Shqipëria renditet e 38-a në rang global për reformat ligjore që fuqizojnë gratë “Gratë, biznesi dhe ligji 2023”.
Indeksi i Bankës Botërore që mat reformat ligjore që fuqizojnë gratë “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2023” i dha Shqipërisë 91.3 pikë nga 100 duke e renditur të 38-ën në rang global.
Raporti vlerëson se në shumë vende një grua që hyn sot në fuqinë punëtore do të dalë në pension përpara se të jetë në gjendje të fitojë të njëjtat të drejta si burrat, thekson raporti.
Këtë vit, 18 vende miratuan 34 reforma, numri më i ulët i reformave në 20 vjet. Por më shumë se gjysma e të gjitha reformave të kapura u zbatuan në rajonin e Afrikës Subsahariane nga shtatë ekonomi.
Shqipëria mori të njëjtën sasi pikësh si vitin e kaluar, por kishte vlerësim më të ulët se Serbia dhe Kosova.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se, ligjet në Shqipëri i disfavorizojnë gratë në pensione dhe në kujdesin për fëmijët. Ndërsa në ligjet që lidhen me punësimin, vendin e punës, pagesat, martesat sipërmarrjet dhe pronësinë Shqipëria merr vlerësim maksimal me 100 pikët e mundshme.
Indeksi mesatar global u rrit vetëm 0.5 pikë në krahasim me vitin 2022, duke arritur në 77.1 nga 100 pikë vlerësimi maksimal.
Gratë në vetëm 14 vende nga 190 që janë në studim kanë të njëjtat të drejta ligjore si burrat në të gjithë treguesit e matur. Këtu përfshihen Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Irlanda, Letonia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia.
Në raportin e Bankës Botërore vihet në dukje se ngadalësimi i rritjes globale, rreziqet në rritje të ndryshimeve klimaterike, konfliktet dhe efektet e vazhdueshme të COVID-19 kanë sjellë pengesa të mëdha për progres në vitet e fundit, sidomos në vendet e varfra dhe ato në zhvillim.
Të drejtat ekonomike tregojnë se barazia më e madhe gjinore është thelbësore për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme. Trajtimi ligjor i barabartë i grave ndikon që më shumë gra të punojnë dhe të bëjnë karrierë.
Raporti thotë se në vitin 2022, u regjistruan vetëm 34 reforma ligjore në lidhje me barazinë gjinore në 18 ekonomi, kryesisht me të ardhura të ulëta.
Shumica e reformave u fokusuan në rritjen ditëve të lejes së paguar për prindërit dhe baballarët, duke hequr kufizimet në punën e grave dhe duke detyruar pagesën e barabartë./atsh/Revista TIME


