Në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për Portin e ri të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano, një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi, në Prishtinë e deri në Strugë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së përbashkët të Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, në 27 nëntor.
Në këtë mbledhje, Kryeministri informoi se projekti i plotë i kompanisë prestigjoze “Royal Haskoning” do të prezantohet në 12 dhjetor.

“Pavarësisht të gjitha llafeve, në fillim të vitit të ardhshëm ne fillojmë edhe hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit, i cili do të ndërtohet në Porto Romano dhe nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit të ardhshëm, ne do të jemi në kantier me portin e ri të Porto Romanos që do të jetë një port i përbashkët, i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë me dy porte të thata, që do të lidhen me hekurudhë dhe ndërkohë që për hekurudhën Durrës-Prishtinë tani hyjmë në fazën e studimit të fizibilitetit. Për hekurudhën tjetër jemi në diskutime intensive me Komisionin Europian, në bashkëpunim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Këto janë fakte dhe në 12 dhjetor, unë shpresoj që kryeministri i Kosovës dhe ministrat e fushave, të na bashkohen në prezantimin e madh publik të projektit përfundimtar. Pasi kemi parashtruar publikisht konceptin për Portin e Ri, në 12 dhjetor do të prezantojmë publikisht projektin përfundimtar”, u shpreh Rama, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy Kuvendeve Shqipëri-Kosovë./atsh/ Revista Time