Agron Xoxa, i diplomuar për muzikë, (pianist e kompozitor), prej një jete i është përkushtuar artit dhe kulturës, duke dhënë një kontribut të çmuar në evidentimin, zhvillimin dhe promovimin e saj. Është fitues i disa çmimeve artistike. Si djali i shkrimtarit të madh, Jakov Xoxa, Agroni nuk kishte sesi të linte mënjanë pasionin e tij për letërsinë. Qysh në rininë e hershme, ai iu dha leximit të veprave madhore të letërsisë shqipe e botërore, ndërsa nuk reshti së krijuari edhe panteonin e letërsisë e vet. Në vitin 2000, Agron Xoxa do të vinte për lexuesin me vëllimin poetik “Sot jam i tillë”, një vëllim që paraqiti botë të madhe, shpirt të thellë e emocional dhe dije të kultivuara të tij. Edhe më pas, pasioni për letërsinë do ta shtynte Agronin në të tjera shtigje, duke sprovuar veten në gjininë e vështirë të prozës. Dhe ia doli me sukses. Në vitin 2003 do të botonte librin “Tregime dhe novela”. Angazhimet e jetës së përditshme e larguan prej botimeve, por jo prej krijimit. Agroni, edhe pse ende nuk ka trokitur tek lexuesi me një libër të tretë, ka në proces botimi përmbledhjen me tregime “Tregime të një udhëtari të pashpresë”, romanin “Portat e vdekjes” si dhe dy vëllime me poezi.
Covid dashurie
Zemër e vogël,
erdha tek ty e ti erdhe tek unë,

me shpirt të lirë,
e lirë si era,
e shtrenjtë sa është e vjetër vera,
e menduar, si heshtja pyllit, muzgut,
me të paktin zë, të ëmblat fjalë,
e dashur, si katars i kaltër qielli,
e brishtë, si shtriqje mëngjesi,
e menduar, hënë e qartë, e plotë,
e mençur, e hijshme,
e askush s’të afrohet, dot,
vrull lumenjsh në pranverë,
kur të shoh e më vjen te dera
lumturi e ëmbël më mblidhet në fyt,
më puth një çast në sy,
e ikën si era…
Zemër e pastër,
edhe nëse për një çast
nëse me mua s’je,më dërgo veten me zogun fluturak
më dergo ty, të të shoh në sy
çoma një puthje, të filloj një ditë tjetër
çomi sytë, të shoh zjarrin të më vlojë në gji.
Më dërgo fjalë, të qetësoj shpirtin valëve.
Më dërgo fletë, të fluturoj unë tek ti,
e të vij të të shtrëngoj në gji,
se unë jam i plotë, yti, këtë e di,
e, i lumi unë,
ndoshta edhe ti…
S’ka gjë,
çomi të gjitha, në ke besë përmbi dhe
çoma dhe covidin, ai do jetë i dashur
nga ty, le ta marr,
ta fus në gji,
ta puth e ta ledhatoj
edhe se dashuri me të, nuk bëj dot…
Por, do ta ruaj dritë syri,
është nga ty, si çdo gjë jotja, e ëmbël.
Do jetë përherë në syrin tim,
si lule, edhe se e tharë e ftohtë, dëborë
si një e dashur, dorë që hidhet t’më takojë,
Është covidi yt
në timen dorë, e, askush s’e shtrëngon
dot nga sot.
E di,
paskëtaj është ai që urdhëron.
Është ai që më zë grykë e më merr frymën
e më hedh kufomë mbi çdo tallaz,
është ai që këndon këngë,
këngë zie, makabër e mort,
është ai, që bërtet e qesh çdo çast
jo si palaço, por si burrë i rëndë,
është ai që heq valle në çdo arkivol
djall makabër, e në çdo mort,
edhe në timin,
e di, ai atë do, atë,
se pa të, ai nuk mund të marrë frymë
as të jetojë.
Quo Vadis, people?
Në natë të qetë e qiell të errët, pa re,
në rrugën me shtëpi tiranase
e pallate të larta në qiell,
mbjellë me lisa e pisha, në dy anët,
çdo kalimtar, pa ardhur ky i zi vit,
qëndronte ndonjë çast e mbante vesh,
se si era e ngrohtë frynte mbi lisa
e lisat bekonin erën,
si shiu rrebesh, i vjeshtës e dimrit
vërshonte mbi pisha,
e pishat qeshnin me rrebeshin
se me shiun kishin lerë e rritur
nga e njëjta mëmë,
nga i njëjti At’e dhé…
Ndodhte shpesh, atëherë, njeriu me njerinë
takoheshin miq, me zili a xhelozi,
edhe servilë, penduar, rrëfenin hile
rrengje pas shpine, përballë bënin be e rrufe
me whiskey a përpara një gote birrë,
marrë në gojë gjithçka, me fe e të pafé…
Ndodhte, atëherë,
që burri gjente gruan me hipsin lapërdhar
gruaja e nxirrte burrin shtëpie
ai i qeshte dhe nga pas.
Ka ndodhur, atëherë
që një njeri i mirë, takonte rrugës një horr,
horri pajtonte vrasës, e bota ditë më pas
mbetej me një njeri të mirë më pak…
Po, kjo ish jeta atëherë,
pa cipë, pa moral, me shumë Judë përreth.
Bijë të një bote të pabesë!
Po, kjo ish, kjo ish, kjo ish!
Sot kemi Covid,
jemi, pak nga pak një Covid më shumë,
e bota sot ka një tmerr të ri, një Covid
një Trend të ri…
Dhe kjo nuk është shpifje, as shpikje…
Ai është Mbret e ministër,
Sot, perandorë, me atribute Zoti, Perëndi,
pa dogana, pa kufi, pa hekura e zinxhirë
pa ciklopë gur rrethimi, pa kala, pa mur,
sot jemi të tërë një,
secili është unë e ti.
Covidi na unifikoi!
Çdonjeri nesh, është sot lebroz
copa-copa, njëri izoluar e tjetri jo,
njëri mund të bëjë ende dashuri
pjesa tjetër, jo…
Sot jemi të gjithë kolegë-kolere-murtaje,
jemi në shitje, në pazar
e nuk është në Wuhan, ky pazar
është në çdo skutë e vend, gur a ujë, kësaj bote.
Shpirti ynë sot nuk merr më frymë
ka mërguar nuk dihet ku,
e as do dihet ku ka mbërritur e lëngon
vajton Këngën e Mallkimit, n’atë vend,
këngën, të tërën, të mjerën
në çdo atom e molekulë të saj,
në copa-copa shpërthyer, gjithçka
gjer në kockë, havada…
Po, kjo ish jeta, kjo ish kjo botë,
kjo ish, kjo ish, kjo ish…
e pacipë, e pamoralë, pa liri, pa ndjenja,
pa Dashuri.
Kjo ish Jeta dhe Bota jonë, dikur pa Covid,
se sot, Covid 19 e nesër 20 e 21,
nuk do kemi më asgjë,
e do turremi, me sopata, shpata, topa
të shkalafitur copash e flakur
hedhur qensh, mish për ujqër të rinj.
Bota sot ka të tjerë padrino e padronë,
Sot, ne të mallkuarit,
që gjallojmë të shqyejmë e të shqyhemi,
në arenë jemi, stadium botëror
e nga aty filloi ky Vit me Covid
i pari kampionat, i tillë,
kampionat botëror…
O njerëz, jemi ne gladiatorët
me njëri-tjetrin na kanë vënë përballë,
siç i vinin dikur, një e nga një
në gijotinë.
Të sigurt jemi
e kokulur, nën sopatë e hanxhar
në lëmë të djajve po vemi,
pa gaz e fitore thërasim:
Rroftë ky Vit, rroftë ky Covid…!
E le të na çojnë, askund tjetër
veç në një drejtim, pa kthim pas,
në asgjësim!
…
Në një natë tjetër,
po aq e qetë e qiell të errët, pa yje e re
dhe në rrugën plot pemë e shtëpi
me pallate shumëkatësh
mbjellë nga dy anët, me pisha e lisa,
por, ajme, sot janë pa gjethe
të thara deri në rrënjë, deri në ind…
Jam unë sot, i vetmuari kalimtar,
e veç ca muaj përpara, pa ardhur ende
ky i zi, ky Vit,
Çdokush qëndronte një çast, dëgjonte,
si era e ngrohtë frynte mbi pisha
si pishat bekonin erën,
si shiu rrebesh, i vjeshtës a i dimrit
vërshonte mbi lisa
e si lisat qeshnin me rrebesh
se me shiun ishin rritur e lerë
nga i njëjti baba e dhé,
e nga e njëjta mëmë…
Por sot, nuk ndodh asgjë e tillë
trend-i nuk e lejon,
e nga sot, as dhe hapat e mia, të vetmuar
a, kaq të rrallë kalimtar,
më nuk ndihen
as më nuk flasim,
askush më nuk gëzon e vuan
se, askush prej nesh më nuk jeton.
Bij’ të një bote pa shpresë!
E nga sot, të tjerëve, jo si ne,
Covid 22, a një tjetër më i ri, ua ngjisim pas,
gjer në të plotin, asgjësim…
Dhe bërtasim njëzëri:
Oh, njerëz, ku po shkojmë, vallë,
ku po shkojmë…?
Quo Vadis, people…?
Quo Vadis?
Jam apo s’jam?
Jam apo s’jam, kjo është çështje,
deri më sot nuk ka qenë,
e do pyes, po nga sot pse është,
Do pyes ty, veten, ajrin, detin,
do pyes malin, pyjet, qytetin,
do dëgjoj njerëzit dhe do mallkoj…
Kë? Shtetin? E pse?
Kush do më thotë nga sot, si deri dje,
jam a s’jam Covid, jam a s’jam kolerë,
jam lebroz, a jam skarlatinë…?
Jam Covid, a s’jam
nga kush e pres në jam.
Kush vë sot damkë në kurriz, kryq murimi,
shtyllë turpi, kryqëzimi,
kush vallë mund të jetë kaq mizor, djallëzor,
vërtet është një epruvetë, a laborator
që ka gjithësinë e secilit prej nesh,
në një të makabërt dorë…?
Vallë jeta sot është kthyer lodër fati
apo është e gjora luledele,
që ti këput petalet e mban në dorë
me shpresë sheh, më do a s’më do
kjo koronë, ky virus…?
Edhe një vashëze, që mund të më thotë
më do a s’më do, deri këtu
mund ta lë fatin në duar të lodrës.
Më do, s’më do, kush, është e vetmja
më do ti, të dua unë, e zgjidhim
më do ajri e mali, e zgjidhim,
më do jeta a vdekja, e zgjidhim edhe këtë.
Dy vazhdoj të pyes, më do deti e uragani,
më do orteku e tufani, më do vallë, mëngjesi e nata,
më do hëna më do dielli, më duan yjet e qielli…?
Më duan gjithë sa janë,
përgjigjem edhe vetë, pa qënë gjeni.
Por, s’jam unë a të tjerët, s’është as shteti
që ia marrim kryevalles me dasmorë,
është një kryehorr skutash në flori, Ai,
fshehur, një djall plak e i ndyrë.
Phu, sa i pështirë, edhe ta them…
Ai është kryedjall me një kazan kaba,
rrotullon vorbën e çorba zien e vlon,
vërdallis një kryelugë,
të gjithë turren, hanë në ata sahanë,
pijnë verë gjaku, një hata,
skenë makabre që kur covid erdhi ndër ne…
Sot bota ka çjerrë tisin në avlend,
sot bota dhe shtetet
hanë nga një lugë çorbë rreth vorbës
e na vjellin Ne,
që deri në vdekje u shkojmë pas…
Mjerë kush pyet ata, më do a s’më do,
unë jo, s’do pyes, do hesht paskëtaj.
E ç’vlerë ka nga sot në hesht a bërtet!
Por e dua një përgjigje, jam apo s’jam, sot
jam vallë një Covid, një Koronë…?
Dua përgjigje, kush mund, të ma thotë,
sido që të jetë, përgjigje do kem sot, zyrtare,
e pres nga epruveta, laboratori,
e deri atëherë do hesht e shkoj kokëulur
pa përgjigje e i përulur,
do mbes…
Dashuria
Dashuria është një lumë, pa kufij, portë e urë
që rrjedh e ecën pa limit kohe,
e kohërat humbin, pa barriera a distanca
e barrierat shkrihen në ngjyra,
e distancat s’kanë hapësira midis…
Dhe drita lundron në çast,
kalon përmes njërës anë në tjetrën,
unike dhe e bërë njësh…
Dashuria,është një lumë energjie
drite toke e ujërash,
që nuk mund të mbahet në zgjedhë
kurrë e kurrë.
Ajo s’qëndron dot e qetë, pa turbullim
në një shtrat të vetëm.
Dashuria ime nuk është si një Lumë,
ajo ka kohën e saj e do humbë,
bashkë me mua,
ka barriera e këto janë tek Ti,
e vetëm aty,
ka distanca, aq sa janë midis nesh
kur unë jam unë, e ti je ti…
Dashuria ime është e gjerë, e gjatë, e thellë,
ajo rrjedh, ecën udhëve të mia,
ajo është një det,
është një oqean i tërë,
strukur më rri e tërbohet, në kraharor
e, që nuk e nxë dot kurrë a t’i vërë kufij
as shtrati ku fle e shoh të miat ëndrra,
as shtati im rinor a me thinja,
as edhe vetë trupi im…
Dashuria ime për ty është një shpirt i mbushur tejendanë
i pashtershëm, i papërmbajtshëm,
pa adresë të njohur, afër a larg…
Dashuria ime nuk ka adresë qyteti a metropolesh,
nuk niset me postë, të mbërrijë zarf
e Ti ta marrësh në dorë
ta kqyrësh e vetme, pa mua,
pa sytë e buzë të miat
pa krahët e gjoksin tim të gjerë, të forte.
Port anijesh në ankorim,
aty të të struk, të të mbroj erërash
shtrëngatash a turbulencash,
një port me shumë dyer hyrjeje,
e veç me një anije, që rri aty,
përherë, pa kthim…
aty dua, të të shtrëngoj fort e fort,
ty, e vetëm ty…
Dashurinë time për ty nuk e mbajnë dot brenda
pa thirrur hov as dhe njëqind luanë a herkulë,
se ajo është kudopërhapur,
nuk rri e qetë,
as edhe thellë-thellë brenda shpirtit tim…
Dashurinë time nuk e mban dot kush muresh, në zinxhirë
as dhe një e madhe zemër, qoftë kjo e imja,
nuk e mbajnë dot tek i çirret botës
as linja aeroplani a Interneti,
nuk e zbulon dot afër, lart
hapësirash pa kufij, NASA.
Ajo nuk fluturon të përhapet vijë ajrore
kurrë e kurrë,
ajo është këtu e këtu do qëndrojë, përherë,
se, shtrihet e thellë, e gjerë,
sa gjatë e përgjatë tokës,
pyll tragjik e madhështor.
Tokë, toka ime,
dheu im i prorë…
Dashuri e parë dhe e fundit,
edhe me Covid,
po ajo, po ajo…
Frymën tënde dua
Frymën tënde e dua,
dua ta kem pranë çdo ditë
edhe atë me Covid,
ta ndiej të hyjë ndër flegra
të më dehë në çdo dammar,
si frymë e butë, mërmërimë,
ujë përroi pyllit të shelgjishtë
tek derdhet e lehtë, pandjerë
çdo mëngjes, në dimër e verë…
Frymën tënde dua, e dua pranë
qafën e hollë edhe më tepër,
çdo sekondë e çast, edhe atë me Covid.
Jam copë me të mirat, edhe me të keqen
diçka do më mbetet, se pa to, pa të gjitha
nuk marr dot të bëj hap e rrugë,
Ti dhe Covid,
sa të ndryshme e sa afër
kur mendoj të dyja bashkë, e di,
herezi mallkimi janë të dyja,
s’më lënë të marr frymë, sa jam gjallë,
s’më lënë as mendjen të fluturojë lire,
s’më lënë as të ndalem, të eci ashtu kot,
marri e mallkuar, janë,
të dua të livadhisem, sa këtej
e sa matanë…
Frymën tënde dua,
edhe atë me Covid
e dua për oksigjen e jetë, ta kem pranë,
nuk di ç’është dhe përse e dua
por di mirë se kam nga të gjitha
por diç mungon,
e s’di të them pse shkoi pyllit a malit
pse zemra më del vendit, rreh si e marrë
humbur, braktisur, lodhur, rraskapitur,
në marrëzi, si prej mallit…
Frymë nga buzët e tua dua
askund të migrojë, të pushtojë çdokënd
e di mirë, mund ta murosë,
Frymë nga buzët e tua, dua,
tani, sot, çdo sekondë e minutë që ikën
edhe se e di, buzët e tua janë larg,
Tepër larg t’i thith në etje, në epsh e ankth.
Ato buzë i çelen mëngjesit me vesë,
thithin endërruese ajrin natës,
kthejnë oksigjen, kallkan a send,
sjellin shi, vërshime vjeshte
e tek bie, lëshon afsh ndër fusha e ara,
e buzët më çahen, thahen çara-çara,
si toka vrraga, papunuar kurrë,
kores bërë shkëmb tek shkërmoqet pluhur
erën e parë, pas verës së gjatë e pa shi,
pa breshër e vërshim…
Frymën e buzëve të tua, dua,
e dua se me të kujtoj një jetë të tërë
i humbur a i lumtur,
edhe me Covid, veç ta kem pranë,
prandaj them se e dua
me të, ha e pi me uri e etje të marrë
flas me ty, marrim frymë bashkë,
e pyes këdo rrugës zhurmëmadhe
nëse gjendet, ta blej me flori atë frymë
atë frymë e psherëtimë të dashur,
të më shuajë etjen e urinë, se pa të
s’mund e s’mund dot,
pa të gjithësend mund ta bëj veç i ftohtë
e të harroj se kush më do e në më ndjek
sot askush nuk jeton më me kujtime,
as im bir e as grua tjetër,
se të marrosur hidhen e vënë zjarr
çdo gjëje që u del përpara,
jo më me ndjenja e kujtime,
por të ftohtë, kapak kompjuteri
e asgjë s’ngel më të kujtosh i lirë,
në këtë të përbotshmen histori…

