***

Ja, ndieva vargjet e bukura,
kur vinte djemtë në gjumë,
në një melodi labe,
fuste vargje dashurie, aq të ndjera.
Për djemtë e saj,
ajo është poete.
Nuk botoi vargje në libra,
vargjet e mrekullueshme i këndonte
për bijtë,
në atë melodinë labe.
Frymëzimi i saj, sekreti i saj,
vargjet e shpirtit
qenë vetëm për bijtë.
Ajo është poete,
frymëzimi i djemve të saj.

 

2.

***

Nganjëherë ndiej mërzine e të papunit,
sillem e pshtillem nëpër shtëpi kot,
si sonambul.
Marr, kafshoj një biskotë, mos t’i dembelos dhëmbët.
Mandej, s’di pse, më pëlqen të kërcej një tango.
I zgjas dorën zonjës sime që po gatuan,
ajo nuk ka kohë të kërcejë, se i digjet gjella,
dhe më refuzon, duke më lënë lugën në dorë.
Kërce me lugën, qesh, dhe ikën te lavatriçja.
Ulem në divanin e butë dhe filloj të shëtis mendjen.
Kaq u desh dhe ajo s’ndalet.
Nganjëherë ndiej mërzinë e të papunit…

 

3.

***

Gjithçka duket si lojë
në heshtjen e natës.
Është peneli i dritës
që ndryshon emocionet,
ku gjithçka duket e zhduket,
humb e lind,
dhe zbulohet balli me më shumë rrudha.
Nën syze, vështrimi i ftohtë,
buzëqeshja e ngrirë.
Drita të shpon si gjilpërë e akullt,
trupi mardhet, ani pse është verë.
Gjithçka duket si lojë
në heshtjen e natës.

 

***

Yjet janë sytë e nënës,
që më sheh prej qiellit.
Dielli është buzëqeshja e saj,
hëna, ninulla që më vë
në gjumë.

Kur retë mbulojnë qiellin,
e territet e shkrep e shprazë shi,
është zemra e nënës që përpëlitet,
janë lotët e saj që derdhen,
sepse s’mundet të më shohë sytë.

Yjet janë sytë e nënës sime,
hëna është ninulla
që më vë në gjumë.

Prej amshimit, nëna zgjat dorën
e saj të bukur,
për t’më mbuluar kur nata është e ftohtë.

 

5.

***

Ia pashë lotin në sy nënës.
U tremb kur më pa,
dhe e fshiu me pëllëmbë,
pastaj qeshi.

Asgjë në botë nuk është
më e trishtë se ajo

qeshje
e një syri që qan.

Ka aq dhimbje,
është gjak zemre
i kthyer në lot,
dhe ajo buzëqeshje, një rënkim

i tmerrshëm,
për mos të bërë gjëmë
e të trembë fëmijët.

Ia pashë lotin në sy nënës,
mandej, me kokën mbështjellë
me peshqir,
pashë si qeshte njëra prej nuseve.

 

6.

***

Mos u bëj mjeran,
ankohesh kot,
kur ka diell,
dhe flladi lodron në gjoksin
tënd.

Zgjate ditën,
ec dhe qesh,
është më bukur
se të biesh natën
pa u errur,
të shtrihesh
e të fërkosh kockat,
dhe gjumi mezi vjen

Mos u bëj mjeran.

 

7.

***

Eca këmbëzbathur
mbi urën e kohës,
si një jabanxhi i tretur diku,
ku harresa nisi të gjuante egër
mbi gjithçka,
që të shuante fëmijërinë
dhe vatrën ku jam rritur.

Eca dhe ende eci mbi urën e kohës,
me shumë mall e lot në sy.

 

8.

***

U terr qielli i syve,
u mek zëri i zogut.
Currila uji, si fjalë, u zbrazën
e lagën faqet deri te buzët.

Erës
i humbi jehona diku mbi lisa,
hëna pikon ar mbi flokët e mallit.

Gjithçka fle në ëndrra,
zgjimi i tremb, i tremb terri.
Heshtja dhemb si plagë e hapur.

U terr qielli i syve…

 

9.

***

Mos u anko, mik,
se u plake.
Uro të kesh
një plakje të bukur,

mos të zvarritesh,
etë kërkosh mëshirë,
mos të shtrish dorën të lypësh
se ta pështyjnë,

mos u ngjit turmës,
se turpin ta lënë ty.

Mos u anko, mik,
se u plake.
Qofsh mendjehapur
e me dy këmbë…


Shënim: Poezitë në këtë cikël janë zgjedhur nga vetë autori.