Kryeministri i vendit Edi Rama nga Lalzi i Durrësit foli për suksesin e sezonit turistik veror. Sipas Ramës, në 6-mujorin e parë të vitit, nga sezoni turistik janë gjeneruar më shumë se 1 miliard të ardhura.

“Vetëm në gjashtëmujorin e parë, ne kemi kaluar 1 miliard të ardhura në ekonomi, nga turizmi, dyfishin e vitit të mëparshëm. Flukset vizitorëve të huaj, deri në Gusht, kanë qenë në 5 milionë e 600 e ca mijë turistë që është e barabartë me faktikisht 1,3 milionë më shumë se sa vitin e kaluar”.

Foli për stimulim të sispërmarrjeve me 4 dhe 5 yje.

“Shpeshherë keqkuptohet ose keqinterpretohet qëllimisht për t’iu krijuar njerëzve idenë se kjo që bëjmë ne me këto struktura është favorizim i më të pasurve. Në fakt krejt e kundërta është e vërtetë”.

Në krye të pastërtisë renditi Tiranën dhe Bashkinë e Lezhës, por pa thumbuar nuk la edhe kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli, i cili ndodhej në sallë.

“Sot me përjashtimin spektakolar të Bashkisë së Vlorës mund të themi se kemi pasur një sezon jo më të pastër se ndonjëherë, se në krahasim me pisllëkun që kemi qenë, është një sezon realisht i pastër”.

Pa ironizuar nuk la edhe Lulzim Bashën, në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Ishte simboli i pisllëkut që ra në gjumin e thellë që ndoshta tani të gjithë e kanë harruar bashkë me atë që gërhiste”.

Zhvillimimin e turizmit në vend e sheh të lidhur me infrastrukturën portuale.

“Porti i Durrësit do të jetë porti më i madh i Mesdheut. Dihet se çfarë sjellin portet turistike. Kështu ka nisur porti i Vlorës, një tjetër xhevahir në të gjithë bregdetin shqiptar me një tjetër potencial të ardhurash. Po kështu edhe porti i Sarandës, jemi mbrapa pak, por brenda parashikimit me portin e Shëngjinit”.

Prerazi tha se nuk do të jepen më leje për fshatrat turistike, nëse nuk ofrojnë hapësira argëtimi për fëmijët.

“Nuk do japim më leje për fshatra turistik që nuk do të kenë komponentin për hapësirat për fëmijët. Ashtu si edhe në hotele nuk do japim më lejë nëse nuk është komponenti i argëtimit për fëmijët”.

Sërish iu rikthye ndërtimeve pa leje në bregdet, duke ngritur gishtin e akuzës ndaj përfaqësuesve të drejtësisë.

“Jemi ndjerë shumë herë të turpëruar për fajin e llumit në drejtësi. Llumi në drejtësi bashkë me atë në Policinë e Shtetit dhe atë nëpër inspektoriate e ka shumë të lehtë të çojë me ndihmën e prokurorëve të zellshëm që kur vjen puna tek ndërtuesit e mëdhenj, e mbyllin me para çështjen”.

Pavarësisht optimizit të shifrave për këtë sezon, Rama nuk e fshehu edhe ambicjen e radhës që tha se ka për ta bërë Shqipërinë turistike 365 ditë të vitit.