Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se për MAS prioritet vazhdon të mbetet ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe kërkimi shkencor.
“Gjatë vitit 2022 kemi pasur rezultate shumë të mira. Ndërkombëtarizimi dhe bashkëpunimi me universitetet më të mira evropiane sjell rritjen e cilësisë, po i jep më shumë mundësi studentëve që të qëndrojnë e studiojnë në Shqipëri e të marrin një diplomë me vlerë si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së”, tha Kushi në konferencën me gazetarët.
Ministrja Kushi theksoi se “vitin e kaluar ishin 15 programe studimi të përbashkëta dhe tashmë janë në proces me vende si Italia, Gjermania, Greqia, etj, ndërsa edhe me SHBA-në kemi një marrëveshje me 6 universitete të Tiranës, me Universitetin e Miçiganit, për të pasur sa më shumë studentë që vijnë nga rajoni. Jo vetëm universiteti “Zonja e Mirë”, por edhe universitete të tjera kanë studentë të huaj. Kjo është sfida jonë. Kemi 23 aplikime për të filluar vitin e ardhshëm akademik në gjuhën angleze”.
Ministrja Kushi bëri të ditur se vitin e kaluar qeveria shqiptare akordoi një fond të veçantë për të mbështetur këtë proces dhe universitetet.
“Kemi pasur 150 milionë lekë për grantin e mësimdhënies, për shkëmbimin dhe hartimin e kurrikulave dhe 218 milionë lekë për infrastrukturë akademike, didaktike dhe kërkimore”, tha Kushi.
Edhe gjatë këtij viti, shtoi ajo, janë parashikuar fonde për ta mbështetur këtë proces për programet e reja, që do të hapen së shpejti.
“Ndërkohë që edhe kërkimi shkencor është prioritet sepse është një nga sugjerimet e Komisionit Evropian edhe në progresraport”, tha Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “kur diskutojmë për të mbajtur të rinjtë dhe studentët në Shqipëri, pikërisht për këtë arsye kemi politikën e ndërkombëtarizimit. Se ne i nxisim të jetojnë dhe të studiojnë në Shqipëri. Sepse ishte vënë re që ata më të mirët që kërkonin cilësi më të lartë detyroheshin të shkonin jashtë. Dhe duke rritur standardet do jetojnë këtu. Jo vetëm që do të kenë cilësi të mirë, por edhe kosto të ulëta. Për këtë arsye ne fondin e ekselencës këtë vit e riformatuam për të mbështetur të rinjtë shqiptarë”, tha Kushi./atsh/ Revista Time

