18 punonjës të burgut të Fierit janë ndaluar dhe po hetohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre duke favorizuar në dhënien e masave lehtësuese për personat që vuajnë dënimin në këtë institucion penitenciar.
Në dosjen e hetimore të siguruar nga TV Klan, nga verifikimi i kartelave për 54 të dënuar në burgun e Fierit konstatohet se në mbi 300 raste ata kishin përfituar ulje dënimi, amnisti dhe liri me kusht në bazë të dokumenteve të falsifikuara nga administrata dhe dorëzuar në gjykatë si prova.
Orë shtesë pune të cilat nuk ishin kryer asnjëherë, nxjerrja e raporteve pa vendosur masat disiplinore të marra gjatë vuajtjes së dënimit, nxjerrja e dokumenteve për përfitim amnistie në këtë burg edhe para krijimit të burgut të Fierit, ishin disa nga shkeljet e konstatuara nga Prokuroria e Tiranës.
Emrat e të dënuarve përsëriten disa herë në të gjithë dokumentet e përpiluara nga zyrtarët e seksionit të shërbimit social, ligjor, policor dhe shërbimit të brendshëm të cilët i kanë favorizuar.
Hetimi i cili ka nisur që prej të paktën 1 muaji pas referimeve të bëra nga Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm në Burgje, çoi para drejtësisë 18 zyrtarë e ish-zyrtarë të Burgut të Fierit si dhe administratorin e subjektit që ushtron aktivitet privat në këtë institucion, pasi nuk kishte vendosur sahat për matjen e energjisë elektrike duke sjellë mospagimin e një shume mbi 876 mijë lekë të rinj.

