Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se buxheti i vitit 2023 do të mbështesë paketat sociale që do ndërmarrë qeveria për përballimin e krizës globale.
Balluku u thirr në një interpelancë nga deputeti i Partisë Socialiste, Nasip Naço lidhur me investimet në bashkinë e Skraparit.
“Viti 2023 do të jetë një vit i cili na vë para dy sfidave shumë të madhe. E para është siguria energjetike dhe e dyta është mbrojtja kibernetike. Duke pasur parasysh dhe gjithë krizën ekonomike që bota po kalon për sa i përket inflacionit, do të kemi një buxhet konservator që ka tendencën të mbështesë të gjitha paketat sociale, duke nisur nga mburoja energjetike, rritja e pensioneve, pagave, etj. Jo se investimet do t’i lëmë pas dore, por peshën më të madhe do ta çojmë aty ku është nevoja, aty ku kjo krizë na detyron”, u shpreh Balluku.
Zv/kryeministrja bëri të ditur se aksi rrugor Berat-Skrapar është përfshirë në një kontratë mirëmbajtjeje me performancë, për një periudhë 2-vjeçare me një vlerë 91.9 milionë lekë.
Zv/ministrja tha se aktualisht në këtë aks po punohet edhe për përmirësimin e sigurisë rrugore.
“Deri në vitin 2022 është planifikuar që në këtë aks të përfundojnë punimet e ndërhyrjes me 5 mijë metër asfaltime, instalimin e mbrojtëseve anësore metalike”, tha Balluku./atsh/Revista Time

