Shqipëria, vend i NATO-s, me efekt të menjëhershëm ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin të mërkurën (07.09). Këtë  e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për mediat. Ai e argumentoi këtë vendim të qeverisë shqiptare me “prova të pakundërshtueshme”, sipas të cilave pas sulmeve masive kibernetike më 15 korrik ndaj institucioneve shqiptare fshihet Irani.

“Sulmi nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Agresioni është orkestruar nga Irani”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media të mërkurën, duke shtuar se sulmi “është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Stafit diplomatik të Ambasadës së Iranit në Shqipëri i është dhënë 24 orë kohë që të largohet nga Shqipëria.

Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik dhe që merr masa të tilla.

Edhe SHBA konkludon se përgjegjës për sulmin kiberbetik ndaj Shqipërisë është Irani. Shtëpia e Bardhë në një reagim të saj e quan përgjegjës Teheranin për këtë sulm kibernetik kundër një aleati të NATO-s.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” për sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj aleates së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara do të marrin veprime të mëtejme për të mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleates së NATO-s dhe vendosin precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, ka thënë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson përmes një deklarate./(xh.m)