Mbështillem me hijen e vendlindjes

Cikël poetik nga Arben Velo

 

 

Lutje!

 

Qyteti që unë dua

ka lindur nga një marinë

që nuk u mboll kurrë,

në tokën që i rrit zanoret

si saçma të vrasin edhe gjinkallat.

 

Qyteti që unë dua

i rrëzon baladat në tokë,

i kthen në shtëpi kukullash

për fëmijët ende të pangjizur.

Unë jetoj në një koshere urbane,

në hoje bashkëtingëlloresh

ngjeshur mes harabelash.

 

Nën kryq flatrash

betohem të mos mërgoj

nga dashuria ime.

 

Qyteti që unë dua

është një bebe e palindur,

i ngjizur nga dy qeshje

lindur nga përshëndetjet

qarjet njerëzore

e mbështjellin kopanec.

Unë ende s’e di,

nëse ia vlej si banor për këtë qytet?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Erozion shpirtëror

 

Lexoj nje letër të dalë boje

nga erozione shpirtërore

s’dalloj janë germa që kanë ikur,

a mjegulla pa adresë qiellore

 

Me penë Nëntori dikur më shkruajti

fjalë që kurrë si dëshifrova.

rrebesh endacak u kthye

e derdhi shtëmba uji si shkronja .

 

Tek hidhte bojë mbi hira pellgjesh

U pasqyrova një pikepyetje

Kaluan vite më kot ne pritëm

shirat nuk lanë testamente…

 

 

 

 

Vendlindje

Jam një pemë larg nga vendlindja.

Hija e saj

më shtrëngon në stomak

si uria.

Sa herë iki diku

mbështillem me hijen e vendlindjes,

…një pemë larg botës së dhimbjes!

 

 

 

 

 

Vjeshta dhe Pleqtë

 

 

Bien gjethet, brinjët u lëpijnë

Verdhashe, larashe, si gjuhë prej mëshqerre

Menteshat e duarve në porta ëndërre

iu rrinë

pasthirrmë e pavajisur që prej vere.

 

Vajzave, sapoardhur nga beteja e puthjeve

iu fërshëllejnë djemtë, aromës së tyre

Eh – thonë nazelinj, – nuk shuhet zjarri i buzëve

vetëm me një piskamë fërshëllime!

 

Livadhe të zverdhur nga mosha e pabesë

t’ju thurin ojna vajzave, më kot eh, ah!

Mes gjetheve të rëna si gjuhë prej mëshqerre

kollitet fortë mosha, luajnë domino ata.

 

Ca gjethe vjeshte që u ngecin në brinjë

zjarr puthjesh kanë qenë  kur ishin të rinj.

 

 

Gjendje qytetase

 

Nga kraharori i mjegullave lindi mesditë gri

unë i lutem postës së gjetheve:

“Mos më sill si zarfa imazhe njerëzish,

të më çjerrin me thonj këtë ditë vjeshte”.

 

Me lodhjen dhe mundimin e brengave të mia

portretin e Asaj ndërtoj duke e pritur.

Vetveten nis ta shtrydh në rrugët e qytetit,

mbulohem me qilim gjethesh ronitur.

 

Nga lëmshtaku i vetmisë humb fillin mes rruginash,

ca zogj si rrobaqepës më marrin masë hije

ah sa do të doja në këtë mesditë kaq gri

ta ktheja në një flaut një çelës shtëpie.

 

 

Babait

 

Babai tani dremit gjumin e portokalles

dhe sheh vegime me dele hënash të bardha.

Milingonat e Nëntorit pritën sa zbardhi

të ngarkoheshin me vesë si me këmbana…

 

Ecin me sikur mbi ledhe vegimesh të tij

(si fjali sapodala nga shtypi i agimit)

Në bahçe shegët në katërsh e kanë çarë zemrën

(nga malli i tij për mbesën edhe nipin.)

 

Unë nuk e di ç’ndodh kur zgjohet portokallja

si qan në zgjim sekonda nëpër shtatin e saj.

Atë çast mbi çatinë prej kashte të qiellit

gugasin mijra pëllumba çelur nga sytë e babait.

 

 

Dramë e pashkruar

Bredh era si buajt në dunat e Nëntorit,

në gjole vërtitet të cliroj fatin e vet.

Bredh e bukura ime, matanë lumit të vdekur

më dërgon këngë trishtilash tash e mijëra vjet.

 

S’është bijë e Penelopës,është drama e saj

që lulet e kripës m’i kthen në pendime.

Bredh era si buajt në lagunat e Nëntorit

Si të bëhem trishtil t’i këndoj çdo dhimbje?

 

 

 

 

 

Fshati prej vjeshte !

 

Dje unë shkova në mbrëmje në një fshat

(s’ia varte errësirës,e kishte vënë ndër këmbë)

Dhe njërin sy të sapo dalë nga drita

E kishte kthyer furrë pjekje për hënë

 

I vetmi banor që mban syze prej vjeshte

(Xha Skëndua ecte mbi rrugën me zeje)

Lundronin mbi xhamat e syzeve të tij

Shtëpitë bosh, si lundra pa leje

 

Në rrugë mungojnë ato, vajzat e bukura

(Mungojnë dhe djemtë që prisnin puthjet e tyre)

Diku nga një dorë ngjishej e ngrohtë buka

Me aromën e vet ta bënte natën të gdhihej.

 

Një gjyshe e hipur në shkallët e shpresës

Si pikëçuditje e ngelur në fund të fjalisë

e mbante në duar aparatin smart

si hartën gjeografike të Italisë.

 

Të moshuarit e tjerë prej kohësh kanë vdekur

në brinjët e ditës e kanë nga një varr

hijet e tyre në mugun e syrit të vesës

shtëpitë bosh i veshin si marinarë.

 

Dje unë shkova në mbrëmje në një fshat

(s’ia var errësirës e rend drejt vetmisë)

Çdo natë shtatë pleqtë e mbetur atje gjallë

Nën dritën e hënës i falen rakisë.

 

 

Tetori

 

Shtatë pleq të mbetur ende gjallë në fshat

Dredhin krahët e zogjve

nga kutia e kraharorit tim.

 

….Duhani më i çuditshëm që pijnë.

 

 

 

 Gjanicës

Një lumë që lindi nga përrallat

me hije njerëzish veten mbush.

E mbledh në grykè si shall shirash

një shall që nuk e gjen kurrkush.

 

E kam vështirë të shkoj në mendje

sa Hëna njerëzish vdesin thellë tij

Krahëthyer, buzëçjerrë nga dhimbje e ndotjes

I tharë për ujë, mbushur me zi.

 

Kërkoj më kot qiej që mërguan

nga kjo muranë, ku kishin çerdhen

Ka ardhur vjeshta dhe Gjanica

i zverdh si gjethe hënat e njerëzve

 

 

 

 

Modë

 

Vec një kosh me mbeturina të lejohet të vozitësh.

Ai është barka jote,

mbushur me kacek kengësh nga mizat.

Është torta katrore

e atyre që kanë festuar

pa të njohur Ty.

Ti kalon,zgjat duart

gishtat e tu bëhen dhjetë qirinj,

për ditëlindjet

e atyre që nuk i ke njohur kurrë.

 

 

 

 

 

Elegji për një rrap

 

Ky dimër ende i pakëputur,

do të jetoj,

sa një qiri,ndezur nga lamtumira

e një rrapi.

Njëqind vite

më parë,

rrapit,

mbështjellë me dhera,

si foshnjë kërthinj,

qerrtarët i këndonin ninullë

legjendën e Ali Pashës.

Trupin ia sollën në Fier

rrënjët ia lanë në Janinë.

 

Njëqind vjet toreadorët e erërave

fshehur diku pas dimrave

e goditën deri në dhimbje.

Në një breg Nëntori,

i tretur dredhave të mureve

të dimrave të vjetër

Ai u shkëput mbi supin tim

ra nën një qiell

si mizanskenë e Traviatës…

 

Tashmë në çdo vdekje të padirsur

ka trupin në Fier

dhe këmbët në Janinën e Ali Pashës.

 

 

Pusi i Euridikës

 

Është tharë pusi i vjetër i fëmijërisë sime

dhe lotët e dimrave brenda tij janë tharë.

Unë nuk e dija ç’ishte kënga e Euridikës

as Orfeun se njihja, cili qe më pare.

 

I jepja vezë hënash, pusi çelte jehonë

humbesha sa në rrathë, aq brenda vetes time

me çikrikë mjegullash, zgjasja duart dhe kapja

herë bishtra prej isosh, herë flokë vetëtime.

 

Dhe u zhyta një ditë në thellësi të tij,

legjendat, nisa t’i mblidhja pikë-pikë

nuk gjeta, o njerëz, kurrë vajzën e bukur

mes ujërave, si floçkë, të quajtur Euridikë.

 

Revista TIME