Shkolla “Bashkim Fino”, pjesë e buqetës së 12 shkollave të reja që u hapën këtë vit shkollor në Tiranë, u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Erion Veliaj: Vjet hapëm 14 shkolla, sivjet 12 shkolla të reja dhe 8 kopshte; do të vazhdojmë me paketën edhe vitin tjetër, por unë besoj se që nga koha e shpalljes së Pavarësisë, në Shqipëri nuk janë ndërtuar kurrë kaq shumë shkolla në një dorë.

Evis Kushi: Ndërtimi i kësaj shkolle, pikërisht këtu, është një kontribut shumë i rëndësishëm për zonën, sepse ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve dhe kapaciteti i saj prej 900 nxënësish, natyrisht do të ndihmojë për të zhdukur fenomenin shkollave me dy turne.

Duke kujtuar ish-kryeministrin Bashkim Fino, i cili mori drejtimin e vendit me një mision të veçantë, si ai i pajtimit kombëtar në vitin e vështirë 1997, Veliaj tha se ende pas 24 vitesh Shqipëria ka nevojë për pajtim kombëtar.

“Kemi folur shpesh me Kryeministrin dhe një nga diskutimet që kemi pasur me Edi Ramën është: si mund të sjellim prapë pajtimin kombëtar, për të cilin Bashkimi luftoi aq shumë. Ma brengos zemrën kur shikoj çdo ditë këta që diskreditojnë njëri-tjetrin. Ishte një grup që dilte për “Samiun”, pastaj një grup për “Jeronim De Radën”, pastaj një grup që ka filluar të dalë për shkollat që po bëhen me ndihmën e OKB dhe BE, procedurat e të cilave sapo kanë filluar. Si mundet në vitin 2022 të flasim ende për pajtim kombëtar?! Si mundet në vitin 2022 të ketë njerëz që merren me politikë dhe varen te kangjellat e shkollave?! ,,,, Dukej vit i largët kur citoja Bashkim Finon, që thoshte se ka nevojë për pajtim kombëtar dhe ka nevojë t’i rikthehemi shkollës, por me sa duket është ende e vërtetë sot. Sot kemi nevojë vërtet për një pajtim kombëtar!”