Kryedemokrati Sali Berisha ka ritheksuar sërish se protesta kombëtare e opozitës e thirrur më 3 Mars nuk ka lidhje me datën kur pritet të merret vendimi në Gjykatën e Apelit për PD-në, por ka vetëm me Edi Ramën, teksa ka shtuar se fokusi është Kryeministri.

 

Jolldiz Mitro: Nuk dua të paragjykoj vendimin e Gjykatës së Apelit të 3 Marsit, por në rast se KQZ nuk ju regjistron ju në garën elektorale të 14 Majit, do ju shikojmë po kaq urtë e butë në protestat që do të thërrisni me objektiv kryesor kryeministrin Rama?

Sali Berisha: Ajo protestë nuk ka lidhje me vendimin e gjykatës, por në rast se e bën Edi Rama atë, ai është vendim i Edi Ramës. Nuk besoj se ato kanë ndërgjegjen e atij gjykatës që bën palë atë që nuk është palë kurrë sepse aty është gjithçka. Këtu është një parim i madh në drejtësi, nëse ecim në këtë mënyrë, çdo parim në drejtësi rrëzohet. Unë e kam shumë të vështirë ta besoj që një trup gjykues mund të vendosë në këtë mënyrë.

Kemi punë me Edi Ramën, kjo është gjithçka. Kush tha se do të qëndrojmë urtë e butë? As atëherë e as tani. Edi Rama ka punë me ne, ja them këtu publikisht dhe haptas. Një njeri që thotë se “shkoj në Parlament kur të dua”, një njeri që anulon ligje me Byro Parlamenti, kjo është shuarje e Republikës, anulon ligje me SMS, i thonë kësaj. Kjo kalon çdolloj imagjinate, prandaj do të kemi punë me të, do të kemi punë shumë me të. Fokusi është Edi Rama.