Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se rasti i arrestimit të Sekretares së Përgjithshme të MSHMS-së, Joana Duro, duhet të hetohet dhe faji duhet të provohet e më pas të përballet me pasojat.
Duke iu përgjigjur kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili kërkoi dorëheqjen e ministres Manastirliu, ajo theksoi se “qëndrimi im është i prerë dhe i qartë. Jo vetëm për këtë ngjarje, nga e cila si institucion, distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi pasur, kemi dhe do të kemi gjithmonë për rast të shkeljes së ligjit, do rast të abuzimit me detyrën, do rast të shpërdorimit të saj dhe besimit të dhënë”.
“Cilido që shkel mbi këto parime, duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji.Ky është qëndrimi im. Ky ka qenë qëndrimi dhe bindja ime që nga dita e parë që kam marrë përsipër të shërbej në institucionet publike”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se “është padyshim një ngjarje e trishtë dhe e rëndë. Organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre. Çdo person, ditën që merr besimin dhe bashkë më të, edhe detyrën e lartë në shërbim të publikut, merr automatikisht edhe përgjegjësinë para ligjit. Dhe përgjegjësia është indiviuale”.
Sipas saj, veprimet e askujt nuk mund të baltosin punën e tërësisë së punonjësve të një institucioni.
“Kjo është arsyeja përse e bëmë reformën në drejtësi. Kemi zgjedhur një rrugë, e cila nuk ka as kthim prapa e as kompromis. Që para ligjit, të gjithë të jenë të barabartë. Unë e kuptoj që djathtas e keni të vështirë ta kuptoni këtë. E keni të vështirë, se në xhunglën e pushtetit tuaj, kush shkelte ligjin merrej në mbrojtje. Kush ishte në hetim, vazhdonte drejtonte institucione të larta financiare, edhe nga shtëpia. Kush vriste merrej dhe strehohej në institucione të larta të shtetit. Kur prokuroria vepronte, i hidheshit në fyt, i shpallnit luftë”, nënvizoi Manastirliu.
Ndaj, vijoi ministrja, nuk e kuptoni dot ju qëndrimin tim dhe qëndrimin tonë për këtë gjë.
“Po j’ua përsëris, të gjithë të barabartë para ligjit. Ky është qëndrimi im. Ndërsa zakoni juaj dihet, ju do bëheni dhe prokurorë, edhe gjykatës, edhe avoketër, dhe çdo ngjatje doni ta vërtisni siç ju intereson ju. Por sot kemi drejtësi, kemi organe drejtësie të pavarura, të cilat, ndryshe nga ju, unë i respektoj”, tha Manastirliu.

