PROFIL

Modeste, delikate, elegante, me një botë të pasur shpirtërore, me pasion e vullnet larg bujës e reklamës, Anita është një artiste e vërtetë. Jeta solistike e pedagogjike e ngjeshur si edhe drejtimi i katedrës së pianos për një kohë të gjatë, gërshetohen më së miri dhe evidentojnë tiparet e një artisteje të konsoliduar duke i dhënë vendit një nga personalitetet më të spikatura që ka ngritur nivelin pianistik, artistik e kulturor jo vetëm në Universitetin e Arteve, por edhe e skenat jashtë vendit. Me talentin, përkushtimin e pasionin e karrierës së gjatë e të sukseseshme, Anita Tartari do të mbetet nga figurat më të rëndësishme të interpretimit dhe pedagogjisë pianistike shqiptare, si edhe të muzikës e artit në vend.

 

Nga Ana Kaçinari

Anita Tartari, u lind më 27 korrik 1945 në Tiranë në një familje qytetare. Babai Nimet Tartari, financier, ka studiuar në Gjimnazin Harry Fultz në Tiranë, ndërsa nëna Adlije Tartari (Kuzmi) mësuese me profesion, është shkolluar në Institutin “Nana Mbretëreshë” në Tiranë.

Anita nisi studimet për piano në moshën 7 vjeçare në Liceun Artistik fillimisht me ped. N.Gabeci e më pas me ped. E. Kacidhja; studime të cilat i përfundon në 1963 dhe po këtë vit konkurron ne Konservatorin Shteteror të Tiranës ku vazhdon studimet me profesorin e ardhur nga Kina Cen Bi Gang (me ikjen e tij i përfundon ato me Prof.M. Kristidhi në vitin 1968).

Menjëherë me përfundimin e studimeve emërohet pedagoge e pianos principale pranë Konservatorin. Shtetëror të Tiranës ku vazhdon për 50 vite (1968-2018) pa nderprerje (një nga rastet e rralla në Universitetin e Arteve) deri në daljen e saj në pension në vitin 2018.

Talenti i spikatur si edhe intensiteti i jetës artistike e pedagogjike e rendisin shumë shpejt ndër pianistet klasike më të shquara të skenës si edhe nga figurat më të njohura të vendit duke qenë kështu protagoniste e ngjarjeve më të rëndesishme të jetës muzikore e artistike te asaj kohe, si edhe një nga figurat kryesore të artit shqiptar.

Në vitin 1995 kryen specializim pas universitar ne Akademine Santa Cecilia në Rome.

Me daljen në pension në vitin 2018 largohet me deshirën e saj nga impenjimi akademik per t’ia lënë vendin më të rinjve, duke mbyllur kështu aktivitetin pedagogjik me diplomimin e dy pianisteve mjaft të talentuara e të pregatitura, H.Cane dhe M.Aliaj.

Aktiviteti Artistik

Anita ka realizuar një numër të madh koncertesh solo, e shoqëruar me orkestër si edhe në ansamble të ndryshme të Muzikës së Dhomës me muzikë të kompozitorëve shqiptarë e të huaj në Shqiperi e jashtë saj si: Kosovë, Maqedoni, Itali, Portugali, Zvicer,etj.

Duke qenë se aktivitetin koncertal, interpretimin në publik e ka filluar që në moshën 7 vjecare, repertori i saj i pasur përfshin që nga stili barok, klasik, romantic, kontemporan dhe natyrisht shumë vepra të kompozitorëve shqiptare.

Kujton koncertin e parë që ka luajtur në sallën e Koncerteve te Konservatorit Shteteror të Tiranes (viti 1963). Ishte koha kur në atë sallë luheshin te gjitha shfaqjet e Teatrit të Operas (opera, balete, koncerte, etj). Anita maturante e Liceut Artistik ishte perzgjedhur ne koncertin e fundvitit dhe luajti Koncertin e Grieg e shoqëruar nga Robert Radoja.

Me lojën poetike e të ngrohtë pasqyron pjekuri si pianiste me përvoje të gjatë koncertale. Eleganca e saj pasqyron nivelin e lartë profesional si edhe një aristokraci,e cila rralleherë shihet në skenat shqiptare.

Tingulli brillant, frazat e përkryera ,mendimi i thellë muzikor, transmetohen më së miri e me finesë tek publiku. Loja e saj mbart një sharm të veçantë.

Ka bashkëpunuar me orkestrat e R.T.Sh.,T.O.B.,A.Arteve si edhe me dirigjentet: M.Krantja, R.Teqja, F.Deda, E.Koco, E.Krantja, J.Barbullushi, B.Llapaj, R.Cène.

Është pjesëmarrëse disa herë në Dekadat e Majit si soliste e shoqëruar me orkestër (ku veprat luheshin premierë) në : T. Harapi Rapsodi për piano e orkestër (1967), T.Harapi Koncert nr1 për piano e orkester (1969), S. Shupo Rapsodi për piano e orkestër (1979),

Ibrahimi Poème koncert për piano e orkester (1985), G. Mullahi Tripel Koncert për piano violinë cello e orkestër (1985),etj. Ishin vetë këta kompozitorë që përzgjodhën Anitën për të luajtur këto vepra.

Gjithashtu ka luajtur:

-F. Liszt Koncert nr2 per piano e orkestër (1974) A.Arteve

-L.W.Beethoven Fantazi për piano kor e orkester (1981) T.O.B.

-F.Liszt Koncert nr 2 për piano e orkester (1985) T.O.B.

-J.S.Bach Koncert për 2 piano e orkester (2000) T.O.B.

-Mozart Koncert për 2 piano e orkestër T.O.B.

Ka pasur vepra që i ka luajtur më shumë se një herë por me dirigjente, orkestra e salla të ndryshme si:

-Liszt koncert nr 2 La major në Sallën e A.Arteve- (1974)

-Liszt koncert nr 2 në Sallën e T.O.B (1985)

-Harapi Koncert nr 1 në Sallën e A.Arteve (1969)

-Harapi koncert nr 1 (1981)

-Harapi-Rapsodi nr 1 A.Arteve (1968)

-Harapi- Rapsodi nr 1 (1971)

-F.Ibrahimi-Poeme koncert. T.O.B.(1985)

-F.Ibrahimi-Poeme koncert A.Arteve (1986)

Si edhe një repertor të gjerë me piano solo me vepra nga:

Scarlatti, Haydn, Mozart, Beethoven, Chopin, Liszt, Brahms, Debussy, Teodorakis dhe natyrisht më shumë vepra shqiptare.

Në vitin 1989 —1990 realizon dy recitale në T.O.B me program :

-T.Harapi-Cikli me 12 miniatura

-F.Ibrahimi-2 pjese nga Baleti Gj.E.Alija ,Tokata

-C.Zadeja – Prelud, Improvizim, Tokata nr 2

-K.Lara – Cikli me 10 prelude, Ballada nr 3, Skerco

-D.Scarlati – Sonata

-J.Haydn – Sonata in C Major

-W.A.Mozart – Fantasia in D minor

-F.Chopin – Prelude

-F.Liszt – Années de pèlerinage,

Valle d’Obermann

-C.Debussy – Arabesque nr1, Clair de lune, Feux d’artifice;

program të cilin e ka interpretuar dhe më pas në Itali e Zvicer.

 

Në vitin 1979 në “Skenat e Kosovës” në Prishtinë, luan per herë të parë jashtë shtetit Tokatën e Feim Ibrahimit. Pjesa më e madhe e interpretimeve te Anita Tartarit është e dokumentuar në shumë orë regjistrime e filmime ne Arkivin e R.T.Sh.

Vlashi (violinist) ka shkruar:

-Anita Tartari një yll i pianos shqiptare,nga ato yje që megjithëse lëvizin në qiell nga njëri vend në tjetrin, nuk e humbin kurrë shkëlqimin. Sharmi i saj do te mbetet reference nder breza.

Një pikë shumë e rëndësishme e karrierës së saj ka qenë edhe muzika e dhomes, që siç shprehet pianistja, ka mbajtur “koncerte pa numërim”. Pasioni per te qenë pjesë në ansambël mesa duket ka qenë një dhunti e fshehur e saj duke ardhur natyrshëm nëpërmjet dëshirës për të interpretuar me përkushtim. “Muzika e dhomës luan një rrol tepër të rëndësishëm në formimin artistik të instrumentistit”, shprehet pianistja. “Të interpretosh me një frymëmarrje, të përjetosh të njejtat emocione dhe ti transmetosh këto tek publiku nuk është e lehtë… duhet teper unitet dhe formim të konsiderueshëm artistik. Por kur kjo arrihet, niveli i interpretimit artistik është i një stadi tjetër, shumë më të lartë”.

Anita kujton kur qe ende nxënese në vitin e trete të Liceut Artistik momentin ku u përzgjodh nga Prof. Y. Skenderi, violoncelist i rrallë, për të shoqëruar dy studentë në Konservatorin Shteteror: R. Papavrami e M. Denisi me Tchaikovski Koncert e Dvorzhak Koncert; një kënaqësi e përgjegjësi e dyfishtë. Pianistja zotëron një repertor të pasur të muzikës së dhomës te cilin e ka luajtur në skena në Shqiperi e jashtë, me instrumentistët më të shquar të vendit: l.Madhi, M.Denisi, G.Cako, Gj.Antoniu, G.Laro, F.Vlashi, D.Tartari, P.P Gjezi, A.Kraja, A.Berovski, R. Xhoxhi, A.Prosi, J.V.Papadhimitri, Gj.Shestani, B.Doshlani, S.Frasheri, E.Mihali, B.Sykja, L.Radovani, R.Ripo, K.Skenderi, A. Spahiu, S.Spahia. Si edhe me instrumentistet e huaj: G.Poulet, M.Grube, P.Amoyal, etj. G. Poulet (profesor i violines ne Konservatorin Superior te Parisit) do të shprehej mbas koncertit recital me Anitën në sallën e koncerteve në T.O.B: -Është pianiste me kulturë dhe shumë e përgatitur. Ndaj me të, të gjithë suksesin e koncertit dhe duartrokitjet e publikut! Në program interpretuan: Franc- Sonata, Brahms Sonata nr3, Ravel Cigania dhe duhet përmendur fakti se i gjithë koncerti u pregatit ne vetëm dy ditë.

Pianistja në veçanti kujton koncertet me violinistin me famë botërore Tedi Papavrami (gjatë viteve 2000-2009) në Shqipëri e Kosovë, me vepra të zgjedhura nga literatura botërore. Pianistja shprehet se ka qenë një experiencë e bukur e një fat bashkëpunimi me të. Për vite me radhe ka qenë pjesëtare e Trios së Akademisë së Arteve: I. Madhi, M.Denisi, A.Tartari dhe me vonë I.Madhi, A Tartari e G.Laro. Me një numër të madh koncertesh në të gjithë Shqipërinë dhe si grupi i parë klasik që mori pjesë në “Skenat e Kosovës” në Prishtinë (në vitin 1978). Aftësia e saj për të lexuar shumë shpejt a prima vista dhe për të përvetësuar me një herë stilin e kompozitorit dhe karakterin e veprës ,si dhe përshtatja e lojës dhe personalitetit artistik të çdo instrumentisti e bënë shumë shpejt një nga pianistet më të preferuara dhe të përzgjedhura dhe sot, njihet si nga pianistet më të kualifikuara dhe më me klas të lojës në Ansambël.

 

Aktiviteti pedagogjik

Ka një experiencë pedagogjike 50 vite pa ndërprerje në Shkollën e

Lartë të Artit, sot Universiteti i Arteve (nga rastet e rralla në Universitetin e Arteve)

Është një nga themelueset e shkollës pianistike shqiptare, duke dhënë një kontribut të shquar në konsolidimin e parimeve themelore të interpretimit

pianistik shqiptar. Janë mbi 120 studentë që kanë studjuar dhe janë diplomuarë klasen e saj me shembuj të shumtë suksesesh si brenda edhe jashtë vendit. Janë shumë emra pianistësh të talentuar e të formuar,

mjaft të suksesshem në skenat Shqipetare e veçanërisht jashtë saj si: G.Tukici, E.Hasa, M.Trebicka, Dh.Lazo, E.Nini, D.Kuraja, A.Xhakovic, I.Picari, K.Qosja, (L.Elezi, P.Hoxha Kosove), M.Kruja, A.Xoxa, E.Dakoli, A.Fejzo, M.Sykja, E.Peçi, A.Kaçinari, E.Aliaj, H.Cane, M.Aliaj e shumë të tjerë. Anita Tartari është gjithashtu një redaktore e kujdeseshme dhe e pasionuar e veprave më të rëndësishme të kompozitorëve shqiptar që kanë pasuruar dhe zënë një vend të rëndësishëm në programet shkollore, disa prej të cilave i ka luajtur vetë për herë të parë në skenë.

Ka punuar me studentët pothuaj të gjithë repertorin shqiptar e pianistik botëror të shkruar per piano, që nga paraklasikët deri konteporanët. Vepra të cilat ata i luajnë në skenat shqiptare dhe jashtë saj.

-Jam perpjekur – thotë pianistja – që studentëve t’u jap më të mirën time, duke u kujdesur të mos cënoj personalitetin e talentit të tyre.

Till Egel, pianist e profesor i pianos në Konservatorin e Essenit (Gjermani), mjaft i njohur në Akademinë e Arteve në Tiranë për kontributin e vyer që ka dhënë për vite me rradhë, kuptoi menjëherë vetëm nga intepretimi se Memela (fituese në konkurim me mbi 100 pianistë) ishte studente e Anitës.

 

Shoqata Chopin

Duke qenë se për vite me rradhë (1995-2015) ka qenë zv. edhe Presidente

e Shoqatës “Chopin” ka udhëhequr, konkurse, festivale, koncerte duke promovuar talente të reja dhe duke u dhënë një mundësi më shumë

artistëve shqiptar e të huaj të tregojnë aftësitë,talentin dhe formimin e tyre artistik. Ka qenë disa herë kryetare jurie, në Konkurset e “Chopin”, “Epta”, “Tirana Talent”, etj. Është bashkëautore e librit “Manuali Metodik” për piano.

Vlerësime:

-Është vleresuar me disa çmime në Dekadat e Majit.

-Ka marrë Urdhërin Naim Frashëri.

-Ka titullin “Artiste e merituar” (1989)

-Merr titullin “Profesore” 1995

-Ka marrë Medaljen e Mirënjohjes nga UART (2011)

-Ka marrë Medaljen e Mirënjohjes nga Qarku Tiranë (2018)

-Është nderuar me Medaljen e Argjendtë “Gloria Arts” nga Ministria e Kulturës së Polonisë (2011)

Modeste, delikate, elegante, me një botë të pasur shpirtërore, me pasion e vullnet larg bujës e reklamës, Anita është një artiste e vërtetë. Jeta solistike e pedagogjike e ngjeshur si edhe drejtimi i katedrës së pianos për një kohë të gjatë, gërshetohen më së miri dhe evidentojnë tiparet e një artisteje të konsoliduar duke i dhënë vendit një nga personalitetet më të spikatura që ka ngritur nivelin pianistik, artistik e kulturor jo vetëm në Universitetin e Arteve, por edhe e skenat jashtë vendit. Me talentin, përkushtimin e pasionin e karrierës së gjatë e të sukseseshme, Anita Tartari do të mbetet nga figurat më të rëndësishme të interpretimit dhe pedagogjisë pianistike shqiptare, si edhe të muzikës e artit në vend.