Viktor Hygo
Katedralja e Parisit
(Fragment)
“…I dukej sikur edhe përmes qepallave të saj ngjyrë trëndafili po e shihte atë maskë përbindëshi, i cili ishte qorr me një sy dhe i kishte dhëmbët si çataj. Atëherë, ndërsa po i mbante sytë mbyllur, ajo dëgjoi një zë të vrazhdë, që po fliste plot ëmbëlsi:
– Mos u trembni, mua më keni mik. Erdha të shihja nëse po flinit. Unë nuk ju bëj ndonjë të keqe në qoftë se vij të shoh nëse flini, apo jo? Ç’punë ju prishet nëse unë rri këtu, kur ju i mbani sytë të mbyllur. Tani po iki.
Shikoni, tani jam prapa murit. Ju mund t’i hapni sytë. Dhe, më i përvajshëm se fjalët, ishte theksimi me të cilin ai i shqiptonte ato. Cigania, e ngashëryer, hapi sytë. Te dritarja nuk kishte asnjeri. Ajo u afrua atje dhe pa gungaçin e shkretë, që ishte strukur në një qoshe të murit, kryeulët dhe i brengosur. Atëherë vajza e mposhti me pahir neverinë që i ngjallte dhe i tha me ngadalë:
– Ejani!
Nga lëvizja e buzëve të saj, Kuazimodo pandehu se ajo po e dëbonte; atëherë ai u ngrit dhe, duke ecur çalë – çalë, u largua kokëvarur, pa guxuar as t’i hidhte Esmeraldës vështrimin e tij, që ishte i mbushur me dëshpërim.
– Ejani, pra!- thirri ajo.
Por ai vazhdoi të largohej. Atëherë vajza doli nga qelia, e arriti atë dhe e zuri për krahu. Kur ndjeu dorën e saj, Kuazimodos i shkuan mornica në trup.
Ai i hodhi asaj një vështrim përgjërues me syrin e tij të vetëm dhe, duke parë se ajo po kërkonte ta afronte, i rrëzëlleu fytyra nga gëzimi dhe përmallimi. Ajo deshi ta fuste në qelinë e saj, por ai u tregua kokëfortë dhe qëndroi te pragu.
– Jo, jo, – ia bëri ai, – bufi nuk mund të hyjë në folenë e laureshës.
Atëherë ajo u ul hijshëm mbi shtrat bashkë me dhinë, të cilën e zuri gjumi te këmbët e saj. Që të dy ndenjën një copë herë pa lëvizur dhe në heshtje: ai duke soditur bukurinë e saj dhe ajo duke u habitur me shëmtimin e tij.
Vajza po zbulonte te Kuazimodo për çdo çast një shëmtim të ri. Vështrimi i saj hidhej prej atyre gjunjëve të shtrembër te shpina gungaçe, prej shpinës gungaçe te syri i vetëm. Ajo nuk arrinte ta kuptonte se si mund të kishte në botë një krijesë kaq të shëmtuar. Por këtë shëmtim e mbulonte një melankoli dhe një butësi aq e madhe, saqë pak nga pak ajo filloi të mësohej me të.
Gungaçi e theu heshtjen i pari:
– Më thatë të kthehesha?
– Po, – iu përgjigj ajo, duke pohuar me kokë. Ai e kuptoi atë pohim me kokë. – Medet!- vazhdoi të thoshte ai si me ngurrim.
–Unë jam… shurdh.
– I shkreti!- thirri vajza me një shprehje plot dashamirësi dhe dhimbsuri. Ai buzëqeshi me hidhërim.
– Si ju duket: vetëm kjo më mungonte, apo jo? Kurse ju jeni kaq e bukur! Në zërin e atij fatziu ndihej një brengë aq e thellë, saqë ciganes nuk i bëri zemra të thoshte asnjë fjalë: le që Kuazimodua as që do ta kishte dëgjuar.
Ai vazhdoi:
– Kurrë s’e kisha ndjerë shëmtimin tim kaq fort sa tani. Kur e krahasoj veten me ju, më vjen keq për veten time, për një përbindësh të mjerë siç jam unë. Pa më thoni: unë ju dukem si ndonjë egërsirë pylli, apo jo? Ju jeni një rreze dielli, një cirkë vese, një këngë bilbili. Kurse unë jam diçka e llahtarshme, as njeri dhe as kafshë; jam një send më i vrazhdë, më i shëmtuar dhe më i përçmuar se një copë gur…
Klod Froloi nuk ndodhej më në katedrale, kur i biri i tij në shpirt e këputi aq papritmas nyjen fatale, me të cilën kishte ngecur edhe vetë. Pasi qe kthyer në sakristi, ai kishte hequr me të shpejtë veladonin dhe stolën, ia kishte hedhur këto sakristanit, të habitur; pastaj kishte dalë nga dera e fshehtë e manastirit, kishte urdhëruar një varkar të Terenit ta hidhte në bregun e majtë Senës dhe së andejmi ishte futur në rrugët kodrinore të lagjes së Universitetit, pa ditur as vetë ku shkonte dhe duke hasur në çdo hap grupe burrash dhe grash që ishin drejtuar te ura Sen-Mishel, për të parë si do ta varnin magjistaren. Ai ishte i zbehtë dhe i shushatur, më i turbulluar, më i verbër dhe më i egërsuar se një zog nate, të cilin e nget dhe e ndjek pas një tufë kalamajsh në mes të ditës. Ai nuk dinte më ku ishte, ç’mendonte dhe nëse shihte një ëndërr apo ishte zgjuar. Herë ecte kuturu, pa e zgjedhur drejtimin, dhe merrte herë njërën rrugë herë tjetrën, i shtytur përpara nga një mendim i vetëm: nga mendimi për sheshin Grev, për sheshin e llahtarshëm Grev, të cilin ai e ndiente ashtu turbull prapa vetes së tij.
Ai kaloi kështu në kodrën Sen-Zheneviev dhe doli, më në fund nga qyteti prej portës Sen Viktor. Vazhdoi të largohej derisa, duke kthyer kokën, mundi të shihte ende kullat që rrethonin Universitetin, si dhe shtëpitë e rralla të lagjeve të jashtme; por kur, më në fund, një bregore e vogël ia fshehu nga sytë krejtësisht atë Paris të urryer, kur kujtoi se ndodhej nja njëqind kilometra larg së andejmi, i degdisur në mes të fushave, në mes të një shkretëtire qëndroi dhe iu duk se aty mund të merrte frymë lirisht.
Atëherë e pushtuan mendime të lemerishme. I bëri një shqyrtim shpirtit të tij dhe iu rrëqeth shtati. Iu kujtua ajo vajzë fatkeqe, që e kishte marrë atë më qafë dhe që, edhe vetë ishte marrë më qafë prej tij. I hodhi një vështrim të hutuar udhës së dyfishtë dhe plot zigzage, që fati i kishte bërë të përshkonin që të dy gjatë jetës së tyre, deri te ai udhëkryq ku ky fat i kishte përplasur ata pa mëshirë njëri me tjetrin. Ai vrau mendjen për marrëzinë e betimeve të përjetshme, për kotësinë e shkencës, të virtytit, të dëlirësisë morale për padobinë e perëndisë. U kap me gëzim pas këtyre mendimeve të mbrapshta dhe, duke u kredhur thellë më thellë në to, ndjeu se po i ziente në kraharor një e qeshur satanike.
Duke e vëzhguar në këtë mënyrë shpirtin e tij, ai e kuptoi se ç’vend të madh u kishte lënë natyra pasioneve dhe atëherë nënqeshi edhe më shumë me
hidhërim. Ai e hulumtoi tërë urrejtjen, tërë ligësinë që fshihej në zemrën e tij, dhe duke vëzhguar me syrin e ftohtë të një mjeku që studion një të sëmurë, u bind se kjo urrejtje dhe kjo ligësi nuk janë gjë tjetër, veçse një dashuri e shtrembëruar; se dashuria, ky burim i virtyteve të njeriut, shndërrohet në diçka të përbindshme në shpirtin e një prifti dhe se një njeri si ai bëhet demon, duke u bërë prift. Atëherë ia plasi një gazi të frikshëm dhe pastaj u zbeh papritmas: shikoi anën më të errët të pasionit të tij fatal, të asaj dashurie gërryese dhe helmuese, urryese dhe të papërmbajtur që e kishte çuar ciganen në trekëmbësh dhe atë vetë në skëterrë; ajo ishte dënuar, ai ishte mallkuar.
…Oh ajo kudo! Ky mendim i ngulët nuk i shqitej për asnjë çast, e bluante përbrenda, i brente trurin dhe i sfiliste shpirtin! Ai nuk ishte menduar aspak, nuk i vinte keq aspak; gjithçka që kishte bërë, ishte gati ta bënte përsëri. I pëlqente më mirë ta shihte atë vajzë në duart e xhelatit, sesa në krahët e kapitenit; por ai vuante, vuante aq shumë, saqë herë-herë shkulte nga koka tufa flokësh për të parë mos ishte thinjur…
Qe një çast kur i shkoi në mendje se ndoshta pikërisht në atë minutë zinxhiri i shëmtuar, që ai kishte parë atë mëngjes, shtrëngonte tani me një nyjë hekuri qafën e saj të hajthme dhe të hijshme. Ky mendim e bëri t’i dilnin djersë të ftohta në ballë.
Qe dhe një çast tjetër kur, duke qeshur plot ligësi me veten e tij, e përfytyroi Esmeraldën ashtu siç e kishte parë për të parën herë: të gjallë, të shkujdesur, gazmore, të veshur e të stolisur, vallëzuese, krahëlehtë, dhe, fill pas kësaj, Esmeraldën e herës së fundit: me këmishë dhe me litar në qafë, duke ngjitur shkallët ngadalë dhe këmbëzbathur përpjetë shkallëve të thepisura të trekëmbëshit. Ai e përfytyroi aq qartë këtë figurë të dyfishtë, saqë lëshoi padashur një ulërimë të frikshme.
Ndërsa ky tufan dëshpërimi po e mbyste, po e thyente, po e shqyente, po përkulte dhe po shkulte gjithçka në shpirtin e tij, ai i hodhi një vështrim natyrës që e rrethonte. Te këmbët e tija disa pula diçka po çukitnin nëpër driza; brumbujt e ndritshëm zvarriteshin në diell, dhe përmbi kokën e tij vozitnin në qiellin e kaltër shtëllunga resh në ngjyrë argjendi; larg në horizont shtiza e abacisë Sen Viktor priste me obeliskun e vet të përhimët vijën e lakuar të një brengosjeje, dhe mullisi i kodrinës Kopo vështronte, duke fërshëllyer, se si vërtiteshin krahët e papërtuar të mullirit të tij. Tërë kjo jetë e gjallë, e rregullt dhe e qetë, e trupëzuar përqark tij në mijëra forma i shkaktoi dhembje. Ai krisi e iku përsëri ku sytë këmbët.
Kështu brodhi përmes fushave deri në mbrëmje. Ky largim nga natyra, nga jeta, nga vetvetja, nga njeriu, nga zoti, nga gjithçka zgjati tërë ditën. Herë-herë ai binte përmbys në tokë dhe shkulte me thonj kallinjtë e njomë; herë-herë ndalej në mes të rrugës së shkretë të ndonjë fshati, ku e pllakosnin mendime aq torturuese, saqë ai zinte kokën me të dyja duart, sikur mundohej ta shkulte këtë nga supet dheta përplaste përdhe.
Kur po perëndonte dielli, ai e hulumtoi edhe njëherë shpirtin e tij dhe iu duk se pothuaj kishte luajtur mendsh. Furtuna që kishte shpërthyer te ai qysh kur pati humbur edhe shpresën, edhe vullnetin për ta shpëtuar ciganen, nuk kishte lënë në vetëdijen e tij asnjë mendim të shëndoshë, asnjë ide të pacenuar. Mendja e tij dukej se ishte bërë hije e pluhur. Vetëm dy figura kishin ngelur të qarta në vetëdijen e tij: Esmeralda dhe trekëmbëshi; çdo gjë tjetër ishte kredhur në errësirë…”

