Bordi i Transparencës ka rritur çmimin e naftës me 6 lekë/litër. Nga sot nafta do të shitet me 227 lekë/litër, nga 221 lekë/litër që ishte. Ndërkohë, çmimi i benzinës është ulur me vetëm 1 lekë e ndërsa ai i gazit është ulur me dy lekë. Benzina do të shitet 201 lekë/litër nga 202 lekë/litër, ndërsa gazi do të tregtohet me 78 lekë/litër nga 80 lekë/për litër.
Ndonëse në disa bursa ndërkombëtare çmimi i naftës ka pësuar një ulje të ndjeshme dhe ka shkuar në nivelet e para luftës, Bordi sqaron se sipas aktit normativ të miratuar nga qeveria, i referohet bursës agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD. Sipas Bordit, në këtë agjenci ditët e fundit ka patur rritje të çmimi i naftës, ndërkohë që është ulur çmimi i benzinës. Në njoftimin zyrtar, Bordi shprehet se shkak për rritjen është bërë edhe forcimi i dollarit në raport me lekun, çka sjell edhe rritjen e çmimit në Shqipëri.
Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njofton se për përditësimin e çmimeve të hidrokarbureve i referohet agjencisë “S & P Global Platts”, me qendër në Londër, të cilës i referohet edhe Bordi. Drejtoria e Doganave shkruan se me këtë agjenci bashkëpunojnë prej 15 vitesh.
“Burim për përditësimin e produkteve hidrokarbure, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përdor të dhënat ditore (ditë pune) përmbyllëse, të publikuara nga një prej agjencive ndërkombëtare më me reputacion “S & P Global Platts”, me qendër në Londër, me të cilën kjo drejtori bashkëpunon prej 15 vitesh. Theksojmë faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Doganava për artikujt si: benzinë, gazoil, mazut, solar, vajgur, jet, gaz i lëngshëm (butan, propan), biodiesel shfrytëzon të dhënat përmbyllëse ditore të S&P Global Platts. Me këto të dhëna informohen çdo ditë strukturat doganore”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Çmimet e reja janë futur në fuqi nga ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Çdo biznes i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.