Stacionit të ri zjarrfikës në Kinostudio, i janë shtuar dy mjete të reja zjarrfikëse. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se mjetet e  reja do i shërbejnë stacionit zjarrfikës të Njësisë Nr.4 edhe për të mbuluar zonat periferike dhe rurale të qytetit.

“Kemi jo vetëm një stacion zjarrfikës shumë dinjitoz për Kinostudion, por edhe mjete dinjitoze për të shërbyer në Njësinë 4, e sidomos në zonat rurale, ku janë problematikat më të mëdha. Me mjetet e reja dhe me ndërtesën e re puna bëhet më kollaj. Kemi kaluar disa sfida bashkë, si tërmeti dhe pandemia, por më kujtohen edhe vitet tona të para, kur punuam bashkë për të shmangur përmbytjet”.

Stacioni i ri zjarrfikës në Kinostudio mbulon edhe një pjesë të zonës malore të Dajtit, të Zallbastarit, Shëngjergjit dhe Krrabës, që gjatë verës përballet me zjarre.

“Aseti më i madh i qytetit janë qytetarët. Qytet pa zjarrfikës kemi pasur edhe më përpara, por qytet pa njerëz nuk kemi pasur. Bashkëpunimi me Japoninë, kjo dhuratë bujare, që besoj se është vetëm fillimi, na dëshmon se miqtë njihen në ditë të vështira. Kur punët janë mirë, kur kemi festa, të gjithë duan bileta. Asnjë nuk kërkon biletë kur ka përmbytje, kur ka zjarr, kur ka tërmet dhe pandemi”.

Mjetet e reja zjarrfikëse u dhuruan nga  ambasada japoneze në Tiranë.