PA TRAJTË

Pa trajtë,
Qelq i marrtë,
sy i lëbyrtë zemre
grimcë e pakapshme dhe e ndritshme
Drite.
Orë, javë e vite
(Shkasin nëpër mendje)
Qe ujë, a çaste që rridhnin pritje?
Teksa ajo rrihte shpejt e më shpejt në kraharor
Hapa shpirtin
Ku strukej e priste lirimin(lirinë)
Afërdita.
Dyrrah, 26 mars 2018

 

PUSHTIMI NGA RETË

Mali u shfaq krejt papritur. Makina ecte shtruar dhe dikush bisedonte, dikuesh, dremiste, dikush dëgjonte muzikë. Bisedonim duke na befasuar . I pari e vuri re shoferi, mandej unë. Fillimisht na u krijua përshtypja se mos një déjà – vu na ishte shfaqur para syve.
Nga doli ky mal pas lagunës, si mal në mes të detit ? – e pyeta.
Nuk e di – më tha. Është gjë e bukur, por s’di me ta shpjegu.
Ka mbirë mali në mes të detit, apo është afruar ndonjë ishull. Si është puna?
Mos është ndonjë shenjë fundbote?
Zot, ç’shenjë po na dërgon? Ruajna, në mos ne, fëmijtë, të dashurit, ardhmërinë.

***
Silueta të bruzta, të heshtura
muzgut të portokalltë.
Mandej njerëz do të bëhen
te e vona në ndajnatë.

Mirëpo ti nuk je mes tyre.
Je bërë dritë.

Dhe zemra më bie,
më thyhet,
bëhet copë e thërrime
si një glob i kuq
e i kristaltë.
plazhi i Durrësit,
28.7.2020

 

GJYSMËSHPIRTI

Brofje e tromaksur nga gjumi i lig
në natën krejt të dehur nga yje magjikë.
Kllapi e jerm u ndalën sakaq mes territ
si lundërthyeri në breg pas dallgëve të tmerrit.

Krahëkëputur zemra më ra në fund të shtatit
si kurm’i të mbyturit në taban të oqeanit.
As vend, as orë,as frymë nuk kish gjëkund
e fill i hollë i jetës m’u bë se u lëkund.

Veç një lavjerrës përkundej diku në hapësi,
palca e shtogut shpërfillëse vejevinte në zbrazëti.
“Më erdh vallë dekika ?! – pyeta i limaksur,
tek një gropë pashë mes gjoksit dhe barkut.

Një dritë seç shkreptiu si krismë mes të errtit.
Ç’fanepsej ashtu? Demonët a të shenjtit ?
Dritë e zemrës ish, që kish dalë jashtë shtatit
e çoç desh t’më thoshte n’at orë të lugatit.

Veç pak foli gjysmëshpirti e mandej u zhduk
Në trup a në hiçmosgjë s’di ende ku u fut.
Zgjohu njeri, – tha se Koha nuk të pret.
Ndryshe më s’do rrah e vdekja të thërret.

Brofa e u vesha, dola ta kërkoj,
Atë që më tha zemra, lugati a ç’djallin qe !
Dhe sot ende endem hapësirës
veç gjegjje nuk më jep zemr‘ e errësirës.

 

ZËRI I DRITËS

Ky zë që vibron
është dritë,
fosfor eshtrash a tamël yjësie?
Vishemi me parashuta ëndrrash
harlisemi florës së jetës përditë
e ngjasojmë me spore dashurie.

Dheu i butë ku mbillemi
ai prapë na selit, ringjall,
Bëhemi gjemba, gardenia, apo lisa
të këndellur nga zëri i parë.
13.02.’16

 

ÇAST E PËRJETËSI
Nga puthja vallë erdhi vrik rrufeja,
që buzën përflaku dhe mishin e kalli ?
Nga ashti të lindë, vizëllojë ajo dritë
që shpirtit i ndrit si anijeve fari ?
Kohë e parrokshme të shkon nëpër gishta,
si grimëçasti në shkretani të pafundësisë,
tek rendja të të prekja rroka veç erën
prej ajri fluturak që firon përjetësish.

 

SA NJË PSHERËTIMË
Dritëza qyteti në sy hyjnë ,
shigjeta fotonesh në retinë,
Silueta, qelqnaja, frymorë,
si vorbull tornadoje vijnë.
Gjithë botë e njeriut
lë gjurmë në Kohē
sa një psherëtimë.

***
Pak pluhur yjesh,
rënë si kujtim i bardhë,
mandej një pëshpërimë
si flok bore mbi ograjë.

Pajtonin e zemrave me frerë agu
Kupidi
grah pa u lodhur ditë e natë.

Shigjeta rozë
që vjen me furi,
cilin kraharor do të godasë ?

Pyesni kalorësin më pas.

 

PALMA DHE MALL

Palma flokëprera rreshkur nga malli
për kujtimet e verës,
tretura tash larg në kohë.
Edhe ty të mori krifë e dallgëve.
Jelet e kujtesës shpupurit era
e cikla jodi spërkasin mbarë një botë.

Krifa shkumëzuese të shpie oqeaneve.
Jerm, xhelozi, mandej shuarje n’ato dallgë.
Jo si rrahjezemrat cfiltëse për ty,
tërbuar para, fashitur pas,
te gjiu të kthjenë prapë,
jo më ujë të njelmët,
por mall.

 

ATDHEU NUK KISHTE MË VEND PËR NE

Oh, gjemi!
Na vrave sot dhe bashin
Në brinjë na e zhyte si bajonetë.
siç dhëmbët e piranjës a peshkaqenit
copëtojnë mishin e të mbyturit.

Dhimbja e ujit, lemeria e detit
Më të mëdha se llahtara jonë.

Kështu ne ramë
në barkun e Jonit,
me trupat e klithmat,
me foshnjat e shpresën,
me mushkëritë e kafkat
të mbushura me ujë.
Delfinët në zi për shpirtrat tanë.
Toka na kish braktisur si njerkë e ligë.
Deti na mbajti në gji,
na u bë baba dhe varr.

Atdheu nuk kishte më vend për ne.

FEMIJE TE DRITES – poezi, proza poetike
ZHAK PREVER – ‘ Edhe një herë për lumin‘, përkthim