8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, u përcoll me protestë në Tiranë, ku gra të moshave dhe profesioneve të ndryshme marshuan me pankarta me kërkesa për të drejtat dhe liritë e grave.

Nën sloganin “S’festojmë! Marshojmë! Për një jetë pa dhunë për gratë dhe vajzat!”, u përcollën mesazhet për rolin e pazëvendësueshëm të grave dhe vajzave në ndërtimin dhe udhëheqjen e paqes në botë.

Marshimit i janë bashkuar edhe mjaft qytetarë të cilët kanë zgjedhur 8 marsin si një ditë për t’i dhënë zë dhunës ndaj grave, apo fenomeneve të tjera që rëndojmë më së shumti mbi to.

“E nevrikosur deri në vezore”; “Dhuna është streha e fundit e të paaftëve”; “Gratë nuk janë të sigurta në Shqipëri”; “Drejtësi për Xhoin!”; “Dhjaksat i rrahin gratë”; “Gjetja e klitorit gjueti thesari”; “Paqe në familje paqe në botë”; “Lule për 8 mars apo lule për varr?”; “Akses në shëndetësi për gratë transgjinore”; “Lufta e burrave për liri, festohet, lufta e grave për liri, po nuk i shërbeu kombit, gjykohet”, ishin disa nga shkrimet në pankarta që kanë të bëjnë më së shumti me barazinë gjinore, trajtimin e grave në Shqipëri apo dhunën ndaj tyre.