Moikom Zeqo, dijetari që deshi të shkruante me alfabet numrash

DORIAN KOÇI

Moikom Zeqo më pati rrëfyer se, në të ri të tij, kish dashur të shkruante me një alfabet të përbërë prej numrash, ku çdo gërmë do shkruhej me numrin përkatës që zinte në alfabetin prej 36 shkronjash të gjuhës shqipe.

“Sa jetojnë centaurët?” – e pyeta një ditë Profesor Moikomin, ndërsa flisnim për librin e tij të fundit “Centauri i Dritës”. Buzëqeshi dhe pa u bezdisur që e kisha ndërprerë (ky ishte gjithmonë stili ynë i bisedës) më tha se centaurët janë krijesat që mësuan Akilin. Imagjino, më tha me stilin e tij lakonik, kur u mësuan sekretin e përjetësisë së Akilit, (sepse jam fort i sigurtë se nuk e kishte fituar atë duke u zhytur në lumin Stiks  nga e ëma), sa duhet të jetonin vetë? Jam i bindur se sikur te rrëfenja e njohur e Saadi-ut ku, mësuesi i mëson 99 hile te sporti i mundjes nxënësit të vet dhe një e mban për vete kur ai do ta sfidojë, ashtu dhe centaurët i mësuan Akilit përjetësinë, por me një cen të vogël, që ai mund të vritej në thembër.

Nuk mund të thosha më asnjë fjalë pas këtij pasazhi që bënte bashkë dijen e lashtë antike me misticizmin e lindjes dhe e konsiderova veten me fat që kisha mundësi të bisedoja me këtë njeri që ishte një Sokrat i kohës sonë. Nuk bëja gabimin që ta quaja Platon, pasi në republikën e së ardhmes, Platoni i kishte përjashtuar poetët dhe Moikom Zeqo, siç nënshkruante në librat e vet, i kishte bezdi njerëzit që nuk respektonin poetët.

Pjesëza e mësipërme është nga momentet e shumta që kaloja në takimet tona, ku dashamirësia dhe interesi i tij, jo vetëm për Muzeun Historik Kombëtar, por edhe për të gjitha fushat e dijes, ishte i jashtëzakonshëm. Është vështirë që të gjesh të mishëruar në një njeri disa disiplina të dijes dhe, për më tepër, të gjitha ato të veshura me dëshirën për të prodhuar një kod të ri leximi, deshifrimi e intepretimi. Moikom Z. e njihje që fëmijë me “Kalorësit Dardanë” dhe Heroin e tokës Nanas, për ta ritakuar sërish me poezinë e tij simbolike e jo të zakonshme në adoleshencë, e, në moshën e rritur, me esetë e tipit borhesian gjithë kabalizëm, teozofi e misticizëm.

Portretet monografike të tij kushtuar figurave të mëdha të kombit si, Naim Frashërit, Onufrit, Migjenit, De Radës, Lasgush Poradecit e, së fundmi, Skënderbeut, kanë krijuar arketipe idesh sesi mund t’i njohësh këto figura e t’i ballafaqosh me kulturën mesdhetare e europiane. Moikom Z. më pati rrëfyer se, në të ri të tij, kish dashur të shkruante me një alfabet të përbërë prej numrash, ku çdo gërmë do shkruhej me numrin përkatës që zinte në alfabetin prej 36 shkronjash të gjuhës shqipe.

Nuk e di nëse ia arriti ndonjëherë apo nëse la ndonjë tekst të tillë por vepra e tij, sado që shpesh duket se ka një kaos të jashtëm, në vetvete është e përpiktë si një ekuacion matematikor. Parimi i rrathëve koncentrikë në veprën e tij dekonstruktohet pasi historia e filozofia në mënyrë ciklike duket se përsërisin njëra-tjetrën dhe shpesh, e lindin njëra-tjetrën.

Në fillim të shekullit XX, Fishta do ta përcaktonte Konicën si një enciklopedi ambulante të kulturës shqiptare. Njëqind vjet më vonë ishim me fat që kishim mes nesh një “enciklopedi lëvizëse” që gjallonte në shqip mes formulave të lashta të kabalës, misticizmit dhe traditës. Moikom Zeqo krijoi një shkollë të vërtetë poetike, kur ringjalli antikitetin në një tokë djerrë, si askush në letërsinë shqipe e mitologjia u bë pjesë e diskursit të përditshëm. Idolet e tij poetikë si, Pindari, De Rada e Witmani i veshën një mantel prej të cilit ai sendërtoi konstelacionin e tij poetik. “Tërë poetika ime rikonstrukton të Shkuarën si një makinë për të Ardhmen”, do shkruante Zeqo në parathënien e vëllimit të XII me poezi “Miscellanea”, duke na dhënë vet kodin e leximit të poetikës së tij.

Ç’mund të themi më tepër kur, për një njeri që sfidoi sëmundjen dhe me një ankth sizifian, vazhdoi të luftojë për të vërtetat e tij që janë dhe të vërtetat e jetës. Intelektual që, në mesin e kohës lukuni, kur rrëzonin buste nga pidestale, ndryshonin data nga historia me një kurajo civile, shpërthente mes parlamentit shqiptar se 29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e shpikur, po realitet i patjetërsueshëm. Mohimi i saj të çon te satanizmi i demokracisë. Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit.

Kultura jonë humbi një njeri diturak, që nuk bënte pakt për të heshtur. Mes librave, tablove, vizatimeve e melodisë së tij të preferuar, do të gjëmojnë sentencat në latinisht “Plaudite, amici, comedia finita est” (Duartrokisni miq! Komedia mbaroi!).

Komedi e trishtuar humbja jote miku ynë, një komedi që na kujton se duhet t’i duam të gjallët pa vdekur ende. Moikom Z. iu përvodh së përditshmes dhe u tret në eterin e përjetshëm të kulturës dhe gjuhës shqipe. Prej andej, ku i dihet,  si mendimi pitagorian që e citonte shpesh, do ringjallet në formën e Makabe Zaharias, personazhit të tij të dashur, për të na rikujtuar se qytetërimi botëror është një Ars Combinatoria…