M I N I A N T O L O G J I
FATOS ARAPI
DITE TIRANASE
Ti mbyll derën pas dhe nisesh:
në mesin e rrugës takon ditën
që të pyet e hutuar:- Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë,-
pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë
teknologjia përsosëse e tyre,-
fytyrat janë po ato.
Jo ti – hija jote shkrin në gotën me ujë
diellin dhe kokrën e aspirinës,-
ke dhëmbje të forta koke.
E di: zembereku i zëmrës sime
është pluhurosur,- kur do të vijë Ajo,
me frymën e saj t’fryjë
të ndiej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
fluturon nga syri në sy-
kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
dhe maji eci para meje.
Të paktën o Zot, akoma jemi njerëz,
respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.
(1997)
Poezia ‘Ditë tiranase’, që përkon me pranverën e vitit 1997, sjell vargje ta ngarkuara në huti marramendëse. Është një perfeksion majash artistike; hutuar dita, rruga, Tirana; hutuar njerëz dhe pasqyra; nga të nisen, nga të shkojnë, – poeti? Hapësirë e hutuar nëpër të cilën hapat, pa busull, e degdisin në një qoshen e ftohtë të kafes; shkrin aspirinën në gotën e ujit, bashkë me hijen e tij, për ta kaluar dhembjen e forte të shpirtit; nga xhami depërtojnë flakëritjet e unazëz së zjarrtë, nga syri në sy, në kërkim të gishtit pajtues të nuses, që s’duket….; mbase, maji pranveror, mbase akoma ka njerëz që duan, që duam dallëndyshet, dhe vdekjen…
Tekstin e mësipërm, për një poezi të krijuar në vitin e mbrapsht 1997, e shkruajta në vitin 2005 dhe si për çudi, sot, 24 vite pas krijimit të saj dhe 16 vite pas shkrimit tim për të, vura re se e njëjta panoramë hutimi deri në marrosje është në Tiranë. Në 8 prill 2021 teksa ndiqja kanalet televizive, befas m’u kujtua, nëse do t’i shihte tani këto ngjarje, poeti i madh Fatos Arapi, nga dritarja e përtejme, do të shkruante:
Marrosur dita, marrosur rruga, marrosur Tirana, marrosur kanalet televizive, marrosur debatet, marrosur analistët, marrosur kulla qiellore tiranase, marrosur presidenti…
Zot vërë dorë mbi Tiranën tonë! (Prishtinë, 8 Prill, 2021)

