pas fushave e livadheve. Pas djemve shtatlartë që, tutjehumbasin pas gunave me rrëke. Ndërsa mbi kokë u tekfeksin takijet e bardha nëpër natë sikur dallgëve të Adriatikut pulëbardhat. Ato ndjekin valët e luajnë me to.
 
VALLJA DYSHE-MYZEQARE
(Ese) 

Ndërsa rrezet mengjesore të diellit vjeshtak qëmtojnë pëllëmbë për pëllëmbë Shpiragun, unë futem heshturazi në shtëpi, me ndjesinë e një boshllëku stresues. Papritur, në ekranin e televizorit, interpretohet vallja e njohur,”Dyshe-myzeqare”, nga grupi i këngëve dhe valleve popullore të Fierit. Ulem, gati pa frymë mbi poltron. Tërë sy e vesh ndjek këtë interpretim fantastik, që, për mua, është vërtet një gur i çmuar në gjerdanin folklorik-myzeqar. Se ai më kujton shpirtin dhe elegancën e të urtëve myzeqarë, më kujton babain tim, Lili Krimçen e Kutallisë dhe shokun e tij, Mimi Qendron që, me vallet dhe këngët e tyre, bënë epokë artistike në vitet ‘60-’70, në rrethin e Beratit dhe në Myzeqe. Ata sikur nuk luanin, por fluturonin. Shpërthenin. Interpretonin. Gjëmonin. Bëheshin një me defin dhe orkestrën. Me publikun, që i ndiqte i ngazëllyer. Ja këto emocione përjetoj në këto çaste, ndërsa ndjek në ekran   “ Dyshen myzeqare”… Orkestra nis, ashtu flladitëse, valëzuese, me një përshpejtim si valëzimet e grurit nga era në pranverë. Të dy valltarët, me takijet e bardha- borë, me fustanellat palë-palë, ngjeshur e lidhur burrërisht me duart e tyre të çelikta, mesit brezi i tezgjahtë, shoqërojnë muzikën me daljen e këmbëve para, me këpucët e traditës, duke i tundur tërë elegancë majat xhufkore të tyre, sipas vijës muzikore e ritmit të defit. Pas një pause të shkurtër, kalohet tërë finesë, tërë siguri dhe burrëri, tërë ndjeshmëri artistike dhe sharm interpretativ, në lëvizjet para, kthimet në vend, ulja e ngritja e këmbëve, thyerjet deri tek gjysmërrotullimi i tyre rreth gjurit, ndërsa busti ruan drejtpeshimin, koka ngritur gjithë besueshmëri e krenari lart. Një detaj tepër plotësues koreografik, është lëvizja e parakrahëve të valltarëve, sodomos të udhëheqësit të saj, me pëllëmbën e plotë të shtrirë para. Pjesa e brendshme duke parë nga toka, kurrizi i pëllëmbës nga sipër, që imponon edhe shikuesit të gjithëpërfshihen në këtë stuhi  ekzekutuese-artistike. Vështrimi i dy valltarëve, si vështrime prej skifterësh, rrok tërë publikun-shikues që kanë përpara. Ndërkohë, që zjarri interpretues ndizet edhe më, defi u qëndron me bam e bum, pas thembrës së këmbëve valltarëve, një element tepër i gjetur, që jo vetëm ruan ritmin e lëvizjeve të valltarëve, por i integron dhe i sensibilizon ndjeshmërisht ata deri në trokitjet në shpirtin e tyre ekzekutues. Ky fllad, që vjen e egërsohet, i bën valltarët, të përfshihen më tej në rolet e tyre me ojna dhe plasticitetin e veçante të mimikës së fytyrës, të harmonisë së lëvizjeve trupore, ku elegancës i japin ngjyresën e duhur, lëvizjet e trungut, sidomos të mesit. Bukurinë interpretative, plotmërinë e gjithë kolazhit koreografik, ia japin dridhjet, apo ulje-ngritjet tërë sqimë e dridhshmëri të shpatullave. Ato i japin imazhit të dyshes-myzeqare tërë spektrin e kolorin e kornizuar në gjithë kohështrirjen e interpretimit, deri në finalen e kësaj njësie folklorike popullore. Finalja i ngjan zanave përrallore, teksa derdhur në bardhëri, duken sikur rrethrrotullohen mbi valët e liqenit alpin, duke krijuar stuhinë rreth tyre. Valltarët, në këtë kulminacion interpretativ, ulen mbi gjunj me shpejtësi, po ashtu, duke shkëputur krahët, rrethrrotullohen bustit të tyre, duke krijuar me palët e fustanellave, rrethin e plotë. Duket sikur nuk interpretojnë, por sikur fluturojnë e stuhia e gazit të brendshëm merr flakë. Këto lëvizje të sinkronizuara me mimikën, me thirrmat e tyre dhe me goditjet e egra të defit, unifikojnë një ansambël vlerash artistike-interpretuese të shkrira brenda dyshes-myzeqare. Si të mrekullojnë me këto kulminacione, ata ngrihen në pozicionin fillestar, kapen krahësh fort, sikur janë dy male që mbahen pas njeri-tjetrit. Prej këtej buron ai mesazh i zjarrtë filozofik, se kështu kemi qendruar e kështu do të qendrojmë. Të bashkuar, e mbështetur si mali me mal, s’ka stuhi të na mposhtë. Këtë mesazh dinë ta përcjellin artistikisht vetëm korifejtë e dyshes-myzeqare, jo kushdo. Një gabin apo vulgaritet skenik, do zbehte gjithë shkëlqimin dhe madhështinë e kësaj perle të traditës folklorike shqiptare. Epilogu i dyshes-myzeqare vjen natyrshëm, tensioni lartësor vjen gradualisht duke zbritur, me ato gjurmë skenike dhe lëvizjesh. Sinjali i prerë i defit, me një goditje të fort, mbyll vallen. Të dy këta myzeqarë-male, qafohen me njeri tjetrin, si gazmend i suksesit dhe, njëkohësisht si kumt, që herën tjetër të luajmë edhe më mirë. Kjo është një besë.

LIRIZMI NË FOLKLORIN E MYZEQESË
(Pjesa e parë)
Teksa hedh gjithandej vështrime, gjatë udhëtimit tim nëpër oazet e folklorit myzeqar, mbushem thellë ngazëllimisht me frymë. Më rrëmben një ndjesi e bukur ëmbëltore. Pranverore. Herë bëhem bletë, herë flutur. Këtë  frymë lirike-romantike e gjejmë në shumë këngë të Myzeqesë. Veçojmë, me këtë rast, një këngë të fshatit Strum, të fshatit të Bukuroshes. Ja, sesi vajza e dashuruar, i drejtohet plot figuracion emocional djalit të saj që dashuron:
“Trëndafil i bukur shumë,
more trëndafil!…”.
Zhytem këngëve dhe valleve si dallgëve e valëve. I largohem halleve. Mendoj. Analizoj. Shkruaj. Them, si kënga jonë nuk gjen. Është oksigjen. Ajo të vetërrëmben. Të mbërthen.Të mahnit nga eleganca. Nga performanca. Aty të bie spiranca. Si atje-tej detit ku ngrihet ai flamur. Në je djalë, të bën burrë. Në je plak, të bën djalë. Në  je atdhetar, të bën me pallë. Pikërisht, këto ndjesira të këndshme shpirti, të imponon lirizmi mjaltor-pranveror i këngëve, edhe nga këto që janë lirike. Por edhe të këngëve historike. Nga fryma  heroike e tyre, kur ato jane me temë sociale-trimërore, këngë historike e filozofike-shoqerore.
Sa mbushesh me dëshirë jete. Me arome bukurie. Rinie. Nusërie. Dhëndërrie. Krenarie, Me diell Sbqiperie, kur dëgjon perlat e  kësaj treve si  ceremonialin e dasmes myzeqare. Plot ngjyra e  zjarre. Sikur nga ato guna me rrëke, dielli të zbret përdhe. Hëna të buzëqesh nën re. Dhe ti, vrapon. Shpejton. Ëndërron pas lumturisë. Pas dashurise. Pas bukurisë. Dëlirësisë. Ndërsa kënga flakëron. Fërfëron. Ngacmon. Mesazhet lë pas. Haeng e gaz:
“Gjumin, që ke fjetur,
moj, lëre te jot ëmë !
Vendin, që ke ndenjur,
mate me pëllëmbë!”
Vini re, miq, c’mesazhe morale-prindërore lëshon kënga. Plot. Gaz. Lot. Mirësi. Trashëgimi. Vazhdimësi. Është edukata familjare-myzeqare që, vajza, atje, tek burri, të jetë punëtore. Nikoqire. Se ajo, nëna, thekson kënga, është bijë nga derë e fisme. Sipas logjikës popullore, druri prej lisi e gruaja prej fisi. Këto këngë-perla të zonës, të Myzeqesë sonë, përbëjnë fondin e artë të kësaj folkloristike. Sepse, do të nënvizojë anonimi popullor, është ky merak, kjo përkujdesje prindërore që, si ikën ujët në përrua, ashtu ikin këshillat për vajzën e për tërë fëmijët. Dhe ja rezultati:
“Kur këndoi kaposhi i parë,
u ngrit Nazja e ndezi zjarrë”.
Aq punetore ishte nusja. Kjo gjë krenon njerëzit e shtëpisë së re. Aq më shumë prindërit e saj. Një tis i tillë social-filozofik, në këto  këngë lirike, diellon traditën. Merakun. Që, tek burri, vajza e tyre të nderojë veten e prindërit e saj. Derën nga doli. Që e rriti dhe e përcolli. Ajo të jetë punëtore.Edhe më shume tek burri, ku fati e shpuri. Shihnic’trashegimi! Edhe sot na emocionon. Na embelton. Na krenon. Na edukon. Ne e brezat. Por, shumë koloritive, brenda së njëjtës këngë, kemi edhe frymën e protestës shoqërore se, kur e pyesin, nusja, (Nazja), e reja përgjigjet prerazi, pa ekuivoke:
“Moj Naze vetullkaleshe,
burrin e par’ pse s’e deshe?!
Unë e desha, po s’ma dhane.
S’ma dha nena me babanë,
s’ma dha motra me vellanë”.
Fryma romantike dhe liriko-emocionale, në të tjera këngë bëhet edhe më interesante. Më e thellë. Më e fortë. Sa keqardhje, aq edhe lot. Se bija ndahet nga nëna e babai. Nga motra e vëllai. Nga vatra e saj. Por kurr nuk e ul krenarinë. Ja si shprehet vajza-nuse tek “Shkon Bajamja lumit-o”:
“Shkon Bajamja lumit-o,
duke na u leqendisur-o.
Leqendisur e keputur-o”
(Pra, e dërrmuar. E shkatërruar.) Pse? Se u nda nga gjiri i famijles. Janë tabllo të forta emocionale Sa romantike, aq edhe realiste. Janë  keto këngë të sfondit historik të fillimshekullit të njëzet. Vihet re në këto këngë se, fryma e progresit shoqqëror dhe e mospajtimit me dukuritë frenuese të kohës, me prapambetjen, është e dukshme. Ajo vjen në rritje. Shfaqet si një tendencë progressive sociale, që vjen e rritet hap pas hapi. Aureola e prapambetjes dhe e zakoneve të rënda në jetën shqiptare të atyre viteve, nuk e penguan dot, të renë në jetën sociale, që ajo të hynte. Madje, të shprehej  edhe në këngë.Ndjenja fine e dashurisë, e ndjenjës sublime përfshin jo vetëm djemtë, por edhe ajzat. Ato kanë filluar të reagojnë, të dashurojnë. Sa interesante shfaqet një tablo e tillë në një këngë myzeqare të fshatit Strum, Fier.Ashtu, si tek romani realist në vargje i Pushkinit,”Eugjen Oniegin”, kur Tatiana i shpreh dashurine e para Onieginit:
“Po marr guximin që t’ju shkruaj,
çdo deshit më veç shpirtit tim…”
Ashtu edhe strumanakia jonë, e para ajo, i drejtohet djalit të saj:
“Trëndafil i bukur shumë,
more trëndafil!
Kur do vish një natë nga unë,
more trëndafil?
Në këtë relacon, djali, i befasuar, i zënë ngushtë, nuk di ç’të thotë, ai shprehet:
“Unë do vij…por kam ca punë!…”
Tërë kjo platformë folklorike-lirike-romantike, është e gjithëplanshme dhe e gjithëlarmishme, plot me ngjyra të ndezura figurative  të mrekullueshme dhe me ngarkesë vlerash të thella edukative për të sotmen. Mes kësaj gjelbërie e gjithësie folklorike, e gjej edhe unë veten.  Kjo gjë, si edhe shumë arsye të tjera, më mrekullojnë e lumturojnë që jam myzeqar.

EPIKA
FRYMA EPIKO-LIRIKE DHE LIRIKO-EPIKE NE             
FOLKLORIN E MYZEQESE
(Pjesa e dyte)

Krahas lirizmit të hollë e të tejshëm të veçantë që pranveron mbarë folklorin myzeqar, që e trajtuam në pjesën e parë të këtij studimi, po ndalemi paksa në rrafshin epik të kësaj pasurie shpirtërore-trashëgimore në Myzeqe. Lufta, qendresa aqshekullore e popullit tonë ndaj të huajve, kundërshtitë ndaj dukurive negative shoqërore vendase, s’kishte sesi të mos mundej të pasqyroheshin edhe në folklor. Në letërsinë e kultivuar ky realitet historiko-shoqeror për pellgun myzeqar ështe dhënë me tabllot nga më epiket dhe nga me realistet tek autorët e Myzeqesë, me në krye të madhin Jakov Xoxa, në romanin i e tij-epope, “Lumi i vdekur”, botuar në vitin 1965.
Një grup tjetër shkrimtarësh dhe artistësh tëMyzeqesë e kanë pasqyruar rezistencën myzeqare në hapësira të tjera e të ndryshme letrareo-artistike dhe në e me këndvështrimet e tyre si Maksim Zarka, Petraq Kote, Xhemal Gora, Hysen Emiri, Kostandin Bocova, Arqile Daulle, Themi Spiro, Kozma Ndoni e të tjerë.
***
Në rrafshin e folklorit ky realitet, pra, i kundërshtimit nga populli i të huajve pushtues dhe i shfrytëzimit të tij nga vendasit, gjendet i mishëruar më së miri në dhjetra e qindra këngë popullore të kësaj treve, sa bujare e luftarake. Është interesante mënyra dhe grafika e kësaj lufte. Ajo, duke nisur nga lashtësia, periudha e sundimit turk, e deri dyshekujt e  fundit, kjo luftë dhe rezistenca popullore vjen e konturohet dukshëm në folklorin myzeqar, pra bëhet më e qartë, më zhvillimore dhe më e ashpër.
Fazat e tejhershme të saj janë kundërshtimet me karakter ekonomik.
Janë këngët ku populli shprehet kunder taksave, detyrimeve në natyrë,
bujqësi apo blegtori. Natyrshëm edhe protestat e ndryshme ndaj dërgimit të djemve e burrave nizam larg, në fund të botës. Jane me dhjetra këngë folklorike të pellgut myzeqar me këtë temë.
Në një grup tjetër këngësh, kryesisht të shekullit të 19-të deri në fillimshekullin e 20-të, janë ato me theks të hapu antiturk, këngët për liri e pavarësi kombëtare. Këto janë të shumta.
Këngët me karakter social, kundër shtypjes shoqërore dhe për të drejtat njerezore, janë shumë drithëruese dhe rrezatuese, sidomos në vitet ’20-’30, të shekullit të njëzetë. Po ndalemi në disa prej tyre. Janë disa tipike këngë ku del në plan të parë revolta e popullit të tthjeshtë, deri edhe e grave ndaj plagëve që po vuante njeriu i thjeshtë. Përmes tyre shohim sesi nga revolta kalohet në përplasje me armë. Në një këngë, “Ku po bjen këto daulle?”, fillesa e së cilës është në fshatin Bujaraj, të Sulovës. Kjo këngë gjeti solidaritetin e vet në tërë popullin e krahinës së Myzeqesë dhe u këndua kudo. Këndohet edhe sot. Një këngë-modël ku, me realizëm dhe me dinjitet të lartë prej shqiptari, shprehet indinjata për gjëmën që goditi familjen ditën e dasmës dhe sensibilizimi për të vënë drejtësinë në vend. Është një këngë ku protesta shprehet me ngjyra të forta epike. Kënga i thur himn, dinjitetit të gruas, e cila, sfidon kohën e mbrapshtë dhe burrat e pazotë. Është pikërisht nusja, kjo grua, që sapo hyn  e veshur nuse në shtëpinë  e burrit, tramatizohet! Merr vesh që i kanë vrarë të shoqin “në konak”.”Nusja pa hequr duvak”. Ja një fragment i kësaj kënge:
“O bir, ku bjen këto daulle?
Tek Mete Sula ne Bujaraj”.
Ç’kishte ndodhur? Sapo nusja hyn me kalë në oborrin e shtëpisë, merr vesh se i shoqi, dhëndri, pra, është vrarë, ateherë: “Nusja pa hequr duvaknë”, kerkon armën se, “Unë do mar hakë”. Shihni ne ç’piedestal kënga, anonimi popullor, ngre lart figurën e gruas, duke turpëruar e sedërzuar burrat. Një shfaqje dramtike dhënë me një kolor dhe një sfond të zjarrtë epik.
Në një këngë tjetër, “Tek Lisi i Madh, degët mbërdhe”, protestohet hapur kundër gjakmarrjes edhe pabesisë si plagë e kohës në shoqërinë shqiptare të atyre viteve.
Sipas kësaj kënge, djalit, vëllait, Xhemilit, që e motra, sipas normave të kohës, e thërret “Xhemil-be”, i kanë zënë pusinë, tek vendi i quajtur Lisi i Madh. E motra mer lajmin  se, të vëllait i kanë zënë pusinë. (Sipas traditës zakonore, mbi femren nuk qëllohej). Ajo, kësisoj, vrapon për atje, ku po luftonte i vetëm i vëllai dhe përshkruan skenën. Një dramë e vërtetë. Një tablo e pashoqe epiko-heroike; i vëllai i vetëm, mes zjarrit që i vinte përballë nga më shumë se dy vetë. Ja si e vajton ajo të vëllain:
“Të vinin plumbat nga dy-tre,
të keqen motra, Xhemil-be!”.
Këtu shënohet protesta e pare, pse të ndodhnin këto gjera? Pse Xhemili po luftonte si luan? Pse nuk i dolën përballë? Trimat maten tek e tek. Ky  ishte rregulli. Pse e hëngrën në besë Xhemilin e saj ? Po gjuajnë mbi të “dy-tre”. Në këtë platformë epizmi, integrohen vlerat njerëzore; sa dëshmpërimi, sa keqardhja, aq edhe krenaria që, vëllai i saj, nuk i’u tremb kundërshtarëve, por i priti ata pa iu trembur syri, aq sa ishin. Një tablo heroike-dridhëronjëse me nota protestuese, grishëse dhe krenarie. Në këtë këngë epiko-heroike ngrihet lart morali njerëzor. Solidariteti midis tyre. Dashuria brenda njerëzve të familjes, sidomos e motrës për vëllanë që, ësahtë kryefjalë në folkloristikën shqiptare. Në sa e sa simotra të kësaj kënge gjejme sakrificën e motrës për vëllain, që kulmon me këngën epike të Gjergj Elez Alisë. Edhe në këtë këngë kemi këtë realitet:
“Të shkonte gjaku rrëke,
Të keqen motra, Xhemil-be!
Ta fshinte motra me dysheme,
të keqen motra, Xhemil-be!”
Detaji, “…ta fshinte motra me dysheme”, është tejet interesant dhe i plotvlertë. Eshtë përcaktues. Lokalizues. Pra, dyshemeja, është një element nga inventari i veshjes së gruas myzeqare. Një copë e gjate, punuar në tezgjah, me vija e ngjyra sipas moshës së femrës. Grate myzeqare e hidhnin mbi kokë, nga pjesa e prapme e gjysmës së kokës. Dyshemeja, u rrëzohej pas trupit, u shkonte gjer mbi themrat e këmbëve. Kjo, pra dyshemeja, kishte disa funksione, për t’u mbrojtur nga pluhuri. Për t’i maskuar, që të mos u dukej trupi grave nga pas. Edhe për të mbuluar një pjesë të fytyrës nga para. Por, edhe për të mbledhur me të placket e tyre. Në këtë këngë, anonimi popullor ka bërë shumë kujdës me dyshemenë edhe për të lokalizuar ngjarjen. Pra,ajo  ka ndodhur në Myzeqe, ku edhe sot, gjen pemë-lisi dusashekullore të shpërndara andej-këtej. Në kërë suazë mendimi dhe analyzer, në trevën e Myzeqesë gjejmë edhe të tjera këngë tipike dhe fortpërfaqësuese, siç eështë edhe kënga tjetër eoike-heroike, “Me cil ma pate mazaranë?”.Është një këngë-revoltë e toneve të ashpra kundër nëpërkëmbjes së nderit personal të njeriut të thjeshtë ndaj beut të fshatit, i cili, sipas psikologjisë së koheë, mund të bënte ç’të donte me bujqit. Por, si thotë tek “Lumi i vdekur”, JakovXoxa: “Dale, beg, se  ka hendek!”. Kënga ka natyrë edhe rrëfimtare, me bazë dialogun. Sipas saj, djali nisi të përgatitej për hakmarrjen e tij, te vinte nderin në vend:
“Më shite lopen, me bleve dogranë, (…lloj arme turke).
Më shite kalin, më bleve gjerdane”.
Edhe më interesante vijon kënga, duke përcaktuar saktësisht vendngjarjen, “Në fushë të Sukut, më rrije nishanë”. Pra, hap pas hapi, edhe përgatitja e tij, që mos t’i shkonte plumbi kot, dhe, ashtu, ai do të turpërohej edhe më shumë. Shikojmë sesi mbrohet dinjiteti personal i myzeqarit nga vet ai. Momente këto edhe të sresit, të psikologjisë zonale. (Prandaj Hyseni përgatitet mirë e me kujdes duke bërë qitje-prove në fushë).
Në sintezë, nuk duhet të mënjanjmë thesarin me vlera artsistike, edukative, estetike, gjuhësore dhe morale, që sjellin në vetvete, edhe deri më sot, këngët folklorike të Myzeqesë sonë. Një bazë e mrekullueshme mbështetës e frymëzuese për muzikantët, këngëtarët dhe muzikologët e rinj, që të kenë sukses në karrierën e tyre.

AJO ËSHTË MYZEQEJA
 
Ata sy të kaltër-kaltëruar,
ngjyer në detin e trazuar.
Ajo vetull, gjuhë-shqiponje,
hequr dorës së asaj zonje.
Ajo hunde, copë mermeri,
pikuar rrezesh të atij dielli.
Ata qerpikë, halash pishe,
shkulur degës asaj borige.
Ai ballë, vija-vija shkuar,
kopsht myzeqari i punuar.
Ajo gojë plot buzëqeshje,
pikla-pikla e pikëz -vese.
Ai ballë-mermeri shkruar,
Apolonise lart i zbuluar.
Ai djalë dhe burrë i gjatë,
Mbirë dhe rritur aty kavak.
Ajo takije bërë me dorë,
copë bore mar në Tomor.
Ai jelek gjoksit i hedhur,
ëndrrat top aty mbledhur.
Ata flokë gjithë kaçurela,
nëpër det dredhur nga era.
Ajo gunë me plot rrëkeza,
endur tezgjahut ndër tela.
Ato vajza, e t’bukur djem,
asgjekundi sot nuk i gjen.
Ato këngë malli myzeqare,
kënduar bilbilash n’dritare.
Atë fshat me emrin Seman,
në gji një krahinë e mban.
At’ tokë, që i thonë Myzeqe,
histori e krenari sot per ne.
Ajo sofër q’shtron Myzeqeja,
copëz dielli e zbritur nga reja.

ELEMENTË TË TEATRIT
NË CEREMONIALIN E DASMËS MYZEQARE

Nëse do të tejtejthellohemi ne hulumtime dhe identifikime ne ceremonialin e dasmës  në fshatrat e Myzeqesë, sidomos në ato të viteve’50-’70, do të mrekullohemi edhe nga disa elementë të teatrit popullor. Më ka rënë rasti, kur, në kuadër të ekspeditave gjuhësore dhe folklorike, në të cilat përfshihesha aso kohe, të ndeshesha me shkëlqime të tilla popullore-gazmore, me sens të theksuar humori. Në trevën folkorike Ura e Kuçit, Samaticë e Kutalli, jo rrallë shikoja spektakle të tilla humori si gjatë javës së dasmës, sidomos, në “natën e Brumit”. Veç ritualit të njohur…”..Jaçe-jaçe, brumët-o”, pashë në disa dasma, “Xhuxhuplakun”. Një skenë e këndshe plot humor e shaka, që improvizohej në dhomën e grave. (Asokohe, në dasma gjatë ditëve të ahengut, gratë rrinin në tjetër dhomë. Në kulmin e ahengut, të këngëve edhe të ritualeve, disa gra me përvojë të tillë, e vishnin një nuse çapkëne  me rroba tejet të vjetra, gjithë andra e dalë boje, tamam si dikur një plak bredharak. I vinin atij mjekërr, mustaqe, një çibuk në gojë dhe në dorë i jepnin të mbante një bastun. Krahëve i hidhnin një trastë vjetarake që,  brenda kishte ca rraqe. Në një moment qetësie, ky, “xhuxhuplaku”, hynte “vrrusht”, pra, papritur, në dhomën e grave. Ai qendronte paksa mbi bastun duke soditur një për një fytyrat e grarisë në dhomë.  Qendronte shtrembër,duke thither llullën e gjatë,  ndërsa gratë mblidheshin e shtyheshin si delet nga ujku. Fillonin ato dy-tre gratë kryesore që të përplasnin pëllëmbët e duarve duke këduar:
“Plak-plak, xhuxhuplak,
pse mendohesh mbi dorak?
Mos do nuse ti, të të jap,
Zgjidhe njërën për merak!
Ky, plaku, pra, “xhuxhuplaku”, zgjaste krahun nga gratë që “të rrëmbente njërën”, duke synuar atë më të bukurën midis tyre. Grupi, duke u shtyrë, secila “mbronte” veten. Ndërkohë, “xhuxhuplaku” ia thërriste:
“Mbeta i mjeruar, pa plakë,
dua këtë nusen faqe-flake!”.
Nusja, që i drejtohej ai, futej e strukej mes grave e, që andej, ia kthente:
“Ik, or skile, o xhuxhi plak,
vidhisu tutje, or morracak!
E kam burrin si nj’zambak
t’i thyen kockat frap-frrap,
ik tutje, vidhisu, morracak!”.
Dikush, nga grate nismëtare, hidhte në zjarrin e oxhakut aty, në atë dhomë, një grusht me kripë. Ajo, duke u djegur, kërciste, krrap-krrap. Gjoja, po digjeshin morrat e “plakut”. Alegri e madhe. Qeshnin duke e shtyrë atë , pra “plakun”, drejt derës. Ai ikte me të katra, dërsa kënga e grave vazhdonte:
“Thyej qafën, o i mjerë,
ik, largohu nga kjo derë.
Po u duke ti tjetër herë,
pastaj kemi t’tjera defterë”.
Të tilla inskenime popullore, që e kanë zanafillën që lashtësisht, janë sa burime studimore, aq edhe mbështetëse për skenaristët e sotëm të dramës, të skenës dhe të koreografisë.

NËN QIELLIN FIERAK
(Meditim)

Nën qiellin fierak unë eci. Mbi oazin e Myzeqese. Bisedoj me kohët. Ato që së lashti pas gjurmët kanë lënë. I pashë edhe mbrëmë. Nën hënë. Zgjatem të të shoh më mirë horizontit. Ndaj myzeqari u zgjat. Kudo mbolli plepat-kavakë. I pëlqente gjatësia. Tek ai s’kishte vend pabesia. Ndaj ikte i gjatë nëpër ditë e nëpër natë. Për të parë larg. Menduar ai ecte në ato udhë dredha-dredha. Trraga-trraga. Nga pluhuri dhe balta. Dëgjoj ende veshëve sesi zjen vatrave poçja dhe jamakja. Ndersa mbremjes fekste takia e bardhe si ndo pulëbardha gardh më gardh. Diku më vetëtijnë vijezat e rrëkezave që vene e vijne. Ato  mbrëmjen e ndezin. Janë kudo gunat me rrëke. Nga fare pranë më vjen valë-valë kënga e sylarrmes, që kapërcen mal e gardh.Unë u mbaj kabanë nepër tejfushes, anë e mbanë. Në Shëntriadhë të Semanit, ku dëgjoj atë degjoj këmbanë e, aty, bekimin marr. Eci nëpër Sheq- Marinë, ku më bën dritë lapidari. Misioni dhe ideali. E, prej aty, dal tej, në Topojë, në festën e grurit. Në këngën e grave e të burrit. Nën kuqërremtësinë e flamurit. Përsëri ikin, tej e lart me furi. Ngjitem në Apoloni. Midis atyre lisave vrapoj. Pushoj. Admiroj Toën tokë. Çdo shpend e zog. Çdo gur e zall. Ulem nën portal. Në atë odeon.  Ndjej toëkn tonë. Sikur gjëmon. Historisë më fton. Nga ëndrrat më zgjon. Ja këtyre mrekullive qëndroi dhe Augusti, i zjarrti Ciceron. Nga poshtë deti valësh gjëmon. Sytë i hedh Adriatikut. Më duket se po kendon. Është kënga e lashtë e mikut. Humbas imagjinatën pas valësh e dallgëve mjekërrbardha. Sikur pas tyre ndjek lashtesinë. Historinë. Krenarinë. Një nga një më shfaqen heronjtë tanë. Ata të gurgdhendur kapedanë. Ata ende pikojnë lavdi. Me ta flas me zemër në dorë. Ata më dëgjojnë,. Më kuptojnë. Ecim së bashku. Kohët nderojmë. Ato kujtojme. I ndriçojmë. Shekujt, dekadat e vitet i afrojme. Kjo është koha. Ajo është vizion. Është mision.