Me iniciativën e Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim ne Institutin e Librit dhe Promocionit, Shtëpinë Botuese “Toena” dhe Bibliotekën Kombëtare, u zhvillua një takim me shkrimtarin Fatos Kongoli.

Takimi në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, salla ” Sotir Kolea”, u bë në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e 80-vjetorit të lindjes të shkrimtarit.

Ishin të pranishëm shkrimtarë, botues, gazetarë, të rinj, studentë e dashamirës të letërsisë së Kongolit. Merrnin pjesë edhe nxënls të Gjimnazit “Qemal Stafa”, gjimnaz në të cilin ka studiuar vetë shkrimtari Fatos Kongoli. Të pranishmit diskutuan mbi jehonën e shkrimeve dhe kritikës, së veprave letrare të Fatos Kongolit, në median e shkruar, vendase dhe atë të huaj.

Në këtë aktivitet folën mbi jehonën e letërsisë së Kongolit, Dhimitraq Furxhi, drejtor i Kulturës në bashkinë e Tiranës, shkrimtarja e pedagogia Majlinda Rama dhe Nevila Hoxha nga Instituti i Librit dhe Promocionit.

Fatos Kongoli  iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, duke ndarë momente të bukura nga jeta dhe veprimtaria e tij krijuese. Ky është një vit i mbushur me aktivitete letrare dhe ekspozita në nder të shkrimtarit.