Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar rihapjen e basteve sportive, por vetëm online, në një dëgjim publik që ka mbajtur të mërkurën me Komitetin Olimpik Shqiptar, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Federatat e sporteve të tjera.
Sipas Ramës, nuk do të ketë më lokale bastesh, por do të tentohet të licencohen tre kompani që funksionojnë vetëm online, për t’i eliminuar kompanitë tjera që janë futur në të zezën.
“Nuk do të kthehemi në asnjë mënyrë te sallonet e basteve, lojërat apo te makineritë. Konsiderata është te bastet online. Ka shumë diskutime mbi bastet online. Salla parazitësh ku mblidhen njerëzit dhe hedhin në erë kursimet, nuk do ketë”, ka thënë Rama.
“Nga konsultimet që kemi bërë, veç rrjeteve informale të aktivitetit në të zezë që janë online, është edhe fenomeni i futjes së kompanive ndërkombëtare në Shqipëri, ose i futjes së rezidentëve shqiptarë në faqet e tyre. Licencimi i tre prej tyre e bën më të pamundur edhe pjesën e zezë, pasi futet në lëvizje mekanizmi i mbrojtjes së konkurrencës në Evropë. Sepse nuk mund t’i futesh tjetri aty ku ai ka licencë”, shtoi ai.
Bastet sportive, lojërat e fatit dhe kazinotë në Shqipëri u mbyllën në janar të vitit 2019 në një vendim të papritur.

