Nga Majlinda Rama/ Proza e Baki Balës i përket letërsisë realiste dhe është në sinkron me zhvillimet letrare të sotme, në pikëpamje të narracionit.
Ajo që bie në sy, në të dy romanet e tij, është sinqeriteti me lexuesin, të qenit origjinal dhe pa pretendime të tipit ‘të bëjë sugjestion’, porse të jetë krejtësisht i hapur në ndjesi, rrëfim dhe emocione, varësisht, personazheve protagonistë.
Ndonëse në romanin e parë ‘Marina’, autori na sjellë një ngjarje që e ka ndeshur/dëgjuar gjatë rrugës së tij, në romanin e dytë, ‘Sikur ta dija’, ai guxon t’i japë lexuesit një tablo autobiografike.
Sigurisht, kush merret me letërsi e di fare mirë se historitë autobiografike janë paksa të vështira të paraqiten tek lexuesi, sepse janë të pashmangshme konvencat e humbjes së sensit të masës. Që do të thotë se tregimtari mund të kompromentohet nëpër teknika të rrëfimit, duke humbur natyrshmërinë, sinqeritetin dhe të udhëhiqet nga një ego, që del shpesh, përmbi dëshirën e tij për ta shfaqur. E, në këtë kontekst, autori Baki Bala, meriton një përgëzim, sepse, në një kuptim, ka ditur ta ruajë këtë ekuilibër emocional gjatë gjithë progresionit të subjektit.
Në fakt, kush e ka lexuar romanin ‘Sikur ta dija’, kam bindjen se e ka gjetur veten në një farë mënyre, kam parasysh veten në një perspektivë tjetër, ndoshta të ndryshme nga ajo e autorit, por të ngjashme në koherencë.
Duhet theksuar se Bakiu, sfidën e tij të jetës, e ka kthyer në art. Më konkretisht; ndonëse protagonisti i romanit, Roberti, është përballur me një sëmundje fatale, të pakthyeshme, ai gjen forca të na japë mesazhin e jetës, duke na dhënë shpresë dhe mundësi për të parë thellë brenda vetes dhe të vlerësojmë çdo çast.
Baki Bala, na tregoi me këtë libër se nuk i është dorëzuar sëmundjes, por letërsisë, përmes saj ai frymëzohet, e sheh botën me ngjyra dhe arrin të krijojë realitete paralele nëpër një dritë tjetër, gati – gati hyjnore.
Bakiu, apo Roberti si personazh, e rrëfen jetën e tij valë – valë, ashtu sikurse ka ardhur, ai na paraqet deri në detaje, ngjarjet e jetës, anëtarët e familjes, sakrificën sublime të bashkëshortes Ana, e cila sipas rrëfyesit është bërë një kujdestare e devotshme, duke u vetëmohuar përpara prioritetit të madh që, në këtë rast është ky njeri i dashur i saj që dergjet në shtrat.
Në thelb romani “Sikur ta dija” trajton gjithë jetën, me të tërë komponentët e saj, ai bën një rrugëtim në fëmijëri, në rininë e hershme, kohën studentore, kohën e dashurisë, punën, zhvillimet rreth tij, dhe, sigurisht, që boshti i gjithë prozës fokusohet në sëmundjen ë personazhit kryesor, për të cilën, autori duket se ngre shumë pikëpyetje, nëse është gjenetike apo nëse vjen si pasojë e jetës profesionale.
Shkrimtari-personazh, si askush tjetër, ia di kuptimin momentit, dhe e paraqet atë bukur dhe me vërtetësi. Të veçanta janë çastet kur ai na tregon luftën psikologjike të mospranimit të sëmundjes, në fazat e para të saj, dhe përballjen me fazat e tjera të kronologjisë, atë të pranimit të realitetit, ashtu sikurse është. Dhe, në fakt, tërë filozofia e jetës njerëzore, qëndron pikërisht aty, mes luftrave të përhershme të pranimit dhe mospranimit, si dy procese krejtësisht antagoniste, por thellësisht të lidhura me njëra-tjetrën.
Bakiu, nuk e sheh sëmundjen si një proces tranzigjent, ai e paraqet si një ngjarje që duhet pranuar dhe këtë përjetim të tij në jetën reale na e rrëfen edhe si letërsi të bukur. E rrëfen në mënyrë stabile, të qëndrueshme, konstante, por ajo ç’është më e rëndësishmja, stabiliteti i tij duket në aspektin mendor e shpirtëror për t’u admiruar. (Ndjehet qartë edhe ritmi rrëfimtar që buron nga vetëbesimi i autorit).
Romani “Sikur ta dija” veç të tjerash, duhet shqyrtuar edhe si një ftesë për ta parë në sy realitetin e secilit prej nesh, atë që universi na ofron si individ, sepse ai, (romani) është edhe ‘një përplasje në fytyrë’ për kohën ku jetojmë, për përditshmërinë tonë, atë që letërsia e ka mision në vetvete, dhe që ka të bëjë fshikullimin ndaj krizës së vlerave, varfërisë shpirërore të shoqërisë, dhe rrezikut të shpërbërjes së familjes.
Si e bën këtë Bakiu?
E bën duke dhënë shembullin konkret, atë realin, atë më të vërtetin që ai po jeton. Ai na jep personazhe të mrekullueshëm të mbushur me vlera morale, të dashur, familjarë, të lidhur me njëri tjetrin, të gatshëm për t’i përballuar si një trup i vetëm betejat që koha ua ka vënë mbi shpinë. Kam parasysh këtu, përveç protagonistit, Robertit, gruan e tij, Anën dhe tre vajzat e familjes, të cilat i japin shoqërisë modelin e familjes tradicionale të kohës së re, kësaj të sotmes, që shumë e quajnë moderne dhe që shpesh ia humbin kuptimin e dikurshëm, duke e bërë institucionin e familjes çdo ditë e më të brishtë.
Thënë më qartë, në kohë të tilla, shpesh të keqpërdorura në qëndrime, opinione, thënie-kundërthënie, ku etika sociale është në zenitin e zbehjes, apo me njerëz që, çështjet e moralit, ligjit e të ndërgjegjes, i shkelin, apo edhe më keq, me qasje e variacione pro dhe kundër jetës, vjen Baki Bala me këtë libër dhe na tregon se ka qenë i vëmendshëm ndaj gjithckaje që dëmton shoqërinë dhe na jep një leksion jete dhe dashurie, na ndërton një standard të dashurisë universale, përtej çdo apatie a dorëzimi.
Bota e romanit është e mbushur plot me jetë, pa artifica, dhe perceptohet si e tillë edhe në lexim, sepse na zbret me këmbë në tokë.
Dua të ndalem pak edhe tek struktura e romanit dhe figuracioni i pasur. Ndonëse autori nuk është nisur me mendimin t’i përmbahet një strukture fikse, ai na jep një paraqitje dinjitoze të librit si subjekt dhe ndërtim. Romani vjen me konstruksion fabular tërheqës, autori ka ditur t’i japë hapësirën e vetë prologut, zhvillimit të ngjarjeve, epilogut apo mbylljes që për mua është pjesë më e kreative e romanit, kur protagonisti përballet me zërin e brendshëm, një përballje që na ndodh të gjithëve, shpeshherë dhe ëshët përballja më vëhstirë, fitorja me zërine brendshëm.
“Zëri im i brendshëm…Dështova, pasi e ardhmja më rezultoi e ndryshme nga parashikimi. E vuajta shumë këtë fakt derisa e pranova dhe bëra paqe me veten. Nëse ti, zëri im i brendshëm, do më pyesje se si e ndiej veten sot, do të përgjigjesha: Shijoj të sotmen, pa humbur shpresën për të ardhmen…”
Po ashtu, duhet theksuar se, autori ka sjellë pa sforco, të natyrshme, solare, të ngrohta dhe shumë organike, një figuracion të pasur me metafora, krahasime dhe similituda, të cilat i japin ngjyra gjithë dramës që përshkon romanin. Rikthimi tek ngjarjet e shkuara është një gjetje që e ka pasuruar korpusin përmbajtësor, i cili shoqërohet nga një leksik i pasur, por edhe na jep detaje historike, të cilat autori nuk i ka patur ndërmend t’i sjellë si të tilla, por që sinqeriteti me rrëfimin(që përmenda pak më lart), ia ka nxjerrë këtë gjë të bukur, të këndshme, duke e bërë prozën e tij, hera – herës befasuese.
Nga ana tjetër, sintaksa që përdor Bakiu është e qartë, e pangarkuar dhe shpesh të jep një përfytyrim të menjëhershëm të stilit të tij, (që, siç thotë francezi Buffo “Stili-sinonim i vetë autorit”)… pra në një sens, kur lexon librin, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një autor që ka kulturë të gjerë, kulturë gjuhe dhe një stof të mirë intelektual.
Dhe në mbyllje, do të preferoja shumë që Bakiu, në një ribotim të mundshëm të librit, t’i hidhte tej emrat letrar, për të lënë ata, të vërtetët, ata që e kanë bërë këtë histori, që po e jetojnë këtë histori dhe, që të gjithë, së bashku, po i japin shoqërisë një model frymëzimi, atë të qëndresës, sidomos të qëndresës sociale. Pra, le të shpalosen për lexuesin këta heronj të heshtur, që po na thonë shumë, emrat e të cilëve dua t’i përmend në shenjë respekti dhe admirimi: Bakiu, Valentina (bashkëshortja), Edlira, Ardita dhe Eriselda. Për të gjithë ju, do doja ta mbyllja fjalën time me mesazhin universal të Bakiut, i cili thotë diku: “Çdo ditë që agon, është e ardhme!”.