Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, deklaroi sot se puna për ndërtimin e bajpasit të Tiranës do të nisë gjatë këtij viti.
Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Balluku informoi edhe mbi ecurinë e Korridorit 8.
“Me suportin e WBIF gjatë këtij viti do të nisim procesin e ndërtimit të bajpasit të Tiranës, si një nga nyjat infrastrukturore më të rëndësishme që nuk i vjen në ndihmë vetëm kryeqytetit pavarësisht se ashtu dëgjohet, por është një ndërlidhje e të gjitha autostradave të ndërtuara, për t’i dhënë akses më të mirë të gjithë rrjedhës së trafikut që vjen nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja foli edhe për Korridorin e 8, ku tha se edhe Maqedonia e Veriut nis punën për ndërtimin e pjesës së saj.
“Ky korridor do të ketë një pikë daljeje të re në Maqedoninë e Veriut dhe me shumë mundësi do të lidhet përmes një tuneli”, u shpreh ajo.
“Na ka ndihmuar edhe e gjithë situata në Ukrainë, pasi Korridori 8 është një korridor aksesi për gjithë sigurinë e Europës dhe sigurinë kombëtare të të gjitha vendeve, duke qenë se lidh detin Mesdhe me pjesën e Detit të Zi, duke krijuar kështu një korridor sigurie të lartë. Këtu kemi arritje konkrete dhe kjo duhet thënë. Qeveria shqiptare, MIE, tashmë kanë nisur punën për ndërtimin e Korridorit 8 me lotin e parë të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Mban këtë titull pasi kur u nis, nga ana maqedonase, nuk kishte akoma një projekt të dizejnuar saktë sa i përket Korridorit 8. Edhe kjo ka evoluar dhe dalja nuk do të jetë më Qafë Thana, por do të jetë një pikë më e afërt në territorin shqiptar pasi nesër, me datë 4 prill, zv/kryeministri Artan Grubi bën inaugurimin e segmentit të parë për palën maqedonase për ndërtimin e Korridorit 8. Përveç Shqipërisë nesër vihet guri i parë i themelit edhe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për nisjen e ndërtimit të Korridorit të 8. Nuk flasim më për marrëveshje thjesht që diskutohen. Flasim për projekte konkrete, ashtu siç e nisi Shqipëria punën, ashtu e nis nesër edhe Maqedonia e Veriut”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, Korridori 8 përmban 140 kilometra rrjet kombëtar.
“Do të ketë një pikë dalje të re, e cila me shumë probabilitet do të lidhet përmes një tuneli dhe në kuadër edhe të marrëveshjeve që janë bërë mes shteteve tona për pika kufitare të përbashkët, ne as nuk do të ndiejmë ekzistencën e kufirit me Shqipërisë dhe RMV kur ky korridor, kur kjo lidhje mes dy vendeve të krijohet”, tha Balluku./atsh/Revista TIME

