Mësimet e një shkrimtari të dënuar me vdekje

Jean-Marc Dupuis

Të dashur lexues! Shkrimtari rus Dostojevski ishte 28 vjeç kur u kap nga policia e u dënua me vdekje, për komplot kundër carit. Një mëngjes, në dhjetor 1849, rojet erdhën për ta marrë. E prangosën, i lidhën te sytë një shirit që të mos shihte. Por, ndërsa pushkët ishin drejtuar tashmë drejt tij, ekzekutimi u ndërpre.

Në çastin e fundit, cari kishte vendosur ta falte.Trauma është e tillë që Dostojevski bëhet një epileptik i rënduar. Gjatë tridhjetë viteve që i ngelën për të jetuar, ai iu përkushtua shkrimit të romaneve, ku u përpoq të rikthehej në përballje me vdekjen, të cilën nuk arriti ta harrojë kurrë.

Ai pati shumë fatkeqësi të tjera në jetën e tij, si: dëbim në galeritë e Siberisë, shkatërrim ekonomik, sëmundje, vdekja e fëmijës së tij të dashur në moshën tre vjeç… Por pas gjithë këtyre përvojave të tmerrshme, ai qëndroi me idenë se asgjë nuk ishte më e keqe se siguria e vdekjes që ai kishte njohur në qelinë e tij e deri në çastin e fundit.

Të gjitha poshtërimet, ofendimet, vuajtjet, sëmundjet, i dukeshin më pak të tmerrshme se sa pritja e togës së ekzekutimit. Problemi nuk ishte vetë vdekja (e cila na pret të gjithëve), por aspekti i saj i programuar, mekanik, administrativ.

Njeriu nuk mund të jetojë nëse e di saktësisht se kur do të vdesë

Ai vërejti se njeriu nuk mund të jetojë nëse e di saktësisht se kur do të vdesë.

Nëse i jepni një ditë e një orë, ai nuk mund të mendojë për asgjë tjetër. Të jesh i privuar nga çdo shpresë, pasiguri, zbrazëti, është përtej asaj që ne mund të durojmë. Te “Idioti”, ai e përshkruan gjatë këtë pritje të dëshpëruar, deri në çastin, që duket se zgjat në përjetësi, kur njeriu i dënuar dëgjon tehun e gijotinës që bie në qafën e tij.

Në “Krim e Ndëshkim”, ai do të bëjë që krimineli Raskolnikov, i mbërthyer nga ankthi prej frikës së një ndëshkimi, të thotë: “Kur e lexova atëherë, mendova Raskolnikovin ndërsa vazhdonte rrugën e tij, si një njeri i dënuar, një orë përpara ekzekutimit, tha ose mendoi se nëse ai do të jetonte diku mbi një shkëmb, në një vend të rrafshët aq të ngushtë saqë do të kishte vend vetëm për këmbët e tij, dhe i rrethuar nga reshjet, oqeani, errësira, vetmia dhe stuhia e përjetshme, e, nëse do i duhej të qëndronte ashtu mbi një këmbë, mbi një hapësirë katrore gjithë jetën e tij, një mijë vjet, përjetësi, e pra, ai më mirë do të preferonte të jetonte ashtu sesa të vdiste! Jeto, jeto me çdo kusht! S’ka rëndësi se si, por jeto! … Sa e vërtetë! o Zoti im, sa e vërtetë! Pavarësisht se si, por jeto!”.

Dhe me të vërtetë, Dostojevski do të përpiqet të përshkruajë heronjtë që jetojnë “pa marrë parasysh se si”. Lojtari që është duke u rrënuar, babai i zhveshur që braktis fëmijët e tij, alkoolisti që prostituon vajzën e tij për të pirë, nëna e çmendur nga dhimbja që shkon e egërsuar mbi të vegjlit e saj që po vdesin nga uria…

Drita e vogël që shkëlqen edhe në errësirat më të thella.

Por këta heronj të neveritshëm do të qëndrojnë, çuditërisht, gjithmonë njerëzorë e thellësisht prekës.

Sikur veprimet e tyre, cilatdo qofshin, nuk mund të shkatërronin kurrë te ata flakën e njerëzimit e madje të hyjnisë, e cila ndriçon, edhe në errësirat më të thella. Kjo dritë që bashkon të gjithë njerëzit dhe i bën ata, pavarësisht paraqitjeve, të gjithë vëllezër, të gjithë në të njëjtën anije.

Për Dostojevskin, ne të gjithë jemi engjëj e demonë, më keq se kafshët, por edhe të aftë për të qenë më të mirët, të dobët e të fortë, të tërhequr nga Parajsa e nga Ferri.

Që, disa prej nesh, të shkojnë në një drejtim ose në një tjetër nuk është kurrë, për të, një arsye për t’i përbuzur ose për t’i adhuruar.

Kujdesuni, më në fund, për jetën tuaj!

Ideali i tij, është njeriu që ndalon së ankuari për fatin dhe papërsosmëritë e botës.

Njeriu që ndalet së shqetësuari për gjithçka që të tjerët bëjnë gabim (ka shumë për të bërë, sidoqoftë ne kurrë nuk do të përfundojmë), më në fund fillon të kujdeset për jetën e tij, për zemrën e tij dhe mobilizon me të vërtetë energjinë e tij në përpjekje për të ndaluar dëmbërjen rrotull tij dhe, nëse është e mundur, përpiqet për të ndihmuar.

Shkurt, njeriu që “ndalet së vështruari qimen në syrin e fqinjit dhe që kujdeset për trarin që është në syrin e tij”. Ky ideal i jetës së jashtëzakonshme paraqitet në detaje në biografinë e një mjeshtri shpirtëror, Stareti Zosimé (Stareti ishte murg shërues dhe profet në Rusinë e vjetër ortodokse). Kjo biografi është ndërthurur në librin tre, të “Vëllezërve Karamazov”, kryeveprën e tij, të cilën e mbaroi disa javë para se të vdiste, në janar 1880.

Përgjegjës për gjithçka, para të gjithëve

Stareti Zosimé (pra vetë Dostojevski) e sheh njerëzimin si një “oqean”, ku të gjitha pikat janë të lidhura me të gjitha të tjerat. Asgjë që ne bëjmë, mirë apo keq, nuk është e pareflektueshme ose indiferente. Sa herë që bëjmë diçka të gabuar, kjo mund të shërbejë si shembull, si pretekst, si justifikim, si nxitje për një person tjetër i cili, gjithashtu, mund të bënte të keqen kur t’i paraqitej mundësia, e kështu deri në atë pikë sa të shkaktonte, ndoshta, vuajtjet më të mëdhà, krimet më të tmerrshme.

Gjithashtu, sa herë që kalojmë pranë mundësisë për t’a bërë të mirën, nuk e kemi mundësinë, ndoshta, për të frymëzuar një person në drejtimin e duhur, i cili do të kishte frymëzuar një tjetër, pastaj një tjetër etj., gjë që, në fund të fundit, mund të kishte penguar një person të bënte të keqen.

Pasoja e tmerrshme është: Sipas tij, sa herë që na ndodh fatkeqësi, ne duhet të supozojmë se kjo fatkeqësi mund të mos ketë ndodhur nëse, për një kohë të gjatë, ne do të ishim sjellë në mënyrë shembullore. Është e arsyeshme ta konsiderojmë veten përgjegjës për krimet më të këqija të kryera në të gjithë botën, kushdo qofshin autorët.

Në asnjë moment nuk mund të jemi të sigurt se nuk kemi “asgjë për të parë”, “asnjë përgjegjësi” në një fatkeqësi që ndodh. Edhe kur ne vetë duket që jemi plotësisht viktimë, të pafajshëm, të një padrejtësie, duhet të kërkojmë në veprimet tona mendimet tona, të kaluarën tonë, përgjegjësinë që mbartim.

Për shembull, “Nëse atë ditë nuk do e kisha lënduar vëllanë tim të vogël, ai mund të mos kishte bërtitur, nuk do e nervozonte fqinjen, e cila nuk do e godiste me pëllëmbë djalin e saj, i cili nuk do ishte revoltuar, i cili nuk do të angazhohej në një parti politike ekstremiste, që nuk do të kishte…. etj”

Dhe kështu, përdorimi i vetëm i arsyeshëm i energjisë, i talenteve tona, i kohës sonë, i burimeve tona, është që të përpiqemi ta bëjmë veten të paqortueshëm e të ndalojmë së shkaktuari spiralen e së keqes që mund të shpjerë në katastrofa që kapërcejnë imagjinatën tonë.

 

Dostojevski parashikon gjenocidet e shekullit XX

 

E pabesueshme por e vërtetë, Dostojevski kishte parashikuar, në vitet 1860, gjenocidet e shekullit XX. Për të, këta“lumenj gjaku”ishin të pashmangshëm. Ata ishin pasoja logjike e ideologjive materialiste që mohonin ekzistencën e së mirës dhe të së keqes, të cilat ishin zhvilluar atëherë në Europë dhe pushtonin, në mënyrë të parezistueshme mendje njerëzish në të gjithë Rusinë (ato që ata i quanin “ide të reja”).

Në mënyrë të pashmangshme, thoshte ai, nisur nga çasti kur njerëzit fillojnë të mendojnë se bota do të funksiononte më mirë nëse e shpëtojmë nga disa njerëz ose grupe shoqërore të dëmshme, projekti do të kryhet, herët ose vonë. Kjo është arsyeja përse ai insistonte aq shumë në rëndësinë e kushtimit të energjisë sonë, të jetës sonë, për të mos analizuar gabimet e të tjerëve e për të shmangur fajtorët, por për të përqëndruar vështrimin mbi veten, për përgjegjësitë tona në fatkeqësitë tona dhe ato të të tjerëve rrotull nesh.

Pavioni i Kancerozëve (Aleksandër Sollzhenjicin)

 

Këta pasqyrime të Dostojevskit frymëzuan shumë shkrimtarë. Ato ishin në veçanti në origjinën e një libri shumë të bukur të botuar në vitin 1968, “Pavioni i Kancerozëve”. Autori i saj, Aleksandër Sollzhenjicin, vetë ai, një i mbijetuar nga kanceri, mori çmimin Nobel për letërsi dy vjet më vonë, në 1970.

Ky është një libër rekomanduar të gjithë personave që kanë kancer, ose që kanë dike nga të afërmit rreth tyre me kancer, por dhe, më tepër, për të gjithë ata që nuk e kanë takuar ende këtë sëmundje.

Titulli është i frikshëm, natyrisht, por është bërë me qëllim. Kjo, për të shënuar më mirë kontrastin me urtësinë e madje edhe me gëzimin, i cili mbretëron, në fakt, në këtë spital të tmerrshëm, që mbledh të gjitha vuajtjet e një krahine të madhe të BRSS-së.

Ndonëse ky libër është i hershëm asgjë, asgjë nuk ka ndryshuar. Dhe gjithçka është e vlefshme për një nga spitalet tanë modernë, francezë, belgë ose zviceranë… Ai përshkruan reagimet e mundshme ndaj kancerit, vuajtjes, vdekjes, sipas besimeve, vizionit të jetës, të secilit. Ai tregon se si “pavioni i kancerit”, i cili në fillim duket se është Ferr, në të vërtetë strehon njerëz që gjejnë atje mundësinë, më në fund, të kuptojnë se janë gjallë e të fillojnë të jetojnë, duke u larguar nga iluzionet e tyre, naiviteti i tyre, egoizmi dhe verbëria e tyre e qëllimshme.

Larg të qenit një botë e degjeneruar dhe e dehumanizuar, pavioni i kancerozëve, përkundrazi, zbulohet si vendi ku lind bukuria e mirësia, që kapërcen të gjitha vuajtjet dhe mjerimin. Të sëmurët, si mjekët dhe infermierët, ata që shërohen si dhe ata që janë në rrugën e tyre drejt vdekjes, formojnë atje një komunitet ku, në fund të fundit, të gjithë kanë mundësi, nëse kanë vullnet e guxim, të zbulojnë veten si të barabartë në dinjitet, ku gëzimet e dhimbjet e secilit, zbehen përpara humanizmit të tyre të përbashkët.

Është një libër dërrmues, i cili për më tepër, është shkruar në një gjuhë të pastër e të thjeshtë për t’u kuptuar. Faqet e tij shfletohen pa asnjë sforcim. Aty ne bëjmë miq për jetën. Askush, sipas mendimit tim, nuk mund të harrojë fisnikërinë dhe mençurinë e jashtëzakonshme të Kostoglotovit, i shtypur nga kanceri në qafë, të cilin në fillim e merrnin për një bandit.

Ju uroj shëndet!

Përktheu: Ferdin Liçaj