Shkrimtari dhe eseisti i njohur amerikan Henry Miller, e krijoi veten e tij si shkrimtar veçse nga përvoja e tij parisiane gjatë viteve ’20 – ’30 të shekullit XX, kohë kur shumë amerikanë dhe anglezë vazhdonin të vinin në Paris. Të bëhej shkrimtar, për Miller ishte në fillim veçse një dëshirë por jeta në Paris i dha mundësinë të shohë e të ndjejë nga afër shoqërinë njerëzore, të prekë fundin e një jete të mjerë, të dekompozuar, me fate klithëse, të mbytur në dehje, seks e prostitucion, për të krijuar pastaj një letërsi tjetër, ndryshe nga tradita letrare amerikane, një letërsi gjysmë-autobiografike ku ai tregon ngjarje të përjetuara dhe bën refleksione sociale e filozofike. Librat që ai shkroi dhe botoi në atë kohë në një shtëpi botuese në Francë, u ndaluan në Amerikë dhe Angli, si vepra dekadente dhe të papranueshme. Shkaku ishte se aty përshkruheshin dhe eksperiencat personale seksuale të shkrimtarit. Veprat e tij u lejuan duke filluar vetëm nga viti 1961, pra pas 30 vjetësh.
Përshkrimet e tij letrare, edhe pse autobiografike, janë me shumë ngjyra, detaje, karaktere, personazhe të një kohe që sot nuk janë më, një atmosferë e çuditshme e jetës libertine për të cilën, ata që vinin përtej La Manche apo nga bregu tjetër i Atlantikut u dukej si një lloj parajse në lidhje me lirinë. Në fakt, në adoleshencën dhe rininë e tij ai kishte qenë një njeri shumë timid, e madje kur zbarkoi në Paris, ai i tha vetes: «Ti s’je i zoti të bësh asgjë… Atëherë bëju shkrimtar!… Dhe unë u bëra shkrimtar nga dëshpërimi», – shkruante ai. Duke iu referuar kësaj varfërie absolute, gjatë një interviste më vonë ai pohonte: “Duhej të isha plotësisht i vobektë, i dëshpëruar dhe të jetoja si një lypës në rrugët e Parisit që të filloja ta vështroja dhe ta doja këtë qytet. Vetëm në Parisin e vitit 1930 unë u bëra vetvetja dhe më në fud gjeta rrugën time.”
Pas disa eseve e tregimeve të shkurtra, krijimtaria e vërtetë letrare filloi me Ditë të qeta në Clichy, Tropiku i Kancerit, Tropiku i Kaprikornës, Pranvera e zezë etj… Në udhëtimin e tij të parë më 1928, si turist, ai erdhi me të shoqen e tij, June Mansfield të cilën e donte shumë por shpejt ajo u largua dhe ai fillon jetën boheme në zonën e Montparnasse e Saint-Germain-des-Près, duke u vendosur më pas në Clichy, jo larg Montmartres, një zonë tepër e gjallë, e cila mbahej si bastion i socializmit në Francë, meqë dhe lëvizja puntore atje ishte më e fuqishme. Ishte viti 1932.
Shfletoj librin Jours tranquilles à Clichy, (Ditë të qeta në Clichy) dhe përpiqem të imagjinoj jetën e tij dhe të artistëve të tjerë të ardhur përtej Atlantikut, kohën kur ulur kafeneve: «Po shkruaj, nata bie dhe njerëzit shkojnë të hanë darkën. Eshtë një ditë gri si ato ditë që sheh shpesh në Paris… Parisi në thelb është një qytet gri. E them këtë sepse në fushën e akuarelit, piktorët amerikanë e përdorin tepër dhe në mënyrë obsesionale ngjyrën e parafabrikuar gri por në Francë gama e grisë duket e pafund dhe madje për këtë, efekti i grisë e ka humbur forcën e vet. Një ditë si kjo, në të njëjtën orë kisha mundësi të shikoja «Sacre-Cœur» nga çdo lloj këndi ose përgjatë «Rue Lafayette» për tu ngazëllyer plotësisht. Dhe kjo ndodhte edhe kur kisha uri dhe kur s’kisha ku të flija… Në një ditë gri shpesh shkoja të shëtisja në sheshin e Clichy-së, në Montmartre. Nga Clichy deri në Aubervilliers ka një varg kafenesh, restorantesh, teatrosh, kinemash, dyqane këmishash, hotele e bordello. Eshtë Broadway i Parisit. Broadway është shpejtësia, zhurma shurdhuese, marramendje e dritave ku s’ke ku të ulesh. Ndërsa Montmartre është i plogësht, dembel, indiferent, disi i neglizhuar dhe rrëmujë, më tepër tërheqës se magjepës. Ajo nuk shkëlqen me xixëllima por djeg si një karbon përvëlues. Broadway provokon, ka ndonjëherë efekte magjike, por është pa flakë, pa ngrohtësi: është një kuadër pasqyre që shndrit, parajsa e njerëzve të publiçitetit. Montmartre është lodhur shumë, e zbehur, e braktisur… Ka disa bistro të vogla që frekuentohen veçse nga kurvat, batakçinjtë, bixhozxhinjtë dhe mafiozët dhe po të kalosh andej më shumë se një herë, mund të përfundosh të biesh në grackën e tyre. Ky sharm mashtrues i Montmartre-s është i lidhur më së shumti nga shfrytëzimi i seksit. Por në fakt s’ka asgjë romantike të këtij lloj seksualiteti, veçanërisht kur ai komercializohet. E ajo mund të krijojë diçka nostalgjike, ndryshe nga seduksioni e tërheqja që krijonte një Gay White Way, një nga femrat më të famshme. Eshtë e dukshme që seksualiteti zhvillohet në një dritë të butë, të ëmbël, me një ritëm të përmbajtur dhe jo nën dritat e neonit. Nga një anë e sheshit gjendet kafeneja “Wepler” që për shumë kohë ishte e parapëlqyera ime. Ulesha jashtë apo brenda, gjatë gjithë kohës, në të gjitha orët e ditës apo të natës. Për mua ishte një libër i hapur. Aty shikoje të gjitha fytyrat: kamarierët, patronet, ata që mbanin arkën, gratë që lanin enët, të cilat janë ngjizur në kujtesën time si pamjet e një libri që do të shfletoja çdo ditë. Më kujtohet kur hyra për herë të parë në Wepler duke tërhequr me vete gruan time dhe kur pashë të rrëzohej një kurvë e dehur për vdekje duke u shëmbur në tavolinat e vendosura në hyrje dhe ku askush nuk u ngrit ta ndihmonte. U habita nga indiferenca e francezëve, çka jam i habitur ende, edhe pse më vonë zbulova shumë gjëra të tyre të mira. “Eh, hiçgjë! Thjesht një kurvë! Eshtë dehur tapë!»… I dëgjoj ende këto fjalë që më bëjnë gjithnjë të drithërohem…”
Një nga miqtë që e ndihmoi në këtë periudhë të vështirë të jetës së tij kur do të provonte urinë e përditshme ishte avokati amerikan Richard Osborn, i cili çdo mëngjes i linte një kartmonedhë 10 frangshe që të mund të ushqehej gjatë ditës. Por ai që do t’i gjendej në ditë të vështira dhe që përjetonin sëbashku aventura nga më të habitshmet ishte gazetari Albert Pèrles, i cili në atë kohë punonte si gazetar për degën parisiane të gazetës Chicago Tribune. Kur Pèrles e takoi në Paris, e gjeti me një dollar në xhep. Më pas Pèrles do t’i jepte ndonjë rubrikë mbi ngjarje nga Parisi ku të shkruante fillimisht me emrin e Perles e më pas me emrin e tij, thjesht për të mbajtur frymën gjallë. Pikërisht me të, emri i të cilit në libër është Carl, janë dhe episodet më çoroditëse e libertine të jetës së tyre në Clichy. Ata jetonin në bulevardin Anatol France. “Ishte një fortesë e komunizmit francez, – do të shkruante Pèrles. – Kalonim shumë kohë në kuzhinë ku bisedonim, vend i cili do ishte i paharrueshëm për botën tonë. Aty vinte aktorja Lyanes kur dilte nga teatri. Po aty vinte Anaïs Nin e cila u tregua dhe një kuzhinere e mrekullueshme. Pinim dhe netët i kalonim në një lloj orgjie, ku miku ynë i bankës Osborn përfundonte duke kërcyer nudo”.

Miller e pëlqente shumë piktorin francez Georges Rouault, të cilit i referohet në një libër të quajtur Buzëqeshjet poshtë shkallës dhe ku ndër të tjera shkruan: “Duke medituar për jetën dhe veprën e Rouault, i cili më ka tërhequr mjaft, mendoja për atë lloj kllouni që kisha qenë gjithnjë. Mendoja për pasionin tim të cirkut, sigurisht i një cirku intim, në mënyrën e asaj eksperience si spektator dhe si aktor, i zhytur thellë në ndërgjegjen time”. Një herë Henry Miller kishte njohur një rus, një ish kapiten të “ushtrisë së bardhë” që të mund ti gjente një vend për të fjetur. Një ditë rusi e ftoi në shtëpinë e tij në periferi të Parisit, në Suresnes. Ai donte që Miller ti mësonte anglisht. I vunë një dyshek përtokë që të flinte por kur shkoi, gjeti atje një grup të madh rusësh në krye të tavolinës bashkë me tre qen që u pinë dhe u dehën keq. Meqë kur u shtri pa një krimb, atëherë atij i erdhi për të vjellë dhe mbeti pa gjumë deri në mëngjes. Që atë natë nuk u duk më në dhomën e rusit… Njëherë tjetër, atë e kishte strehuar për të fjetur një indian që shiste perla në Rue Lafayette me kusht që t’i pastronte shtëpinë nga pluhurat. Por fatmirësisht, meqë në Dijon kërkonin një mësues të anglishtes, pas disa ditësh Miller e la indianin e perlave dhe pastrimin e shtëpisë së tij dhe shkoi për tu kthyer disa kohë më vonë me disa para në xhep.
Amerikanët i pëlqenin shumë prostitutat franceze pasi gjenin tek ato një eksperiencë të panjohur. Miller përshkruan gjithë prostitutat e asaj lagje, ku ndër të tjera tregon dhe për një prostitutë me një këmbë druri që dhe ajo kishte klientelën e vet të përhershme në cepin e një rruge. Ç’personazhe romaneske! Në një nga kabaretë ishte ajo që quhej «Borëbardha», një tridhjetë e pesë vjeçare me flokë të gjata dhe sy blu. Kishte madje femra që pas seksit kërkonin si të çmendura ndonjë mjek pasi ishin në një gjendje ekstaze të vazhdueshme. Emrat e tyre në librin e Miller janë Adrienne, Colette, Nancy, Eliane, Mara… por spektri i prostitutave ishte mjaft i gjerë, pasi në Paris dyndeshin prostituta nga e gjithë bota. Në përshkrimet e tij, Miller shkruante për prostitutat belge, spanjolle, polake, zvicerane, nordike, luksemburgase, jugosllave, etj. Një herë, me një prostitutë e cila kishte qef që ai t’i fliste në anglisht e ku pranë shtratit mbante gjithnjë një shishe me verë, zbuloi se në çantën e saj kishte një revolver të cilën ia mori nga frika se mos e vriste. Para se të dilte nga dhoma, ajo e pa tronditjen e tij dhe siç tregon Miller, ajo e pyeti:
– Mos je i zhgënjyer nga unë?
– I zhgënjyer? Çdo të thuash me këtë?
– A nuk dukem si shumë e shëndoshë? – shtonte ajo duke parë nga kërthiza.
– Po ti je e mrekullueshme, si një tablo e Renoir…”
Ajo u skuq:
– Një Renoir? – i kishte thënë ajo sikur këtë emër ta dëgjonte për herë të parë. – Ti bën shaka?!
– Aspak… afrohu pak të të fërkoj seksin!…”
Një herë tjetër, duke qenë me dy femra në shtrat, atë e kishte zënë ngërçi dhe mezi kishte mundur të çlirohej nga furia e tyre, aq sa kishte menduar se po vdiste.
“Kur kujtoj atë epokë të Clichy-së,- shkruante ai në librin e tij me kujtime parisiane, – kam ndjesinë se jetoj ende në parajsë. Ne kishim veçse një problem: si të ushqeheshim. Të gjitha hallet e tjera ishin imagjinare… Ishte koha kur seksi femër ishte sheshit, në ajër: femrat angleze ishin në Casino de Paris. Hanin rregullisht në një restorant pranë Place Blanche. Ne u bëmë miq me gjithë atë grup femrash. Atëherë shkoja në shtrat me një skoceze të mrekullueshme. Në ndonjë nga ato netë ajo na merrte të dyve në shtratin e saj dhe thoshte se kjo e eksitonte shumë kur e bënim të tre…”
Pikërisht kur ishte në Clichy, Miller u dashurua me amerikanen Anaïs Nin, një histori plot aventura dhe një lëndë letrare kjo për shkrimtaren Nin, e cila që në atë kohë shkruante fletoret e saj “sekrete”. Ishte koha kur në Paris, gruaja e Miller u njoh dhe me Anaïs por ajo nuk mund të jetonte me Henry-n në Paris. Marrëdhëniet e tij me Nin ishin të çuditshme ku në thelb mbizotëronte tërheqja e tij seksuale dhe intelektuale. Jo më kot në kujtimet e saj, Nin do të shënonte dhe fjalët që kishte shkruar Fred Pèrles për mikun e tij Henry: “Mjerë ti Henry. Më vjen keq për ty. Ti nuk ke mirënjohje sepse ti nuk ndjen dashuri. Që të jesh mirënjohës duhet së pari të dish të duash…”
Miller e adhuronte Dostojevskin dhe kur fliste për romanet Vëllezërit Karamazov dhe Idioti ishte si në një botë tjetër. Në librin e tij Tropique du Capricorne të botuar po në Paris, ndër të tjera ai shkruante: “… Ajo femër më dukej aq idiote saqë në fillim nuk i kushtova vëmendje. Por dhe kjo ka një seks si gjithë të tjerat, mendova… Një mbrëmje ne ishim në shtëpi dhe ajo ndërkohë ishte futur në banjo. Atëherë përfytyrova diçka dhe vura syrin në vrimën e çelësit. Dhe u habita kur e pashë atë në këmbë, nudo, përballë pasqyrës, që përkedhelte e ngacmonte seksin e saj të vogël. U eksitova aq shumë sa doja ta bëja. Zbërtheva pantallonat dhe e lashë seksin tim të merrte ajrin e natës…” Më tej ai përshkruan imtësisht se si ishin shtrirë në divan së bashku dhe kishin kaluar natën deri në mëngjes. «Gjatë gjithë jetës time nuk mbaj mend të kem lëvizur dorën në një seks aq të lëngshëm. Lëngu i saj ngjitës i rridhte nëpër këmbë. Po të kisha afishe nëpër duar do të kisha ngjitur kushedi sa shumë afishe. Pas disa çastesh, ashtu si një lopë që do të kullosë, ajo uli kokën dhe e mori. Asnjë fjalë mes nesh. Sikur të ishim dy maniakë të paqtë që e bënin atë punë në një errësirë varrmihësish. Kurrë nuk kisha bërë seks si me një vajzë të tillë. Dhe çdo natë, kur e shikonte që isha vetëm në shtëpi, ajo zbriste tek unë dhe shkrihej në errësirë. Por seksi i saj ishte i jashtëzakonshëm. E fusja hundën brenda në atë të çarë ku zotëronte një heshtje e madhe, ëmbëlsi dhe paqe… Në errësirën e asaj shpelle të madhe rezononte një lloj muzike organoje…”
Vite më vonë Miller u vendos në 18, Villa Seurat, pranë sheshit Alesia, jo larg nga Montparnasse. Kur shkova ta fotografoja, duhej të merrja rrugën e Tombe-Isoire dhe të vazhdoja në të djathtë në një rrugë pa krye me kalldrëm me ato shtëpi dykatëshe, padyshim e tillë që nga ajo kohë. Ishte apartamenti që Nin e mori me qera për të vendosur të dashurin e saj. Me intelektualë të tjerë amerikanë e francezë ai takohej shpesh në kafenenë aty pranë, në Café Zeyer, që është dhe sot. Kjo periudhë gati dhjetëvjeçare do të ishte për Miller periudha e vërtetë e krijimit letrar pasi ai iu kushtua tërësisht romaneve që do botoheshin në Francë duke filluar me Cancer Copricorne. Duke filluar nga ky libër, seksualiteti u bë një lloj obsesioni në letërsinë e tij çka e shohim edhe në La verge folle (Seksi i çmendur), një tekst erotik me përshkrime të hollësishme erotiko-seksuale, çka një mendje puritane e bënte të protestonte ndaj kësaj lloj letërsie. Kur shkonte në Villa Seurat Anais kujtonte ditët kur ngjiste shkallët dhe ndalonte para portës duke dëgjuar zhurmën e makinës së shkrimit para asaj dere ku kishte plot pusulla të ngjitura ku ai shkruante se kur preferonte që njerëzit të vinin tek ai, apo ku shkruhej “Mos më shqetësoni”.
Në vitin 1939, në një kohë të vështirë për Europën që kërcënohej nga lufta shkatërrimtare, një ditë, në portën e tij u shfaq shkrimtari George Orwell, i cili kishte botuar librin Homazh për Katalonjën lidhur dhe me pjesmarrjen e tij në brigadat vullnetare internacionale për të mbrojtur republikën e re spanjolle. Takimi i tyre ishte disi i nderë, pasi mendimet e tyre ishin të kundërta. Miller ishte pacifist dhe i qëndronte larg luftës në princip, cilado luftë të ishte ajo. Madje ai ishte një fatalist i madh ndërsa Orwell ishte i ashpër dhe besonte në politikën dhe ndryshimin shoqëror. Ai luftonte për liri dhe drejtësi, çka për të ishin baza e demokracisë. Që të dy ishin pacifistë në fakt, por siç shkruante Pèrles, “ndërsa Miller e refuzonte luftën, Orwell ishte gati të nisej në luftë për të mbrojtur çdo kauzë që e gjykonte të drejtë”. Shpesh, ato kohë Henry merrte biçikletën dhe shëtiste rrugëve të Parisit. Duke shkruar për Parisin e asaj kohe ai nuk harron të shkruajë dhe për “shurrtoret” në anë të bulevardeve, çka ai i pëshkruan në mënyrë piktoreske. Eshtë i kënaqur me to, pasi gjithçka bëhet në natyrë, për më tepër për ata që pëlqenin aq shumë pijet. Mbrëmjeve kthehej dhe lexonte Petrone, Apulée apo Rabelais. E kështu ai i ngjante një bohemi të erotikës së lashtë antike. Ato kohë shkroi dhe Pranverë e zezë të cilën ia kushtoi Anais Nin. Një nga miqtë e afërt të kësaj kohe ishte shkrimtari anglez Lawrence Durrell, i cili duke kujtuar ditët e netët që kalonte me të në Paris, shkruante: “Me Anais Nin, Miller dhe Pèrles, ne ishim si tre musketierët e La Coupole. Luanim shah. Mund të them se Pèrles, mikun austriak të Miller-it, pothuaj e zinte gjumi ndërkohë që Anais Nin zihej në bar me dashnorët dhe botuesit e saj…”
Ushtritë e Wermaht-it po sulmonin ngado në Europë dhe për Miller, ashtu si për shumë anglosaksonë të tjerë erdhi koha për të ikur me nxitim. Edhe pse pa asnjë të ardhur, me ndihmën e miqve arriti të gjente disa të ardhura vetëm për të siguruar rrugën. Nga Bordeaux ai u nis me anije drejt Korfuzit ku do të takonte mikun e tij Durrell të cilit i kishte shkruar më parë.
Kur shkoi në Amerikë, Miller botoi më pas një libër të vogël, të titulluar Bota e seksit, ku ndër të tjera shkruante: “Një botë e re është duke lindur, një tip i ri njeriu po shfaqet sot. Masa e madhe e njerëzimit, e destinuar të vuajë sot më tërësisht se kurrë, arrin deri aty sa të paralizohet nga frika e të tkurret në vetvete, e tronditur gjer në shpirt. Ajo nuk ndjen, por shikon veç raportin e kërkesave urgjente e të përditëshme të trupit. Ja, kështu vdesin qytetërimet. Në fillim është forma që vdes. Por edhe pse pak arrijmë ta mendojmë, duhet të kuptojmë se forma nuk do të vdiste nëse nuk do të vritej shpirti…”
Në vitin 1946, një qytetar i thjeshtë francez që kishte lexuar në frëngjisht romanin e tij Cancer Capricorne e kishte hedhur në gjyq botuesin francez duke kërkuar të hiqej libri nga qarkullimi. Sigurisht skenat erotike të përshkruara imtësisht nga Miller, i cili e njihte shumë mirë këtë realitet human ishin të shumta por menjëherë Camus, Sartre e shumë shkrimtarë të tjerë u ngritën kundër censurës dhe libri më së fundi nuk u ndalua. Por në vitin 1949, kur në Francë u botua romani i tij Sexus shumë shpejt libri u ndalua si një vepër pornografike. Kësaj rradhe Miller nuk u mbrojt as nga Sartre, as nga Camus, André Gide, etj. Si duket i kishte kaluar limitet e parashikuara. Ndërkohë Miller që ishte në Paris u detyrua të shkojë në gjykatë bashkë me botuesin për tu përgjigjur akuzave për pornografi. Ishte një takim paraprak me gjykatësin në një nga dhomat e Pallatit të Drejtësisë. “Dhe unë shkova me avokatin tim, – – kujtonte Miller. – Ishim në një zyrë dhe ndërkohë më zuri shurra dhe i kërkova avokatit që të dilja dy minuta. Ai më tha se nuk mundja ta bëja, veçse në brekë. Pasi kaluan disa çaste ai pikasi vijën e hollë të shurrës që rridhte poshtë ndërkohë që debatohej rreth librit. «Zotëri, kujtoni vërtet se një shkrimtar mund të shkruaj gjithçka që i shkrepet në kokë?… U përpoqa ti shpjegoj por më në fund i thashë: “Po zoti gjykatës. Një shkrimtar mund të shkruajë gjithçka që i pëlqen atij…»
Edhe pse seksualiteti luan një rol të madh në jetën dhe veprat e tij, ajo nuk e obsedon atë, ai nuk bëhet rob i saj dhe nuk e njëson asnjëherë me ndjenjën e vërtetë të dashurisë, me atë çka është sublime tek njeriu. «Dashuria, – shton ai, – është drama e përkryerjes dhe e bashkimit. Dramë personale në kuptimin më të thellë e që duhet të bëjë të bien zinxhirët e egoizmit, burimi i gjithë të këqiave. Seksi në vetvete nuk është personal dhe ai mundet apo jo, të identifikohet ose të bashkohet me dashurinë. Ajo shërben për ta përforcuar, thelluar ose shkatërruar atë. Eshtë diçka ndihmëse, një instrument, i mirë apo i keq kjo varet si e përdorim. Zakonisht dashuria e seksi njësohen dhe nga kjo vijnë vuajtjet, keqardhjet që sot përbëjnë rrënimin e botës… Seksi, si një makinë e simbol i mënyrës së ekzistencës sonë sot funksionon në një boshllëk absolut e steril. Eshtë shenja më e lartë e pafuqishmërisë. Eshtë një krijues vuajtjesh pasi ai sjell emocione dhe ne jemi veçse handikapë në fushën afektive…» Ky konkluzion i Henry Miller të bën të mendosh: cilat janë vallë raportet midis seksit dhe dashurisë? A nuk ndodh shpesh që raportet ndaj seksit të cënojnë jo rrallë dashurinë? A është vallë i ashpër mendimi moralist mbi seksin? Në fund të fundit deri ku shkojnë kufijtë e moralit?
Ky shkrimtar dashuroi shumë gjatë jetës së gjatë të tij, u martua disa herë, shpesh me gra shuë të reja me të cilat e kishte të lehtë të shkëputej. Vitet e fundit jetoi vetëm midis pikturës dhe shkrimit, aty buzë oqeanit, ballë një horizonti oqeanik të pafund më të papriturat e tij, çka përngjasonte disi me vetë jetën e tij. Në një film dokumentar që kam shikuar vite më parë, pashë Miller në banjo, ashtu të plakur, duke u larë, i rrethuar aty me fotografitë e të dashurave të tij, duke folur për dashurinë, seksin, shoqërinë njerëzore duke i thurrur himn dashurisë.