Hera e fundit që më kujtohet se më kërkohej të lexoja ndonjë shkrimtar shqiptar ka qenë në shkollë të mesme. Është për të ardhur keq që, sa më shumë rritemi, aq më joshëse na duket literatura botërore.
Mos ma merrni për keq, letërsia botërore është e mrekullueshme, por jo domosdoshmërisht e citueshme në bisedat tona. Përse? Sepse nuk është gjithnjë aktuale për jetën dhe realitetin tonë. Kështu që vendosa t’ju njoh dhe të nderoj më shumë shkrimtarët shqiptarë. Më poshtë, po ju listoj disa vepra e shkrimtarë që ia vlen të lexosh të paktën një herë në jetë:
Ismail Kadare
Nuk kisha si ta nisja ndryshe pa këtë kolos të literaturës shqiptare, sepse shkrimtar shqiptar si ky janë të rrallë. Një libër që më ka tërhequr shumë, ndonëse jo të gjitha veprat e tij janë të pëlqyeshme, ka qenë “Pallati i Ëndrrave”.
Botuar për herë të parë më 1981, në përmbledhjen “Emblema e dikurshme”, nën titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave.” Romani bën fjalë për një shtet totalitar që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane. Në këtë shtet ekziston një institucion shtetëror i quajtur Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), qëllimi i të cilit është mbledhja e ëndrrave të qytetarëve. Më pas ëndrrat shqyrtohen dhe interpretohen me qëllim të gjetjes së shenjave të rebelimit ndaj shtetit ose paralajmërimeve për fatkeqësi. Sigurisht kjo përbledhje është e vakët, prandaj ju ftoj ta lexoni e të ndani me ne mendimet tuaja.
Fatos Kongoli
Nga një kolos në tjetrin, nga një shkrimtar shqiptar në tjetrin, është kënaqësi të shkruash për ta. Do t’ju këshilloja librin “Bolero në Vilën e Pleqve”, botuar në vitin 2008.
Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t’i shtjerë në dorë.
Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm. Djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi me gruan e tij të re e të bukur. Vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, veshur gjithmonë me të zeza.
“Bolero në vilën e pleqve” është romani i krizës ekzistenciale. Ua këshilloj ta lexoni me shpirt, sepse është një libër vërtet i veçantë. Madje, madje lexoni më shumë nga Kongoli, sepse është vërtet i vetmi në llojin e tij.
Petro Marko
A mundet ta përjashtosh këtë shkrimtar nga lista? Absolutisht, jo!
“Nata e Ustikës”, botuar për herë të parë më 1989.
Në këtë roman Petro Marko rrëfen një fragment nga betejat, burgjet, dramat dhe dashuritë e tij nëpër Europë giatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit XX. (Para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.)
Në vitin 1940 Petro Marko u kthye nga Lufta e Spanjës. Një vit më vonë u arrestua prej pushtuesve italianë. Më pas u internua së bashku me gjashtëqind të burgosurit e tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e Ustikës (në veri të Sicilisë).
Në burgun e Ustikës, një ishull famëkeq në afërsi të Palermos. Në mesin e mijëra të burgosurve, grupi i shqiptarëve do të qëndrojë deri në kapitullimin e fashizmit. Prej këtej e merr subjektin e tij romani prej 380 faqesh “Nata e Ustikës”. Lexojeni! Petro Marko është rrëfimtar i ndjeshëm dhe vlen t’i kushtosh kohë.
Ridvan Dibra
Ridvani nuk është shumë i dëgjuar, e vërtetë, por është unik në rrëfimtarinë e tij dhe libri i tij “Gjumi mbi borë” është i papërsëritshëm.
Libri i botuar në 2016-ën, ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve. Tregon historinë e një mësuesi në kohën e diktaturës, të cilin e dënojnë duke e çuar në një fshat të thellë të Kukësit.
Rrëfyesi (mësuesi në këtë rast) ka ngecur në borë dhe mundohet të mos flejë. Gjatë kësaj kohe tregon historinë e fshatit ku është transferuar dhe lidhjet e tij me çdo banor të fshatit. Ka një mënyrë tregimi mjaft të thjeshtë, të pastër dhe tërheqëse. Për mua është një nga të preferuarit e letërsisë shqiptare.
Majlinda Rama
Sigurisht që do të përfshija edhe një shkrimtare femër. Shkrimtarë shqiptarë që pavarësisht gjinisë dinë të krijojnë. Majlinda Rama u bë e njohur me romanin “Perandorët” botuar në vitin 2014.
Ky roman bëri jehonë të madhe për shkak të tematikës së mprehtë, trajtimit dhe mpleksjes së shumë elementëve. Romani, i cili i hapi rrugën në letërsi Majlindës, në pak kohë u bë edhe film në Zvicër. Redaktori i romanit, kritiku Behar Gjoka, në parathënien e tij shkruan se:
“Ky roman të ofron një realitet të frikshëm, një pamje makabre të krimit dhe të pasojave të tij në përditshmërinë tonë. Ngjizja e tekstit vjen si rrëfim dhe dialog, strukturë dhe shprehësi, ku përplaset njerëzorja me çnjerëzoren. Një libër i endur me problematika shoqërore, të cilat zbulohen përmes toneve realiste dhe postmoderne. Figurimi i karaktereve realiste, të cilat të nxisin ta lexosh romanin, si një grimcë tronditëse jetësore, që rroket dhe shqiptohet me anë të artit të fjalës.” As vet nuk do e kisha përshkruar më mirë këtë subjekt të “Perandorëve”.
E pra, le të mësojmë ta duam më shumë vendin tonë nëpërmjet artit dhe literaturës./dua.com