Më lejoni ta përshëndes këtë aktivitet, i cili në jetën e një qyteti mund të konsiderohet si një ngjarje historike. Ndjehem i privigjeluar që me këtë rast të sjell ndërmend disa veçori të kësaj krijimtarie monumentale, që përfshin më shumë se dyzet vepra, të përkthyera dhe të shpërblyera gjithandej në botë. Universi letrar i kadaresë qëndron shtyllë bartëse bartëse e një epoke letrare shqiptare, përkatësisht bosht integrues i fragmenteve të coptuar dhe të shpërndarë në kohën dhe hapësirën shpirtërore shqiptare… Ajo ka sublimuar idealin e tyre ndër shekuj, konsoliduar tiparet identitare, besimin e rrjedhës së përbashkët të tyre, në të sotmen dhe të nesërmen.
Vizioni i kësaj krijimtarie letrare penetron shtresimeve dhe thellësive të qenies sonë, prek nyje lashtësie prej nga sjell përshkënditje mahnitëse, me një gjuhë çuditërisht të qartë, një qartësi – siç thotë një poet, (Kocbek) e llojit më të errët të mundshëm njëkohësisht. Kjo është një gjuhë që prek kuptime e fshehtësi të përhershme njerëzore, enigma të ekzistencës që ngacmojnë përherë kërshërinë dhe shqetësimin e njeriut. Shkrimtari Kadare kështu hyn në dialog sfidues me fatin dhe fatalitetin të ekzistencës, me dramën e përhershme të njerëzimit, jo rrallë me përshkëndijime profetike.
Ismail Kadare është i formatit të gjenive që besojnë se vepra e tyre do të rrezatojë komunikim të përhershëm ndër shekuj dhe se ajo, në këtë bashkëbisedim do ndihmojë që bota të bëhet më e mirë. Ajo, vepra letrare, duke qenë dritë e ndezur në vete edhe e shpirtit të kombit të vet, do jetë kujtesë e gjallë e qenies së tij, do t’a ruajë trashëgiminë e shpirtit dhe të historisë nga deformitetet. Shkurt, letërsia e Kadaresë, gjuha e saj, që diti ta ushqejë shpresën, mendjen dhe imagjinatën e lirë te lexuesit të vet edhe gjatë diktaturës, tani më është në funksion të mbrojtjes së shpirtit të kombit.
Me Ismail Kadarenë, shekujt e letërsisë shqiptare për herë të parë prekën majat letrare evropiane dhe botërore, duke e siguruar përjetësinë e këtyre përmasave dhe duke sublimuar idealin e brezave letrare të gjuhës dhe shpirtit tonë.
Me Ismail Kadarenë ndodhi kthesa e madhe letrare shqiptare, përfshirë edhe statusin e lexuesit, të atij që e admironte; ai për herë të parë gjeti një gjeni që i përkiste familjes se vet, gjuhës së vet, historise, qenies; lexuesi shqiptar, për here të parë, do t’a lexonte i pari në origjinal veprën e gjeniut, të tjerët në gjuhët (sekush në të vetën), siç ka bërë dhe bën ai, pra, lexuesi shqiptar me majat e tjera letrare të njerëzimit… Por, ajo çfarë ëshët më e rëndëisshme, shkrimtari shqiptar, për herë të parë, u ndje mirë, i barabartë mes familjes të madhe letrare të njerëzimit.
Kadareja e dinte që është më i miri, dhe s’kishte pse të shtirej, ai qëndronte mbi mendësinë e të qenit i pasinqertë, të luante modestin; thjesht ai e sillte në mendje se kush ishte. Dhe natyrshëm u bë një nga të admiruarit, në sërën e më të admiruarve, e majave letrare të përbotshme. Lexuesit, që nga fillimet kanë gjithnjë të admiruarit e tyre, të rrallët, e mbajnë për vete, rreptësisht të mos e pikasë atë as i admiruari, sado i afërt dhe mik. Dhe të admiruarit përzgjidhen nga majat, pavarësisht ç’truall dhe ambient apo gjuhë i ka lindur ata…
Prandaj lexuesi shqiptar, shkrimtari, ne të gjithë që jemi të pranishëm në këtë solemnitet, në këtë festë kulturore, kemi privilegjin që ta kemi fizikisht pranë Ismail Kadarenë edhe në Fier, prani dhe ngjarje që do ta lakmonte çdo kryeqytet letrar i globit.
Dhe ne fund duke ju uruar dhe jetë të gjatë e produktive, të mos ngelë anash pa u theksuar kontributi juaj intelektual për njohjen e drejtë dhe të saktë të çështjes së Kosovës, ku fjala e juaj në diplomacine evropiane dhe shtypin evropian ka qënë formë efikase dhe me ndikim në opinionin publik ndërkombëtar.
*Fjalim i mbajtur gjatë takimit me shkrimtarin Ismail Kadare në Fier, në kuadër të 85 – vjetorit të lindjes

