Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bëri të ditur sot se 31-vjeçari që goditi kreun e PD-së, Sali Berisha ka precedentë të mëparshëm kriminalë, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur në orën 12:25, në tubimin e organizuar ditën e sotme, gjatë të cilit shtetasi G. Sh. goditi me grusht, deputetin S. Berisha, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Tiranë po kryejnë veprimet procedurale për shtetasin G. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës””, thuhet në njoftim.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se 31-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminalë për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve”, bëri të ditur Policia e Tiranës.
Gjithashtu, shtoi Policia, “sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët e tij, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh, për këtë”.
“Hetimet po vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes”, theksoi Policia./atsh/ Revista Time

