Në sfondin e një lëvizjeje dinamike, infrastruktura e universit të tij romanor, në rrethana përherë të ndryshme, nëpër interkontekste dhe intertekstualitete, rrezaton ide dhe përmbajtje të reja, situata dhe shpalime, frymë që, prore e thur, e formëson dhe e përsos projektin letrar madhor të Ismail Kadaresë…

KADARE MUND TITANËT E LETËRSISË

Ali Aliu

 Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më të njohur të letërsisë evropiane dhe botërore. Në një gjysmë shekulli krijimtarie ai realizoi një projekt letrar monumental që në vete përfshin më shumë se dyzetë vepra, të përkthyera gjithandej në botë (në afro dyzetë gjuhë). Ismail Kadaresë i atribuohet roli i një Homeri i ardhur me misionin e lartë për punët e shqiptarëve. Sot në qarqet eminente letrare frënge flitet për universin kadarean. Por, ky univers letrar ka dyert e hyrjes dhe të daljes, disponon me kode strukturore të vetat, bart shenjat e një sistemi funksional mitik: me mite dhe personazhe të cilat emetojnë (shpesh të alarmuara) sinjalet drejtuar njëri-tjetrit nëpër kohëra dhe hapësira të ndryshme, të cilat plotësohen dhe përjashtohen ndërmjet tyre nga vepra në vepër duke paralajmëruar dhe sfiduar kontekste të mundshme dhe të pamundshme drejtuar përherë nga tërësia universale dhe harmonike me parashenjat ekzistenciale dhe metafizike.

Në sfondin e një lëvizjeje dinamike, infrastruktura e këtij universi romanor, në rrethana përherë të reja nëpër interkontekste dhe intertekstualitete, rrezaton përherë ide dhe përmbajtje të reja, situata dhe shpalime të reja – frymë që prore e thur, e formëson, e përsos projektin letrar madhor…

Brenda këtij projekti letrar, i shtrirë në kohën dhe parakohën historike dhe antike shqiptare, brenda këtij portretizimi të shpirtit dhe identitetit shqiptar nëpër shekuj, përvijohet, penetron dhe është i pranishëm edhe vizioni gjithënjerëzor-misteri i ekzistencës së njeriut, i situatave të tij shpesh paradoksale, i perspektivës së njeriut, as – as, as në tokë e as në qiell, i të qenit pezull, siç do të përsiasë në njërën nga poezitë e tij më të fundit (Krishtlindjet në New York, 1997). Njeriu i këtejmë, tokësori, i ndëshkuar nga Qielli, mëkatari i përjetshëm, – mbase, pas shpalljes se “Zoti është i vdekur”, sikur mbetet varur mbi humnerën e kohës. Kështu edhe ky shtresim i dytë i pranishëm në tërësinë e universit letrar të Ismail Kadaresë, pos shpirtit shqiptar, herë më qartë dhe herë më diskretshëm tërhiqet si një hije e gjatë, ndonjëherë si vizion i artikuluar parësor.

Matrica që do të zërë, do të gatuajë dhe emetojë reflekse, sinjale mes tejkohës dhe kësokohës, mes së këtejmes dhe së përtejmes, e që ngjizet sidomos tek tregimet e ashtuquajtura me lëndë të tejkohës, do të jetë, legjenda mbi vëllanë e vdekur, Konstandinin dhe të vetmes motër, Doruntinës, martuar në vise të largëta – përkatësisht fjala e dhënë s’ëmës se do t’ia sjellë motrën, qoftë edhe i vdekur…

Përmes romanit “Kush e solli Doruntinën”, Ismail Kadareja ngriti njërën nga metaforat më globale, më të qëndrueshme dhe më të guximshme në periudhën e dorës së hekurt të diktaturës staliniste në Shqipëri: në krahët e imagjinatës krijuese, sugjeroi, “realizoi”, daljen nga izolimi i bunkeruar në botën e lirë, në botën e ëndërruar, në shëmbëllim me pamundësinë donkishoteske, me shpërthimin e kufijve të rrethuar me mort.

Po të shihet më thellë dhe më me kujdes, nga perspektiva e një determinanteje konstante, tërë universi letrar i Ismail Kadaresë, i ngritur brenda një harku kohor gjysmëshekullor, mund të vërehet se, ky univers, përplotësohet hap pas hapi, nga vepra në vepër, edhe përmes transcendentimit të kësaj bote dhe e kundërta. Shije dhe vizion të tillë prodhon edhe tendosja mitike, refleksi që rrezaton nga thellësitë mitike, nga legjenda. Dhe pikërisht ky dinamizëm mitik e ngre në shkallë majash narrative tonin ideoestetik në tërë opusin romanor të Ismail Kadaresë.

Nuk ka pikë dyshimi se në universin e tij romanor Ismail Kadare do ta projektojë labirintin më impresiv të izolimit shqiptar gjatë shekujve, e sidomos në periudhën enveriane të koncentrimit mental-fizik. Kadare i nxjerr në dritë shkaqet e ndërtimit të labirintit-atdhe, gjatë disa perandorive të mbijetuara ndër shekuj, e njëkohësisht sugjeron edhe shtegdalje.

Edhe në këtë rrafsh Ismail Kadare nuk e anashkalon çështjen kryesore, që e dallon, e karakterizon letërsinë që nga fillimet e veta – misterin planetar midis jetës dhe vdekjes. Prandaj nuk është e rastit: Ismail Kadare që nga fillimi i shkëlqimit të tij krijues, me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe deri te romani “Pallati i Ëndrrave”, do të përthithet, siç do ta thotë edhe vetë me një rast, nga ideja për “të projektuar vizionin e një ferri”.

Ai gjithashtu do ta pranojë se realizimi i një projekti të tillë është i vështirë, gati i pamundshëm – baras me donkishotizmin monumental. Kadare i njeh të gjithë arkitektët e deritanishëm të ferrit, duke filluar që nga Egjipti i lashtë, që nga Homeri e Shën Augustini e deri te Dante.

Krijimin e vizionit të ferrit, përkatësisht aktin e transcendencës, Ismail Kadare do ta nisë me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e cila do ta bëjë atë të famshëm në botë.

Në këtë roman, me “ide gjeniale” (sipas kritikës frënge), niset drejt kërkimit të “shpirtrave të vdekur”, përkatësisht nga gjeneralët e dikurshëm, të cilët bëjnë organizimin e gërmimin e varreve të ushtarëve të tyre të dikurshëm, duke i kthyer në ndërgjegjen e shqiptarëve (të cilët e bëjnë zhvarrimin), kujtimet mbi ushtarët e dikurshëm të gjallë në përleshje me vendin dhe njerëzit shqiptarë.

Ky “kthim transcendental” i tyre përputhet në mënyrë të veçantë dhe origjinale me vizionin e ferrit ballkanik. Ndërkaq, gjurmim-kërkimi pas një ferri “personal”, pas një projeksioni origjinal të ferrit, do të vazhdojë edhe tek romanet e tjera të Ismail Kadaresë, sidomos në romanin “Pallati i Ëndrrave”. Duke e shkruar këtë roman, ai në fakt realizon një ëndërr të motshme: në strukturën romanore ta paraqesë hijen e ferrit.

Dhe ashtu siç do të dëshmojë herë pas here vetë Kadareja, sa më shumë që ka menduar rreth projektit ferr, aq më të qartë e ka pasur se, në fund të fundit, fjala është për një lloj mbretërie të vdekjes, që shfaqet gjatë gjumit dhe ëndrrës, përkatësisht mbretëri e botës së përtejme të qenies sonë e cila paralelisht e njëherësh jeton pranë nesh – në ne.

Dhe të gjitha karakteristikat e imagjinimit të ferrit të grekëve antikë ishin këtu: terri, derdhja e tmerrshme e çdo gjëje, “ngrirja e kohës”, lëvizja e saj prapa, “gabërrimi” (kurthimi) në urë. Të pranishme ishin këtu edhe halucinacionet dhe errësimi i ndërgjegjes, humbja e shpresës.

Por mbi të gjitha, këtu gjendej edhe shkallëzimi, hierarkia administrative, sektorët e pallatit nëpër të cilët detyrimisht do të kalojnë ëndrrat njerëzore për një studim themelor dhe një interpretim të thellë – në mënyrë që nga tërë ajo të shfaqet pamja sipas strukturës së Ferrit të Dantes. Pastaj këtu janë edhe bartësit e ëndrrave, arkivi i dosjeve të pafund, dyshimet e përhershme mes njerëzve.

Botët nëntokësore të egjiptasve të lashtë, grekëve dhe romakëve, Ismail Kadare i përplotëson edhe më tepër, me vizionin e tij të errët dhe prej ferri, të panjohura në literaturë.

Konsekuent e në përputhje me një mit ballkanik sipas të cilit “deri te shpirtrat e ferrit mbërrihet duke ecur mbrapsht, ndryshe nga rruga e diellit”, Ismail Kadare në romanin “Pallati i Ëndrrave” niset nga realiteti tragjik shqiptar në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës dhe shkon nga historia reale e Perandorisë Osmane, përkatësisht, realitetin e despotizmit totalitar të Shqipërisë e vendos dhe e krahason me despotizmin e Perandorisë Osmane:

“Sa më tepër që mendoja për ferrin, ai në një mënyrë gjithnjë e më plastike vizatohej para meje. Ai ishte një lloj mbretërie e vdekjes, në të cilën nuk banonin njerëzit, por ëndrrat e tyre! Një pjesë e jona, njerëzore, vendosej dikund larg në ferr, kurse qenia jonë reale mbetej këtu” – thotë Kadare te “Ftesë në studio”.

Projektimi i ferrit me oborret, dhomat dhe paradhomat e tij, në imagjinatën e Ismail Kadaresë, dëshmon për një fluturim fare të veçantë donkishotesk, të realizuar gjenialisht, të paparë deri më sot në letërsinë shqiptare por edhe më gjerë.

Në vizionin mbi transcendencën, të ngritur dhe realizuar në romanet e tij kryesore “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kush e solli Doruntinën”, “Prilli i thyer”, “Pallati i Ëndrrave” etj., realizohet një hapësirë mitike e një universi hapësinor mes jetës dhe vdekjes, e vendosur brenda një “metafizike të një fati nacional”, të shënuar me mite, legjenda…

Duke shkruar me frymëzim të veçantë për Ismail Kadarenë, pas leximit të “Pallatit të Ëndrrave” në kontekstin për të cilin e kemi fjalën, Ante Popovski, me të drejtë do të thotë:

“Thelbi i metafizikës nacionale janë idetë. Pjesët në të cilat analizohet zhdukja metafizike e një populli, bien në radhën e faqeve më të bukura dhe më të tmerrshme në letërsinë bashkëkohore në përgjithësi”.

                                                                                       (Fragment i shkëputur nga libri me të njëjtin titull)