NË KËRKIM (ZBULIM) TË NOLIT
(Duke përkujtuar 45 – vjetorin e vdekjes së Fan S. Nolit, 1882 – 1965)

Ymer Çiraku
Përvjetori i ndarjes nga jeta, plot 45 vjet më parë, i një ikone të botës shqiptare, sikundër mbetet Fan S. Noli (1882 – 1965), na sjell ndërmend një varg shkrimesh e studimesh shkencore mbi veprën dhe personalitetin e tij poliedrik. Mes tyre, është edhe libri i vëllimshëm studimor “Jeta e Fan S. Nolit”, i prof. Nasho Jorgaqit, botuar 15 vjet më parë. Studiuesi i njohur dhe i palodhur, ka arritur t`i sjellë lexuesit një vepër të atillë, që për nga përmasat e interpretimit dhe informacionit, mund ta quanim një lloj fanoliane, e cila, synon që të hedhë dritë mbi një nga figurat më të shquara e më komplekse të së kaluarës së Shqipërisë, sikundër është ajo e Nolit.
Me vetëdijen dhe pengun e fragmenteve apo bosheve, që i lë pas pamëshirshëm e kaluara, shumë kohë më parë, studiuesi ka shkruar esenë e gjatë, që jo rastësisht e titulloi: ”Në kërkim të Fan Nolit nëpër Trakë”. Në thelb, këtu ishte ai synim i ngulët dijetari, i cili, mund të formulohej: ”Në kërkim të Fan Nolit nëpër histori…”. Ata që do ta quanin disi naive ngritjen e kësaj teze, nisur nga fakti se Noli, tashmë është dhe mbetet i mirëpërcaktuar në histori, do të ishin naivët më të kulluar. Për hir të së vërtetës, gjer më sot, nuk na ka munguar, që të ketë mbërritur dhe të njohim njëkohshëm: një Nol – të krijuar në mënyrë apoteoziane nga idhujtarë të tij, si dhe një Nol tjetër – atë të modeluarin ashpërsisht, nga kundërshtarët e tij.
Pra, portreti i Nolit, i rindërtuar nga morale dhe principe/koncepte mirëfilli shkencore dhe intelektuale, duket se është bashkëshoqëruar, po ashtu – edhe me një dubël portret të tij, atë të inicuar nga moralet/shtysat dhe pragmatizmat ideologjike. Pas tyre, në zonat e mjegullta të së kaluarës, është dhe mbetet Noli i vërtetë, ai që do të duhej të njihej si i tillë prej gjithkujt, pra, ai i njëmendëti. Në portretin e personalitetit të tij, është pjesa e dukshme publike, që në disa aspekte duhet të riinterpretohet; është pastaj edhe pjesa tjetër – ajo e zëna nga eklipsi i kohës, që pret dita ditës të ndriçohet. Është natyrisht edhe një fragment tjetër jete dhe aktiviteti të tij, pikërisht ai, që nuk parashikohet dot i ç’përmase, i mbajtur me vete prej atij vet (Nolit) – deri në vdekje, për të mos u zbuluar mbase dot kurrë.
Edmond de Goncourt (1822 – 1896), historian dhe shkrimtar i njohur francez i shekullit të XIX-të, dikur ka shkruar se historia nuk është tjetër – veçse një roman i së kaluarës. Sigurisht, që ai i njihte fort mirë parimet dhe synimet shkencore të disiplinës së historisë, por e dinte gjithashtu se historia, në kuptimin e gjithshkaje të kaluar, që mbetet prapa zgripit të prezentit kohor fare të shkurtër, mbulohet domosdoshmërisht nga mjegulla, apo nga njolla të padepërtueshme lehtë, ose dhe që nuk arrihet të depërtohen dot kurrë nëpër to. Shkaqet që e krijojnë këtë situatë fatale – të tretjes e humbjes nëpër vrimat e zeza të historisë të shumë dukurive të ndodhura, janë nga më të shumtat, shpesh të rëndësishme, por jo rrallë, edhe vulgare. Dhe ç’është më e rëndësishmja, me sa duket, ky fenomen është i pashmangshëm në rrugën e njerëzimit, duke krijuar dhe mistere, dhe mite, dhe paradokse, që i shtyjnë prej këtej në punë të thella dijetarët.
Prandaj historiani, krahas operacioneve abstraguese me faktet dhe me dokumentet autentikë, i ka më se të nevojshme intuitën dhe imagjinatën për rindërtimin dhe modelimin e ngjarjeve historike dhe atyre personazheve, që i luajtën ato. Pra, në njëfarë kuptimi, historiani e ka të vetën edhe atë shqisën e fiksionit të shkrimtarit, për të cilën fliste historiani francez E. de Goncourt.
Brenda kësaj logjike parashtrimi/hulumtimi, është konceptuar edhe kjo fanolianë e vëllimshme e N. Jorgaqit: të ndihmojë që të sjellë te lexuesi i sotëm, një ikonë noliane sa më afër modelit, pra, Nolit të vërtetë/real. Kësaj i ndihmojnë jo vetëm dokumentet autentikë (dhe jo komentet e tyre), pjesa më e madhe e të cilave, publikohen për herë të parë, por këtu duhet vlerësuar edhe fakti se një vend të konsiderueshëm në libër e zënë letërkëmbimet, kujtimet, publicistika… Për nga specifika e tyre zhanrore, ato e kanë më të besueshme vlerën dokumentare dhe, në aspektin psiko- analitik, e kanë më të mundshme/besueshme respektimin e së vërtetës dhe zbehjen e manipulimit.
Brenda këtij synimi, është edhe renditja e materialeve në një mënyrë të atillë, që e zbulojnë figurën e Nolit nga kënde të ndryshme e aktivitetit të tij shumëplanësh: politik, letrar, liturgjik, shkencor, duke hulumtuar deri në raportet e marëdhëniet e jetës intime, rrëfyes dhe interpretues të të cilave, jo vetëm që janë personazhe të kohës së Nolit, por janë edhe të prirjeve e bindjeve të ndryshme. Janë miq – por edhe kundërshtarë të njohur të tij, që nga Faik Konica, Tajar Zavalani, Nexhat Peshkëpia, Ahmet Zogu, Sejfulla Malëshova, Arshi Pipa, Behar Shtylla, Reis Malile etj. Kjo përzgjedhje, bën të mundur që ky libër, të mbetet i hapur për interpretime të ndryshme, apo të tjera të mëtejshme, duke i kapërxyer kështu prirjet e botimeve kanonike, që tek ne, për fat të keq, botime të këtij profili, kanë krijuar një lloj prirje/tradite të imponimit agresiv te lexuesi, që vazhdon të ndihet e të lulëzojë në një kahje të caktuar, edhe sot e kësaj dite.
Eshtë fakt se F. Noli, A. Zogu dhe F. Konica, kanë zotëruar për një kohë të gjatë skenën e historisë së Shqipërisë, në disa nga momentet kyç të saj. Këta tre patriarkë të vërtetë, ishin tre personazhe karizmatikë, që bashkoheshin e kacafyteshin, si të thuash, me furinë dhe poterën e rrëmetshme të heronjve të Eposit tonë të Kreshnikëve. Të tre kishin vetëdijen fiksasive të kahershme të misionit të parathënë mbi rolin e tyre në fatet e Shqipërisë, që në fakt, u vërtetua në aktivitetin e tyre të fushave të ndryshme. Të tre kishin veshur/hedhur në trup nga një tunike paradeske/ceremoniale dhe kishin marrë në duar nga një skeptër, si personazhe të një operete: njëri(Zogu) të monarkut, tjetri (Noli) të peshkopit, dhe ai i fundit (Konica), frakun e diplomatit. Ishin treshja e madhe e këtyre personazheve të spikatur të historisë shqiptare, që krijonin një unitet të rrallë mes tyre: dora e fortë dhe e veprimeve të vendosura nga një anë dhe shpirti idealist (endërronjës) e iluminist i zgjidhjeve të buta, nga ana tjetër. Pra, ishin mënyrat për të bërë një Shqipëri, sipas vizioneve të tyre disi mitike, gjë që ata e besonin fort. Mes tyre, qendronte Konica, shpirti i ndezur i reflektimeve të thella kritike, që më shumë sesa si mit, Shqipërinë e shikonte si realitet, një vend që paraqiste/shpaloste plagë dhe sfida të hatashme. Prandaj, me kopan të rëndë/të fortë lisi (sidomos përmes letërsisë e publicistikës së tij jo pak sarkastike), synoi dhe arriti t`ia shkundëte mirë zhelet asaj Shqipërie – për ta zgjuar nga përgjumja anadollake.
Në këtë libër, vrehet të publikohen dokumente të reja, të cilat, hedhin dritë më tej në raportet mes këtyre tri figurave, që për shumë kohë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, pse jo, edhe të deformuara prej spekullimeve mbi rolin e tyre. Në fund të fundit, ata asnjëherë nuk kanë qënë kundërshtarë deri në fund mes tyre. Në mjaft raste, mes tyre ka pasur kompromise, reflektime, bashkëpunime. Madje ftohjet dhe grindjet e tyre të mëdha, janë nxitur edhe nga rrethana personale e jo vetëm për interesa parimore. Të pohosh këto, nuk do të thotë kurrsesi se e ul nivelin e këtyre figurave, përkundrazi, duke i pastruar nga mitizimet e spekullimet, ata shfaqen më drejt dhe më objektivisht si produkte realitetesh dhe jo si krijesa fantaziste. Me sa duket, ata kishin energji të atilla, që i tejkalonin mjaft hapësirat që u ofronte realiteti shqiptar. Prandaj, ndonjëherë paraqesin edhe atë pamjen e tyre tragjiko- komike, si kalorës vërtet të mëdhenj, por të një ushtrie jo aq në rang me sërën e personalitetit të tyre, për të mos thënë se ishte fare e cofur.
Në një shkrim të botuar qysh në fillim të shekullit të 20-të, që e titullon : Ku u katandisëm, Noli bën apelin e tij profetik se, detyra e çdo luftëtari të vërtetë të lirisë, është që në kohë paqeje, ai të mos përzihet kurrsesi me politikë, duke theksuar në mënyrë apelonjëse: “Zotërinj, bëtë detyrën! Luftuat, na çliruat, i denjë shpërblimi juaj, tani hiquni mënjanë se erdhi koha e qeveritarit… Gjer tani jepnit urdhëra dhe ishit kapedanë në luftën kombëtare. Tani në luftën politike do të jeni qytetarë të thjeshtë dhe do të filloni t’i bindeni ligjit. Çliruat dhe u çliruat; nënshtrojuni ligjit dhe qeveritari do t’ju çlirojë dhe do t’ju bëjë qytetarë. I tillë qeveritar na duhet, që të na kullotë me kërrabë të hekurt në lëndinat e lirisë së ligjit dhe të thërrmojë si qeramidhe të papjekura kryekokosharët e lirisë false…”
Mund të thuhet se është porosia më e shpërfillur në historinë e mëpasme të Shqipërisë, madje, që ndihet e shpërfillur deri në ditët tona, kur shihet se nuk po na mungojnë kokosharët e ngrefosur. Si mustaqellinjve tanë të djeshëm të maleve, ashtu edhe përleshësve të thekur të sotëm të bulevardeve, as nuk u ka shkuar kurrë në mend, që t’u lënë udhë qeveritarëvë të kohës së paqes, veçse ia kanë nisur vendçe të kërkojnë reston, përmes uzurpimit të frenave të qeverisjes. Kjo paranojë e luftëtarëvë tanë, i ka velur deri në neveri shqiptarët, por në rrugën e historisë, këto lloj farsash duket se riciklohen pa ndalim.
Nëqoftëse do të kujtonim fjalët e një dijetari të lashtë (A.Tocqueville) se historia i ngjan një galerie arti, ku ka pak tablo origjinale dhe shumë kopje ose riprodhime, kjo është më se bindëse në realitetin e sotëm shqiptar, që ka shumë situata dhe sfida të ngjajshme, ose të përsëritura/ricikluara nga e kaluara. Thënë më shkoqur, mjaft pengime e katrahura të sotme, janë ato të djeshmet, në mos po janë karikatura e tyre. Atëhere, ne shqiptarët e sotëm, nuk jemi vetëm pasardhës – por jemi edhe të njëkohshëm me Nolin dhe epokën e tij. Në këtë kuptim, do të thotë se ky libër, jep mundësi për një dialog imediat dhe jo për të shuar thjesht një kërshëri. Kjo është vlera themelore e këtij botimi të studiuesit N. Jorgaqi, i cili, pa mëdyshje, mund të thuhet se po punon me kapacitet të rrallë për të përcjellë e bërë të njohura te lexuesi – një mori dokumentesh të personaliteteve të historisë së kulturës e dijes shqiptare.
Edhe pas leximit të këtij libri, të rindizet po ai parafytyrim për Nolin si Demiurg i shqipes, shtërngatë e vërtetë e fjalës shqiptare – siç e ka përcaktuar M. Kuteli. Eshtë po ai Nol, që përpara dilemave dhe zgjidhjeve vendimtare, si përpara një altari të shenjtë, do t`i drejtonte pyetjen vetes: Çfarë do të bënte Jezu Krishti, Çfarë do të bënte Napoleoni, Çfarë do të bënte Skënderbeu? Është gjithashtu ai Nol i argasur fort në dije e pak në veprim, që kur rreth tij ziente lufta e kundërshtarëve, ai, në qetësi olimpike, i frynte flautit, si të ishte në një botë tjetër. (Këtë situatë ai e kujton me humor vite më pas, në një ceremoni me bashkëatdhetarët në Amerikë, pra, atë punën e fyellit – siç e pandehnin/quanin shqiptarët e thjeshtë flautin. Kur kishte ardhur në Shqipëri, Noli kishte marrë me vete edhe flautin, që lidhej me pasionin e kahershëm dhe formimin e tij të njohur muzikor. Në një kafene, në Tiranën e atyre viteve, atëhere kur Noli mbante detyrën e kryeministrit, një qytetar pyet i shqetësuar se si do të venë punët/hallet e Shqipërisë. “Keq e mos më keq”, i përgjigjet dikush. “Po pse kështu”? – ia pret tjetri: “Po si mund të ndodhë ndryshe, kur vendi digjet e kryeministri i bie fyellit…”)
Është pra, ai Nol …shkrimtari i plisit të dheut, Anté i literaturës sonë, lis i moçëm me rrënjët e ngulura mirë në të thellat e dheut, siç e ka vlerësuar aq esencialisht E. Çabej këtë personalitet, në një nga esetë e tij. Dhe akoma më tej, është po ai Nol, i mbetur pa Ibrik Tepé (vendlindja) e pa Atdhé, për t’u endur si çifuti në shkretëtirë, përherë duke i duruar stoikisht andrallat e shqiptarëve, sepse, siç pohonte: “Më ka zënë shqipja…” (sikur të thoshte: më ka zënë dalldia, më ka zënë xhindosja e shqipes.)
Më së fundi, përmes këtij libri të studiuesit N. Jorgaqi, shohim e ndiejmë se është po ai Nol, i përfytyruar prej nesh me atë rrason e peshkopit derdhur përmbi trupin e shkurtër e me atë buzëqeshjen e ëmbël dhe enigmatike.

